Rend dhe Ligj

SHBA i dhuron Policisë pajisje me vlerë 385 mijë euro për të goditur krimin e organizuar

Gazeta Si - SHBA i ka dhuruar Policisë së Shtetit pajisje të reja tekonologjike me vlerë 385 mijë euro që shërbejnë për ruajtjen e të dhënave dhe kundër krimit të organizuar.

Donacioni përfshin servera dhe pajisje të ndryshme bashkëkohore për ekzaminimet kompjuterike dhe për shtimin e kapaciteteve për ruajtjen e të dhënave, me qëllim rritjen e ekspertizës në fushën e hetimit të ngjarjeve kriminale, me objekt terrorizimin, krimet e rënda dhe krimin e organizuar. 

Pajisjet do të jenë në përdorim ekskluziv nga Drejtoria e Antiterrorit dhe Sektori i Ekzaminimeve Kompjuterike në Institutin e Policisë Shkencore.

Me qëllim trajnimin e punonjësve të Policisë së Shtetit, për përdorimin e pajisjeve bashkëkohore të përfshira në donacion, do të zhvillohet një trajnim i organizuar nga ambasada e SHBA-së në Tiranë dhe nga Zyra e Sigurimit në këtë ambasadë.

Donacioni iu dorëzua Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, nga Zëvendës Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Demian Smith dhe Shefja e Zyrës së Sigurisë Rajonale në Ambasadën e SHBA-së në Tiranë, Karen Riley.

Zëvendës Ambasadori dhe Drejtori i Përgjithshëm theksuan se bashkëpunimi mes agjencive ligjzbatuese të SHBA-së, ambasadës së SHBA-së në Tiranë dhe Policisë së Shtetit, është i shkëlqyer, pasi është i ndërtuar mbi baza besueshmërie dhe vendosmërie të përbashkët në luftën ndaj krimit të organizuar dhe terrorizmit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë