Ka ndodhur

Dita e 17-të e protestës, të rinjtë i drejtohen komisioneres së BE: U bë Narta kos! (foto)

Nga Gazeta ‘Si’- Protesta qytetare kundër investimit në Zvërnec të Vlorës, sot shënoi ditën e 17-ë.

Me pankarta në duar dhe me thirrje kundër klasës aktuale politike, qytetarët kërkuan largimin e qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Në protestë u pa një prani edhe e turistëve të huaj, nga Australia, Zvicra dhe Mbretëria e Bashkuar, të cilët mbanin me vete simbole kombëtare shqiptare dhe simbole të flamingove.

Bëhet me dije se nga e mërkura, grumbullimi do të nisë në orën 19:00 dhe jo më në 18:00, për shkak të temperaturave të larta.

Pas tubimit, protestuesit vijuan marshimin paqësor nëpër rrugët kryesore të kryeqytetit.

Mikrofoni sot iu la të rinjve dhe studentëve për fjalimet e tyre, të cilët iu drejtuan kryesisht komisioneres së BE për Zgjerimin, Marta Kos, pas deklaratës së saj se shteti shqiptar ka dhënë garanci për investimet.

“Sot morëm vesh që qenka bërë Narta kos dhe këtë e tha Marta Kos. Rama, Marta Kos, nuk pijnë më ujë garancitë këtu! Anuloni ligjin!”, tha një biolog mjedisi.

Pasi përshkuan Bulevardin, protestuesit mësynë masivisht brenda hapësirës së madhe të “Fan Zone”, të ngritur për ndeshjet e Kampionatit Botëror.

Qëndresa qytetare ka hyrë tashmë në javën e tretë, me organizatorët dhe pjesëmarrësit që shprehen të vendosur të vazhdojnë protestat deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.

Ata e konsiderojnë këtë lëvizje si një reagim ndaj situatës politike dhe ekonomike në vend, duke theksuar se nuk do të tërhiqen nga presioni publik.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë