Ne rrjet

Sarkozi në autobiografinë e tij: Unë dhe Merkel i kërkuam Silvio Berluskonit të japë dorëheqjen

Gazeta Si - Kanë, 3 nëntor 2011, samiti i G20. Nicolas Sarkozi dhe Angela Merkel po përpiqen të bindin Silvio Berluskonin "të largohet nga udhëheqja e qeverisë" italiane.

Gjë që do të ndodhë më pas, disa ditë më vonë, më 12 nëntor. Sarkozi e kishte rrëfyer tashmë këtë hap vendimtar.

Por jo në këto terma dhe me detajet e marra në librin e tij, "Le temps des combats", (“Koha e Betejave”), që del këtë të martë në Francë, nga botuesi “Frayard”.

Ish-presidenti thotë se është "i pikëlluar nga vdekja e Berluskonit", më pas rindërton ngjarjet, duke filluar nga 26 prilli 2011, kur ai mbërrin në Romë për një marrëveshje dypalëshe franko-italiane.

Me atë rast, gjykimet për Berluskonin dhe Mario Draghin janë të përziera.

Sarkozy shkruan: “Marrëdhëniet tona kishin filluar të përkeqësoheshin. Berluskoni po bëhej një karikaturë e vetvetes. Sipërmarrësi brilant, politikani me energji të paepur, nuk ishte veçse një kujtim i largët. Episodi i trishtë i ‘Bunga-Bungës’ kishte paralajmëruar një fund të palavdishëm... Përfitova nga ai udhëtim në Romë për të mbështetur kandidaturën e Mario Draghit për presidentin e Bankës Qendrore Europiane... Draghi ishte kompetent, i hapur dhe i pëlqyeshëm. Bashkëpunimi i tij i gjatë me ‘Goldman Sachs’ do të na kishte garantuar një qasje më ‘amerikane’ sesa ‘gjermane’. Një aspekt vendimtar në sytë e mi”.

Sarkozi kujton krizën vdekjeprurëse financiare, të nxitur nga mosbesimi ndaj bursave.

Alarmi në Evropë ishte i përgjithshëm. Në këtë klimë mbërrijmë në nëntor, në G20 në Kanë. Edhe presidenti amerikan Barack Obama dhe udhëheqësi kinez Hu Jintao "ishin shumë të shqetësuar".

Samiti kishte trajtuar kolapsin grek, por, vëren Sarkozi, "në këtë pikë ishte një çështje për të shpëtuar ekonominë e tretë më të madhe në eurozonë: Italinë".

Normat e interesit të borxhit publik kishin arritur në 6.4%, një nivel i konsideruar i paqëndrueshëm.

"Angela Merkel dhe unë vendosëm të thërrisnim Berluskonin për ta bindur atë të ndërmarrë hapa të mëtejshëm për të provuar të qetësojë stuhinë në vazhdim".

Kryeministri italian, “filloi të shpjegonte se ne nuk e kishim kuptuar që nuk kishte rreziqe në tregjet ndërkombëtare, sepse borxhi publik italian ishte në duart e italianëve. Ai donte të krijonte më shumë borxhe që ta mbanin mbi supe vetëm bashkatdhetarët e tij. E gjitha kjo ishte mjaft delirante”.

Takimi u bë gjithnjë e më i hidhur, pavarësisht se Berluskoni u përpoq të lehtësonte atmosferën "me disa shaka të tijat", të cilat Sarkozi i gjykoi "krejt të pavend".

Epilogu dramatik: “Kishte një moment tensioni të madh mes nesh, kur më duhej t'i shpjegoja se ai ishte problemi me Italinë! Unë dhe Angela ishim të bindur se ishte bërë primi i rrezikut që vendi duhej t'u paguante zotëruesve të bonove të thesarit. Menduam sinqerisht se situata do të ishte më pak dramatike pa të dhe qëndrimin e tij patetik... Situata ishte e rëndë. Ne duhej të sakrifikonim Papandreun (kryeministër i Greqisë në atë kohë) dhe Berluskonin për të frenuar cunamin... Tregjet e kuptuan se ne donim dorëheqjen e Berluskonit. Ishte mizore, por e nevojshme”.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë