Politike

Sejdini-Dako, dy të akuzuarit e pushtetit vendor që Rama i mënjanoi

Në qendër të Kongresit të socialistëve ishte konfirmimi i Erion Veliajt si kandidat për një mandat të dytë në krye të Bashkisë së Tiranës, ndërsa dy emra që qeverisën për tre mandate radhazi dy prej bashkive më të mëdha të vendit u lanë në hije.

Qazim Sejdini nuk do të jetë më emri i socialistëve në zgjedhjet e 30 qershorit, e po ashtu mbetet vetëm zyrtarizimi i emrit të ri me të cilin PS do të kërkojë mandatin e katërt në Bashkinë e Durrësit si pasues të Vangjush Dakos.

Si Dako, ashtu edhe Sejdini hynë për herë të parë në bashkitë respektive në pranverën e 2007 dhe e ruajtën karrigen e tyre në 2011, por edhe në 2015 me një territor akoma më të zgjeruar. 12 vite në pushtet i shndërruan në sinonim të qyteteve që drejtonin. Si elbasanasve ashtu edhe durrsakëve u është venitur koha kur në krye të bashkive të tyre ishin emra të tjerë.

Por, më shumë se për zhvillimet që u dhanë qyteteve, dy kryebashkiakët do të mbahen mend për akuzat e dyshimet që kanë vërshuar vazhdimisht ndaj tyre.

“Lala”, ose Qazim Sejdini

Qazim Sejdini është kryetari i 22-të i Bashkisë së Elbasanit. Ai u zgjodh në mars të vitit 2007 dhe bëri betimin në maj të po atij viti. Në vitin 1978 ndoqi studimet për Histori-Gjeografi në Universitetin e Elbasanit dhe në 1987 në Institutin e Edukimit Fizik në Tiranë.

Pas viteve ’90 është aktivizuar mes dhomave të tregtisë dhe shoqatës së doganierëve, ndërsa nga 2002 deri në 2005 mbajti postin e Prefektit të Elbasanit. Në 2007 u zgjodh kryebashkiak i Elbasanit duke mposhtur në këtë garë Ardian Turkun e PD-së.

Para 2011, Qazim Sejdini shfaqej si një kryebashkiak i moderuar dhe ishte ndër të paktët kryetarë bashkish socialiste që priste e përcillte Kryeministrin e asaj kohe, Sali Berisha kur ky i fundit vizitonte qytetin.

Imazhet e Qazim Sejdinit në krah të Berishës, sidomos gjatë festimeve të Ditës së Verës para 2011 shkaktuan qarkullimin me shpejtësi të lajmit se Edi Rama nuk do ta kandidonte më në zgjedhjet e atij viti.

Qazim Sejdini jo vetëm që u kandidua sërish, por arriti që të fitojë mandatin e dytë, ndërsa Edi Rama humbiste në ato zgjedhje përballë Lulzim Bashës në Tiranë në një proces të kontestuar fort për mënyrën sesi u interpretuan votat e hedhura në kutinë e gabuar.

Në 2013, Rama vjen në pushtet. Mes investimeve të para përmes programit të ashtuquajtur “Rilindja Urbane” nisi investimet në qytetin e Elbasanit, ku më i madhi ishte ndërtimi i stadiumit “Elbasan Arena”.

Në 2015, Sejdini kërkonte mandatin e tretë. Në këtë periudhë do të qarkullonte në media një bashkëbisedim i tij me gazetarët, ku kërcënon drejtpërdrejtë këta të fundit duke nënkuptuar që të bëjnë kujdes me komentet e lajmet që raportojnë, sepse ato mund të bien ndesh me interesat e pronarëve dhe për rrjedhojë t’u rrezikojnë vendin e punës.

https://youtu.be/TTaVuxIK7rw

“Pronari me pushtetin është i lidhur pazgjidhshmërisht, s’ka ku ta çojë topin. Në kohën që i prishni interesat pronarit, rruga e parë është të bjerë mbi ju, të bjerë mbi ju. Kështu që e doni, a s’e doni atë që keni përballë, jeni të detyruar të ndiqni interesat e pronarit. Ai është e detyruar t’ju përzejë juve dhe të mbyllë televizionin”, ka thënë Sejdini në videon e publikuar.

Ish-Kryeministri Sali Berisha e interpretonte këtë sipas mënyrës së tij në rrjetet sociale. Ai e cilëson Qazim Sejdinin si “Kumbar të Elbasanit”, ndërsa vetë kryebashkiaku deklaronte se fjalët e tij ishin nxjerrë nga konteksti. Pavarësisht akuzave, Sejdini arriti që të marrë mandatin e tretë, por jo të sheshojë e sqarojë akuzat, përkundrazi. “Lala”, nofka me të cilin e njihte përgjithësisht qyteti i Elbasanit u përhap në të gjithë vendin dhe ajo do të përforcohej edhe nga opozita, që e akuzonte kryebashkiakun e Elbasanit se përmes dhëndërrit të tij, Sokol Sanxhaktari drejtonte një grup të trafikut të drogës në Elbasan, që po rivalizonte me grupin Çapja.

Produkt i kësaj përplasjeje, opozita hamendësonte edhe masakrën e ndodhur në shkurt të 2016 në qytetin e Elbasanit, ku 3 pjesëtarë të fisit Çapja mbetën të vrarë pas një atentati mafioz.

Vetë Sokol Sanxhaktari është arrestuar disa herë, por ja ka dalë mbanë që të rifitojë lirinë duke i shpëtuar drejtësisë me dënime qesharake, ose me mbyllje hetimesh, pasi viktimat tërhiqeshin nga denoncimet e bëra fillimisht.

Akuzat e opozitës nuk janë provuar asnjëherë, por dëmi në imazhin e tij u bë, ndaj një vendim vullnetar apo i sforcuar, në janar të këtij viti, Qazim Sejdini njoftoi tërheqjen nga gara për një mandat të katërt në krye të Elbasanit.

Vangjush Dako, ose “Gjush Betoni”

Vangjush Dako, i lindur në Durrës më 29 nëntor 1966, u zgjodh kryetar i Bashkisë së Durrësit për një mandat në 2007. Studimet e larta i kreu në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në Universitetin e Tiranës.

Pas 1990 ka qenë i angazhuar për thuajse 10 vite në sipërmarrje private deri kur pas hyrjes në politikë ka mbajtur postin e Kryeinspektorit të Inspektoriatit Ndërtimor të Qarkut Durrës dhe atë të Drejtorit të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për Qarkun Durrës.

Kreu i Bashkise se Durresit, Vangjush Dako

Në 12 vitet e qeverisjes së tij në Durrës janë shumëfishuar ndërtesat shumëkatëshe, madje edhe në zona fare pranë detit, çka nga kritikët bëri që të pagëzohej me emrin “Gjush Betoni”. Nofka iu vendos edhe për shkak të akuzave e dyshimeve se pas dhjetra lejeve të ndërtimit që jepeshin, qëndronte vetë kryebashkiaku i Durrësit.

Mes projekteve më të qortuara është një shumëkatësh të Shkëmbi i Kavajës, shtesa e të cilit në 2017 u shemb për shkak të materialit të dobët. Ndërtesa gjigante është ndërtuar vetëm pak metra larg bregut të detit.

Por jo vetëm kjo. Një tjetër projekt është ai i ndërtimit të Velierës, themelet e së cilës u bënë shkak për zbulimin e disa rrënojave që nga arkeologët dhe shoqëria civile u cilësuan si të periudhës romake. Përplasja përfundoi në gjyq dhe në përfundim të tij fitoi projekti i Bashkisë së drejtuar nga Vangjush Dako përballë zbulimit të rrënojave antike.

Pavarësisht akuzave ai ja doli mbanë që të fitonte edhe në 2015. Në dhjetor të 2016, lirohet nga burgu një nga emrat më të përfolur të botës shqiptare të krimit. Lulzim Berisha, i dënuar me 25 vite burgim edhe për akuzën e vrasjes.

Vendimi ishte i Gjykatës së Durrësit që citonte arsyet shëndetësore të ish-kreut të bandës famëkeqe të qytetit. Por, roli i Bashkisë së drejtuar nga Vangjush Dako kishte qenë më shumë se plotësues në këtë vendim, që u bë shkas të citohej si arsye për reformën në drejtësi edhe nga ish-ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu.

Lirimi u vulos më 5 dhjetor 2016 nga Gjykata e Apelit, pas një serie vendimesh të diskutueshme gjyqësore për ulje dënimi, raporteve që e përshkruajnë atë si “të dënuar shembullor” dhe një garanci për punësim të ofruar nga kryebashkiaku Vangjush Dako.

Lulzim Berisha, i denuar me 25 vite burg per vrasje

Në vendimin e Gjykatës së Apelit të Durrësit trupa gjyqësore e kryesuar nga Arben Vrioni dhe me anëtarë Petrit Çenon dhe Anita Micin rendit nëntë argumente në favor të lirimit të Lulzim Berishës, ku më kryesori është kushti i kryerjes së tre të katërtave të dënimit, sipas përcaktimit të Kodit Penal.

Përveç të gjitha këtyre elementeve, Lulzim Berisha ka bindur Gjykatën e Apelit të Durrësit se “është arritur qëllimi për edukimin dhe riintegrimin e tij në shoqëri përmes punës vullnetare në komunitet në Bashkinë e Durrësit”.

Vetë Dako mohoi akuzat se kishte ndikuar tërthorazi në lirimin e Lulzim Berishës.

“Bashkia e Durrësit ka plotësuar procedura standarde dhe këto procedura kryhen për çdo të dënuar. Institucioni që unë drejtoj nuk ka bërë asnjë kompromis, pasi kjo është një referencë standarde si për të gjithë të dënuarit. Lulzim Berisha ka kërkuar që të punojë vullnetarisht”, kundërpërgjigjej ai.

Në 2017 Vangjush Dako përfshihet në fushatën e partisë për zgjedhjet qendrore. Pikërisht në këtë periudhë regjistrohet nga prokuroria në biseda telefonike me anëtarë të grupit të dyshuar kriminal të Shijakut.

Përgjimet, sipas Partisë Demokratike provojnë blerjen e votave dhe aleancën e qeverisë socialiste me krimin për manipulimin e zgjedhjeve. Vetë Dako nuk mohoi komunikimin me ta, por u justifikua se “fliste shumë në telefon me qytetarët e Durrësit, sidomos në fushatë elektorale”.

Justifikimi i tij nuk ka bindur Partinë Demokratike, që zbardhjen e dosjes 339 në një nga shtyllat e protestës së saj sot, por duket se nuk ka bindur as Edi Ramën. Kandidati për Bashkinë e Durrësit për socialistët nuk është zyrtarizuar ende, por nga qëndrimi larg podiumit dhe larg njerëzve të afërt të Edi Ramës në Kongres merret si i mirëqenë fakti që ai emër nuk do të jetë më Vangjush Dako.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë