Politike

Sa peshë ka një koalicion? PS do humbte 436 mijë vota në zgjedhje

Partia Socialiste disa ditë më parë shpalli se do të krijojë një koalicion me 25 parti politike për zgjedhjet lokale të 2019. Ndryshe nga zgjedhjet parlamentar të 2017-ës, ku as PD dhe PS nuk dolën në koalicion zgjedhor, për shkak të situatës politike apo dhe taktikave elektorale, në votimet e 30 qershorit do të ketë një përballje jo vetëm mes partive, por edhe përballë koalicioneve politike. Ndërsa PD-ja ka shpallur një koalicion politik me partitë kryesore si LSI, PDIU, PDK, LZHK dhe PR, socialistët shpallën një koalicion me parti të shumta në numër, por për sa i përket numrit të votave ato janë të pakta.


Shifrat e 2015-ës dhe humbja e madhe votave
Pjesa më e madhe e partive të koalicionit parazgjedhor me 25 subjekte i shpallur nga PS-ja kanë qenë edhe në koalicionin “Aleanca për Shqipërinë Europiane” në zgjedhjet lokale të 2015, i përbërë me 52 subjekte politike që mori 991.609 vota. Ndërsa ka parti të tjera që përfshihen në këtë koalicion si Partia Socialdemokrate e Skënder Gjinushit që rezultoi me 22.230 vota, apo MEGA, parti e minoritetit me 3.144 vota, të cilat konkurruan më vete në 2015-ën. PSD së bashku me PDS e Paskal Milon, Partia Socialiste e Vërtetë si dhe PSV91 të Petro Koçit janë aleatët më shumë vota të socialistëve, që shkojnë nga 15 mijë deri në 20 mijë vota.


Partia e katërt më e madhe në aleancë me PS-në është Aleanca Demokratike me 11 mijë vota, Partia e Gjelbër dhe Partia Unitetit Kombëtar me nga 10 mijë vota. Të gjitha partitë e tjera që kanë firmosur për të qenë pjesë e koalicionit me PS-në kanë marrë më pak se 10 mijë vota. Partia me më pak vota është Partia Fronti i Majtë me 700 vota dhe Partia Komuniste – 8 Nëntori me 969 vota.

Kështu në total të 25 partitë aleate të PS-së në zgjedhjet e shkuara vendore, morën 184 mijë vota për këshilltarë, e cila në zgjedhjet vendore është edhe vota për partinë. Ndërkohë që PS në ato zgjedhje mori rreth 403 mijë vota si forcë dhe në total bashkë me aleatët e rinj ajo ka vetëm 587 mijë vota.

Votat e LSI dhe PDIU

Katër vite më parë PS kishte në koalicion LSI-në që mori rreth 260 mijë vota, PDIU me rreth 60 mijë vota, Fryma e Re Demokratike me 30 mijë vota, PDK-në e Nard Ndokës. Gjithsej PS-ja nga ikja e 16 partive, në koalicion me opozitën apo që kanë vendosur të garojnë të vetëm në zgjedhje, humbet mbi 435 mijë vota.
Kështu nëse në zgjedhjet e 2019 për pushtetin vendor dalin me shifrat e katër viteve më parë, mbi bazën e llogaritjeve të votave të rezultatit për këshilltarët (subjektet politike), PS-ja dhe koalicioni i saj do të dilte i humbur dhe fitues (të paktën sipas numrave) do të dilte PD-ja, e cila në vitin 2015 me koalicionin e saj “Aleanca Popullore për Punë Dinjitet” me 15 parti mori rreth 508 mijë vota. Ndërsa vetë si subjekt PD-ja mori për këshillin bashkiak rreth 318 mijë vota. Mbi bazën e rezultatit të vitit 2015, PD-së i mjaftojnë vetëm votat e aleatëve të saj si LSI, PDIU, PDK apo dhe PBDNJ për të përmbysur rezultatin përballë koalicionit të PS-në, duke bërë që kandidatët e opozitës të ishin fitues më 30 qershor.


Në zgjedhjet lokale duhet theksuar se peshë ka vota për kandidatin për kryetar bashkie, por në shumë raste partitë aleate kanë treguar se nuk kanë votuar ndaj njeriut që propozohet, kjo ka bërë që ai të ketë më pak vota se koalicioni, por ka raste kur ka rezultuar e kundërta.
Ligji zgjedhor në Shqipëri favorizon koalicionet politike, duke i dhënë skemën e De Hontit, ku partia kryesore e koalicionit mbledh votat e aleatëve, duke marrë vendet në Parlament, apo ato në Këshillin Bashkiak. Sistemi shihet në mënyrë figurative si një shportë, sa më shumë parti të kesh në një koalicion aq më shumë vota që përkthehen në mandate përfiton.

Rezultatet e votave në zgjedhjet vendore 2015
Koalicioni i Majtë
PS+aleatët- 991.909 vota
PS e vetme -402.709 vota
Koalicioni i djathtë
PD me aleatët- 507.285 vota
PD e vetme-317.620 vota

Partitë që largohen nga koalicioni i 2015 me PS-në
LSI – 259934 vota
PDIU – 59701 vota
FRD – 29984 vota
PDK – 20271 vota
Aleanca Arbnore – 12647 vota
PLD – 8607 vota
PRRL – 3919 vota
PFR – 5947 vota
PSHA – 5162 vota
PLDN – 3990 vota
PEI – 3759 vota
PBMSH – 2676 vota
PADSH – 7953 vota
PPAK – 7132 vota
PKSH – 4077 vota
Në total – 435822 vota

Votat që kanë marrë në 2015 partitë në koalicion me PS
PS – 402709 vota
PSD – 22320 vota
PDS – 20271 vota
PSV – 17465 vota
PSM – 15355 vota
PAD – 11392 vota
PGJ – 10221 vota
PUK – 10078 vota
ADS – 9008 vota
PASH 7314 vota
PMDE – 4813 vota
PSP – 4622 vota
PRD – 3957 vota
PDM – 3443 vota
ABDE – 3271 vota
PPSH - 2795 vota
PK – 8 Nëntori – 969 vota
PKD – 9424 vota
PÇSH – 2463 vota
PDRE – 5521 vota
PLDSH – 4664 vota
PAP – 1712 vota
PFM – 717 vota
Në total koalicioni – 587038 vota


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë