Politike

Ambasada e Francës në Kosovë sqaron deklaratën e Macron: S’ka kërkuar pezullim të vizave

Ambasada e Francës në Kosovë ka sqaruar deklaratën në Tiranë të Presidentit francez, Emanule Macron në lidhje me liberalizimine vizave për Kosovën.

Në një përgjigje për mediat, ambasada e Francës në Kosovë ka thënë se theksi i deklaratës së Macron ka qenë më shumë kërkimi i përgjegjësisë nga Vuçiçi për aktet e 24 shtatorit.

“Gjatë konferencës për media me Kryeministrin shqiptar, Edi Rama, Presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron, theksoi nevojën që të dyja palët të dëshmojnë një frymë përgjegjësie. Ai nënvizoi qartë pritshmëritë e tij nga presidenti serb Vuçiç: të dënojë me vendosmërinë më të madhe aktet e 24 shtatorit dhe të ndihmojë në rivendosjen e qetësisë në kufi”.

Franca kërkon zbardhjen e plotë të sulmit terrorist në Banjskë.

“Ne dëshirojmë që të ndriçohet në tërësi sulmi i 24 shtatorit dhe autorët e tij të dalin para drejtësisë”.

Sipas ambasadës franceze, nga Macron, Kosovës i është kërkuar angazhimi për ripërsëritjen e zgjedhjeve në komunat e veriut.

“Ai kërkoi nga të dyja palët që të angazhohen për riorganizimin e zgjedhjeve në veri të Kosovës, me pjesëmarrjen e serbëve dhe kthimin e tyre në institucionet kosovare”.

Ambasada franceze më tej thotë se Macron nuk përmendi anulimin e vizave.

“Ai bëri thirrje për një frymë përgjegjësie të presidentit serb Vuçiç, dhe të njëjtat pritshmëri i kishte edhe nga presidentja dhe kryeministri kosovar. Pikërisht në këtë kontekst, ai përmendi edhe çështjen e liberalizimit të vizave, e cila ishte një gjest mirëbesimi, por që në këtë periudhë nuk ishte reciproke. Prandaj, ai pret që autoritetet kosovare, sikurse edhe autoritetet serbe, të respektojnë fjalën e dhënë dhe të riangazhohen për të ecur përpara në javët e ardhshme”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës franceze për mediat në Prishtinë.

Gjatë vizitës në 17 tetor në Tiranë, Macron deklaroi se

"Ju kemi besuar për çështjen e vizave, çështja është pezulluar nga ana e Francës sepse ka të bëjë me respektin e fjalës së dhënë dhe fjala e dhënë nuk po mbahet, pres që të angazhohen të dyja palët dhe që të ecim përpara në javët e ardhshme është kushti i paqes në të gjithë zonën...”, tha Macron

Edhe Rama i pyetur nëse e kishte takuar kryeministrin Albin Kurti veças gjatë samitit u përgjigj për temën e vizave kur tha se, “i rrëqethet mishi kur mendon që mund të ketë rindalesë në liberalizimin e vizave”.

“Mua më rrënqethet mishi kur mendoj që mund të ketë rindalesë në procesin e liberalizimit të vizave, në anën tjetër, nuk duhet të rrimë, ta kërkojmë të presidenti i Francës, duhet ta kërkojmë të vetja, ta bëjmë ne, ta bëjë Kosova paqen, pjesën e vet, t’ia lë Serbinë në dorë BE-së e ShBA-së që të merren me të” – u shpreh ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë