Analize

Sfidat e “Kurti II”. Pandemia, vaksina, drejtësia dhe një rikthim më i fortë ndaj Serbisë

Nga Xhuliana Toci - Një vit më parë, shumë mund të kishin menduar se Albin Kurti preku fundin e tij politikk. Pas vetëm 50 ditëve në detyrë, kreu i Vetëvendosjes u rrëzua nga qeveria, duke u kthyer në opozitë, atje ku edhe e nisi rrugëtimin e tij politik. Megjithatë, ai që u cilësua si fundi i zotit Kurti, nuk ishte asgjë tjetër, veçse një rikthim edhe më i fortë politik, i cili mori këtë të martë detyrën me më shumë vota dhe legjitimet se kurrë.

Kurti premtoi pas miratimit të kabinetit të tij nga parlamenti i Kosovës, se do ta vazhdonte aty ku e la vitin e kaluar, duke cilësuar si përparësi të tijën pandeminë dhe vaksinimin e qytetarëve të Kosovës, vendi i vetëm në Europë që nuk ka siguruar asnjë dozë kundër Covid-19. Një problem po aq i madh sa pandemia sipas ekspertëve janë edhe pasojave të saj dhe rimëkëmbja ekonomike e Kosovës, duke e bërë vaksinimin dhe krizën ekonomike dy sfidat që kërkojnë përgjigje gjatë 100 ditëve të para të qeverisë Kurti II.

Kryeministri e merr detyrën, ndërkohë që Kosova po përballet me valën e tretë dhe është për momentin vendi më i prekshëm nga pandemia në kontinentin Europian. Si kryeministër i sapo ardhur në pushtet, sfida e parë e Kurtit do të jetë sigurimi i vaksinës dhe përgjigja e parë që duhet të japë është nëse do t’i thotë po ofertës së Izraelit për të siguruar vaksina për Kosovën.  Pandemia dhe reformat kanë qenë dy premtime kyçe gjatë fushatës zgjedhore të Kurtit, duke premtuar t’i  trajtojë me prioritet, por me rikthimin në pushtet, Kurti mund të zbulojë se lista e prioriteteve është më e gjatë nga sa kishte menduar.

"Nuk ka dyshim se pandemia mbetet përparësia jonë kryesore. Pa humbur kohë, me ministrin e ri të Shëndetësisë, do të fillojmë një plan për vendosjen nën kontroll të COVID-19, do të vendosim masa të cilat do të ulin numrin e rasteve të reja dhe që çojnë drejt eliminimit të rasteve me vdekje. Brenda vitit synojmë sigurimin e vaksinave për 60 për qind të popullsisë që do të sigurojë imunizim të mjaftueshëm për të filluar gradualisht kalimin në normalitet", tha Kurti duke prezantuar programin e qeverisë së tij nga foltorja e Kuvendit. Megjithatë, sado emergjente të jetë kriza e pandemisë në Kosovë, ekspertët i thonë Gazetës Si se Kurtin e presin një sërë zgjidhjesh dhe krizash të vështira.

Ajo që Kosova mund të ketë më së shumti nevojë pas krizave të njëpasnjëshme politike të vitit të kaluar, mund të jetë stabiliteti politik dhe ndërmarrja e politikave dhe reformave afatgjata. Kurti premtoi të niste menjëherë punën për një reformim të sistemit të drejtësisë dhe shëndetësisë si dhe rritjen e prodhimit bujqësor.

Analisti Ehat Miftaraj i thotë Gazetasi.al se së paku në tre vitet e fundit Kosova është drejtuar në kohën më të madhe me Qeveri në detyre, të cilat kanë funksionuar apo ushtruar kompetenca dhe përgjegjësi të përkohshme, duke mos ndjekur politika afat gjata në procese të ndryshme dhe të rëndësishme si në aspektin e politikave të jashtme ashtu dhe të atyre të brendshme.  

“Në aspektin e brendshëm, qeveria Kurti do të përballet me pasojat e keqqeverisjës në Kosovë, me një situatë të renduar me pandeminë COVID-19, gjendjen e renduar ekonomike dhe sociale, si dhe me kërkesën për sundim të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit”, shprehet analisti Miftaraj.

Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë nga ana tjetër se gjatë 100 ditëve të ardhshme qeveria duhet të kompletojë bordet dhe institucionet, të vendosë parimet se si do të luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni, se si do të punohet në fushën e sundimit të ligjit dhe se si do të pozicionohet në politikën e jashtme.

Dialogu me Serbinë

Por si Shtetet e Bashkuara të Amerikës ashtu edhe Bashkimi Europian e kanë bërë të qartë se duan që qeveria e re të përqendrohet tek marrëveshja me Serbinë dhe rikthimi sa më shpejt në tryezën e bisedimeve. Pa ardhur ende në detyrë, ambasadori Amerikan në Kosovë dhe një sërë zytarësh të lartë, kanë kërkuar që dialogu të jetë në krye të detyravve kryesore të kryeministrit të ri.

Richard Grenell dhe Albin Kurti

“Në planin e jashtëm pa dyshim se Qeveria Kurti do të ballafaqohet me kërkesën e partnerëve strategjik të Kosovës si ShBA dhe BE, për të vazhduar me dialogun Kosovë-Serbi. Deklaratat e Kryeministrit Kurti në këtë proces deri me sot kanë qenë dhe janë trajtuar si të një kandidati potencial për Kryeministër”, i thotë Miftaraj Gazetasi.al. “Por nga sot gjithçka ndryshon.  Kurti është Kryeministër i vendit, dhe qasja e tij në raport me politikën e jashtme sigurisht se do të matet, analizohet dhe shqyrtohet tanimë nga prizmi institucional dhe nëse ato janë në pajtim apo të harmonizuara me kërkesat e partnerëve ndërkombëtar, me theks të veçantë të Administratës Biden dhe BE-së.”

Sipas analistit, ndryshe nga mandati i parë, kur Kurti u përplas ashpër me aleatët në lidhje me bisedimet me Serbinë, publiku pret që kësaj radhe, qasja e tij ndaj bisedimeve me Beogradin të ketë mbështetjen e miqve ndërkombëtare.

Fitorja e Biden u mirëprit me entuziazëm nga Kurti, i cili kishte theksuar vazhdimisht se si administrata Trump po favorizonte Beogradin. Albin Kurti para së gjithash, akuzoi të dërguarin e Trump, Richard Grenell se kontribuoi në largimin e tij. Kur bëhet fjalë për Serbinë dhe Kosovën, qëllimet e administratës së re nuk do të ndryshojnë: normalizimi ekonomik dhe njohja e ndërsjellë.

 Ajo që është "e re" duket se është kthimi në parimin e integritetit territorial. Ndërkohë, dialogu "rifilloi" korrikun e kaluar, me mbështetjen e Gjermanisë dhe Francës dhe një përfaqësuesi të ri special të Bashkimit Europian (BE), Miroslav Lajčák dhe më 4 shtator, u nënshkrua "Marrëveshja e Uashingtonit" e cila u mirëprit nga zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, që do të thotë se ka mbështetjen e administratës së re të zotit Biden. Tanimë, Kurti do të duhet të vendosë se si të pozicionohet ndaj SHBA-së dhe dialogut.

Ai do të formojë një ekip të ri negociues dhe e bëri të qartë nga foltorja e Kuvendit se dialogu do të bazohet mbi parimet e reciprocitetit. Duke gjykuar nga fjalimi në Kuvend, qeveria e Kurtit nuk ka gjasa të tërhiqet nga ky parim, por madje do të forcojë pozicionin e saj duke e çuar Serbinë në Hagë për gjenocid dhe duke kërkuar dëmshpërblim për të gjitha dëmet e luftës.

Ai tha ashtu tha se Kosovës i duhet dialogu “për kthimin e afër 3 miliardë euro të pensioneve të vjedhura nga Serbia; për kthimin e mbi 400 milionë eurove të vjedhura nga keqpërdorimi i energjisë elektrike dhe për adresimin e dëmeve të luftës. “Ne e kemi shpallur  dy herë pavarësinë nga Serbia, tani ka ardhur koha qw Serbia të shpallë pavarësinë nga ne”, tha Kurti.

Kurti ra nga pushteti për herë të parë sepse ishte një pengesë për marrëveshjen e parashtruar nga Uashingtoni. BE, gjatë gjithë kohës që dialogu ishte në krizë, nuk ishte e sigurt se çfarë lëvizje të bënte dhe mbeti e heshtur edhe kur Kurti deklaroi se si do të rishikohen të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut të Brukselit.

Në fushatë, ai përjashtoi mundësinë e një marrëveshje të shpejtë. Këtë herë, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë qëndrim edhe më të ashpër ndaj Serbisë, duke rrezikuar të çojë kështu drejt një tjetër përplasje me Uashingtonin.

Zgjedhja e presidentit

Kurtit mund të mos i duhet të bëjë një listë prioritetesh nëse kalon një tjetër sfidë të menjëhershme të qeverisë së tij: zgjedhjen e presidentit. Sipas ekspertëve, zgjedhja ose jo e kandidates së propozuar nga Lëvizja Vetevendosje,  aleates së tij Vjosa Osmani, do të përcaktojnë nëse qeveria e re do të vazhdojë punën apo vendi do të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Ajo ka qenë ushtruese e detyrës së presidentit që nga dorëheqja e Hashim Thaçit, në fillim të muajit nëntor të vitit 2020 e deri më 22 mars të vitit 2021, kur kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka marrë edhe postin e ushtruesit të detyrës së presidentit.

Krasniqi thotë se çështja e zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës, kërkon dy të tretat e votave të 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe se për momentin Kurti nuk i ka siguruar ende  “Pra, nëse nuk tejkalohet zgjedhja e presidentit, vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Kjo është një sfidë, me të cilën kjo qeveri do të përballet menjëherë”, tha Jeta Krasniqi.

Sipas saj, në rast se nuk do të ketë ndërhyrje nga faktori ndërkombëtar, atëherë Kosova do të hyjë në krizë politike dhe institucionale, sepse, sipas saj nuk ka gjasa që zgjedhja e presidentit të jetë rezultat i bashkëpunimit mes opozitës dhe qeverisë.

“Subjektet politike, sot opozitare, nuk u treguan të gatshme që ta votojnë Qeverinë Kurti. Në anën tjetër, zoti Kurti ishte paksa arrogant në bisedimet e para për presidentin me forcat e tjera politike. Në këtë kuptim, unë nuk shoh ndonjë zgjidhje pasi Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të fitonte shumë, në rast se do ta votonte zonjën Osmani. Por, edhe në rastin tjetër, nëse do të shkohet në zgjedhje, do të ishte LDK-ja fajtorja, për çuarjen e vendit në zgjedhje”, thekson ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë