Mendim

Samiti i Berlinit, Serbia e patrazuar dhe Kosova që po i heqin ‘vizën’

Kryeministri Edi Rama nuk e takoi veçmas Albin Kurtin në Samitin e Proçesit të Berlinit.

Albin Kurti erdhi në Tiranë duke u përshëndetur ftohtë me Ramën dhe iku me një mesazh po për të, se Serbia nuk duhet trajtuar njësoj pas asaj që ndodhi në Banjskë të Zveçanit

Konflikti Serbi-Kosovë nuk ishte pjesë e axhendës së Samitit të Berlinit është pse zgjerimi i BE-së nuk mund të vijë pa u zgjidhur ai debat    

Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen foli shkurt për Serbinë nëse duhej dënuar pas ngjarjes së rëndë më 24 shtator në veri të Kosovës. Sipas saj, BE-ja pret hetimet.

Dhe vetëm ku ato (hetimet) të mbarojnë (pa afat) BE do të dalë me një qëndrim.  

Presidenti i Francës Emmanuel Macron u pyet gjithashtu për të njëjtën çështje.  

Macron e fokusoi mendjen tek Kosova duke i kujtuar pikën e saj të dobët procesin e liberalizimit të vizave për të cilën edhe në një reagim të dytë nga zyra e tij e shtypit sqaroi se çështja mbetej e hapur.

Macron foli gjatë për aktin e fundit terrorist në Bruksel por e përmblodhi me një fjalë ”e dënueshme” ngjarjen paralele të ndodhur në veri të Kosovës ku u vra një polic shqiptar.

Edhe kryeministri Edi Rama u shpërfaq i “rrënqethur” nga ideja se liberalizimi i vizave me Kosovën mund të stoponte duke i kujtuar Kosovës sërish se atë e pret misioni historik; të pranojë planin franko-gjerman.

Të gjithë me detyra për Kosovën, ndërsa Serbia e patrazuar.

Nuk u trazua as Kryeministrja e Serbisë gjatë vizitës në Tiranë (ku i ruhej edhe karrigia ku do ulej) e as Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç me vizitën e tij në Kinë

Kur Ursula von der Leyen u pyet se a kishte koment nëse Vuçiç e kishte bërë zgjedhjen e tij duke shkuar në Kinë dhe jo në Tiranë krah liderëve europian, ajo heshti për të kaluar diplomatikisht tek mesazhi ‘alla europian’ se ata nuk janë gati të flasin për Serbinë.

Por për Kosovën po. Madje më ashpër. Qëndrimi i Macron për vizat e tregoi këtë. Jo një, por dy here madje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë