Ne rrjet

Shakaja që përçau Belgjikën: Trump mund të blejë francezët për 1 euro

Në pamundësi për të blerë Groenlandën nga Danimarka, Donald Trump mund të ngushëllohet me blerjen e gjysmës së Belgjikës për vetëm 1 euro. Ky është propozimi ironik, që i është bërë shefit të Shtëpisë së Bardhë nga forumi rinor i një partie nacionaliste flamane.

“Zoti President, për një euro dhe Valonia (Wallonia) është e gjitha e jotja. Na telefono! Groenlanda nuk është në shitje”, shkruhet në postimin e forumit rinor të partisë Aleanca e Re Flamane (New Flemish Alliance).

Postimi shoqërohej me një fotografi të modifikuar, ku në qytetin e Durbuy, kryeqendra e rajonit të Valonias është vendosur kulla “Trump”.

https://twitter.com/Jongnva/status/1164190996982317056?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.euronews.com%2F2019%2F08%2F22%2Fflemish-nationalists-tell-donald-trump-he-can-have-wallonia-for-one-euro

Valonia është rajon frëngjisht-folës i Belgjikës dhe postimi në fjalë i partisë nacionaliste flamane, rajon që është kryesisht holandisht-folës, shkaktoi zemëratë dhe reagime të ashpra nga udhëheqësit lokalë dhe partia më e madhe e tyre.

Steve Detry, President i forumit rinor të Lëvizjes Reformiste, një parti e majtë në Valonia ishte njëri prej dhjetra personave që e qortuan postimin në fjalë. Ai e cilësoi atë një “idiotësi të pasjellshme”.

Drejtuesit e forumit rinor të Aleancës së Re Flamane reaguan. Ata thanë se gjithçka ishte një shaka në kuadër të shakave të rrjetit pas qarkullimit të lajmit të bujshëm se Donald Trump synonte blerjen e Groenlandës.

“Ishte një shaka për ndjekësit tanë të rinj flamanë në rrjetet sociale për t’iu bashkuar rrymës në Twitter. Asgjë më shumë! Shpresoj që të ketë ende vend për humor në politikë, sidomos tek të rinjtë që kanë shumë nevojë për humor”, deklaroi për Euronews Lawrence Vancraeyenest.

Tek flamanët holandisht-folës, që përbëjnë rreth 68 për qind të popullsisë së Belgjikës ka patur një rritje të fortë të nacionalizmit dhe partive separatiste vitet e fundit. Në zgjedhjet e fundit, Aleanca e Re Flamane fitoi 43 vende në Parlamentin 150 vendesh të Belgjikës dhe në muajin gusht hyri në bisedime me partitë e tjera flamane për të formuar qeverinë e re, pas muajsh të tërë ngërçi politik.

Vancraeyenest tha për Euronews se postimi në fjalë nuk kishte për qëllim të vështirësojë edhe më tej formimin e qeverisë së re federale, apo të përbënte një mesazh politike për negociatat në fjalë. Por, ai shtoi se zemërata e shpërthyer nga valonasit (frëngjisht-folësit belgë) ishte provë se mes dy kulturave ka diferenca të mëdha.

Harta e ndarjes etniko-gjuhësore e Belgjikës

Diferenca janë edhe politike. Në dekadën e fundit, flamanët kanë mbështetur gjithnjë e më shumë forcat e ekstremit të djathtë, ndërsa valonasit të majtën. Kjo u reflektua edhe në rezultatin e zgjedhjeve të fundit, që nxiti kreun e Aleancës së Re Flamane, Bart De Wever që të deklaronte se “ndasitë mes flamanëve dhe valonasve nuk kanë qenë kurrë më të thella”.

Ndasitë ideologjike mes partive flamane dhe valonase zakonisht çojnë në periudha të gjata tranzicioni të pushtetit. Në 2010, partive kryesore të dy rajoneve iu deshën plot 535 ditë për të arritur një marrëveshje për formimin e qeverisë së re, duke vendosur një rekord botëror.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë