Politike

Groenlanda, dëshira e parealizueshme e Donald Trump

Presidenti amerikan, Donald Trump ka udhëzuar këshilltarët e tij që të shqyrtojnë mundësinë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të blejnë Groenlandën, territor autonom i Danimarkës. Kështu raportoi "Wall Street Journal", që shton se është e paqartë se sa serioz është Trump në këtë ide dhe sesi mund të realizohet ajo.

“WSJ” thotë se një pjesë e këshilltarëve të Trump e mbështesin këtë ide, ndërsa të tjerë e kanë vlerësuar si të parealizueshme. Një burim i tha “WSJ” se Presidenti amerikan është i interesuar për burimet natyrore që ka Groenlanda, por edhe për trashëgiminë personale që do të linte në historinë e vendit një hap i tillë.

Por, kritikët thonë se nuk bëhet fjalë për një transaksion të thjeshtë “biznesi”, me të cilët Donald është familjarizuar prej kohës. Problemi i parë është se vetë drejtuesit e Groenlandës me popullsi mazhorancë inuite, e që gëzon një autonomi të zgjeruar nga Danimarka kanë qeshur me këtë ide dhe kanë deklaruar se “nuk janë në shitje”.

Problemi i dytë është se për të realizuar këtë ëndërr, Trump duhet të trokasë në derën e Danimarkës, që mbron të drejtën e përfaqësimit ndërkombëtar për politikën e jashtme dhe sigurisë së ishullit të mbuluar nga akulli. Kjo do të ishte hera e tretë që SHBA do të përpiqej zyrtarisht të blinte ishullin. Në dy rastet e mëparshme, njëherë në vitin 1867 dhe më pas në vitin 1946 pas Luftës së Dytë Botërore, oferta është refuzuar paq.

Pengesat bëhen edhe më të mëdha duke njohur mënyrën sesi mund të realizohet një transferim i tillë. Ajo duhet të vijë në formën e një marrëveshjeje mes SHBA dhe Danimarkës. Firmosja e marrëveshjes nga Donald Trump nga njëra anë dhe kryeministri danez nga ana tjetër nuk e bën këtë punë të kryer. Marrëveshja duhet të ratifikohet nga parlamentet përkatëse me shumicë të cilësuar. Në rastin e SHBA vështirë se do të haste pengesa, por në Danimarkë gjasat janë që të rrëzohej në Parlament pa asnjë ngurrim.

Me jeshile vendndodhja ne harte e Groenlandes, e poziconuar ne lindje te Arkipelagut Kanadez te Arktikut. Gazeta Si, 17 gusht 2019

Këto janë pengesat teknike, burokratike dhe ligjore që qëndrojnë para dëshirës së Presidentit amerikan, të cilave do t’u shtohej edhe hapja e një debati ndërkombëtar më shumë moral se sa ligjor, mbi praktikën në fjalë.

Nëse do të realizohej, kjo nuk do të ishte hera e parë që SHBA do të blinin territor nga një shtet tjetër. Në të shkuarën SHBA ka realizuar plot dy të tilla. E para ishte në vitet 1803 -1804, kur bleu Luizianën nga Franca, ndërsa e dyta ishte në vitin 1867 kur bleu Alaskën nga Perandoria Ruse.

Në të dyja rastet kalimi i territorit është bërë përmes marrëveshjes mes dy vendeve dhe ratifikimit të saj në Kongres. Ligjet ruse në atë kohë ja njihnin këtë pushtet carit, ndërkohë që për Luizianën nga Franca vendosi Napoleoni.

Gjeografikisht Groenlanda është më afër SHBA dhe Kanadasë, por për nga kultura dhe historikisht lidhjet e saj i ka patur me Europën. Me sipërfaqen mbi 2.1 milionë kilometër/katrorë, është ishulli më i madh në botë, i banuar nga pak më shumë se 55 mijë banorë.

Pjesa më e madhe e banorëve janë inuitë që janë shpërngulur nga Kanadaja, ndërsa për herë të parë nga vikingët danezë është shkelur pas shekullit të 10-të. Pas kësaj sovraniteti i ishullit kalonte sa në dorë të Norvegjisë, sa në dorë të Danimarkës, deri në vitin 1814, kur i kaloi plotësisht Mbretërisë Daneze.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë