Ekonomi

Edhe BSH kërkon që koncesionet të futen si borxh në buxhet

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko gjatë komenteve të tij për Projektbuxhetin e vitit 2019 në Komisionin Kuvendor të Ekonomisë ka kërkuar vëmendjen e qeverisë në lidhje me koncesionet përmes Partneritetit Publik Privat dhe reduktimin e deficitit të skemës së pensioneve dhe skemave të ngjashme.

“Vlerësimi i rrezikut që vjen nga programet e partneritetit publik-privat, apo ndryshe PPP-të, sugjeron se shmangiet nga kërkesat e ligjit për pagesat vjetore të PPP-ve deri në nivelin 5% të të ardhurave tatimore të vitit paraardhës, do të përballohen nëpërmjet rritjes së të ardhurave. Banka e Shqipërisë gjykon se, përtej këtij mekanizmi rregullues në funksion të respektimit të tavanit ligjor, rritja e mundshme e deficitit buxhetor duhet të shmanget nëpërmjet reduktimit të shpenzimeve buxhetore. Për më tepër, ky reduktim duhet të targetojë – në maksimumin e mundshëm – sektorët buxhetorë, të cilët i prodhojnë këto shmangie.:- ka thënë guvernatori Sejko.

Sipas tij kjo i shërben ruajtjes së ekuilibrit buxhetor dhe shpërndarjes së drejtë ndërsektoriale të fondeve. Gjithashtu, Sejko ka theksuar se Banka e Shqipërisë sugjeron pasqyrimin e PPP-ve në treguesit e borxhit.

Në lidhje me defiçition e e skemave të sigurimeve shoqërore, sigurimeve shëndetësore dhe sigurimeve të tjera sociale, Banka e Shqipërisë gjykon se duhen parë hapësirat për reduktimin e mëtejshëm të deficitit të tyre strukturor.    

Defiçiti vlerësohet rreth 4.6% e PBB-së, ose 2.6 herë më i lartë se deficiti i përgjithshëm buxhetor. Sipas Sejkos, e parë më në detaje, deficiti i skemës së sigurimeve shoqërore, apo ndryshe skema e pensioneve, pritet të jetë rreth 1.5% e PBB-së, brenda parashikimeve të bëra në reformën e këtij sistemi dhe në një trajektore rënëse. Nga ana tjetër, deficiti i skemave të tjera paraqitet më i qëndrueshëm.

Sejko ka sugjeruar gjithashtu shfrytëzimin më të plotë të kapaciteteve prodhuese të ekonomisë dhe lehtësimin e barrës së konsolidimit fiskal. “Banka e Shqipërisë sugjeron që, në përputhje me shkallën dhe ritmin e përmirësimit të ekonomisë, të merret në konsideratë mundësia e shpejtimit të ritmit të konsolidimit fiskal në afatin e mesëm. Ky përshpejtim do të shërbente për të akomoduar rritjen e pritur të kostos së shërbimit të borxhit në afatin e mesëm, si dhe do të rriste hapësirat për përballimin e goditjeve të mundshme negative në afatin e mesëm e të gjatë.”- ka thënë Sejko.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë