Politike

Beteja për Tiranën-Votat që rrezikojnë kryebashkiakun Veliaj

Nga Bledar Hoti-Largimet e partive Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet nga kampi i majtë në të atë të djathtë kanë dhuruar një panoramë të re të raportit të votave mes mazhorancës dhe opozitës.

Këto raporte dhe matje forcash bëhen akoma më të rëndësishme, pasi jemi në prag të zgjedhjeve të reja për pushtetin vendor, ku vëmendja më e madhe është e përqendruar në kryeqytetin shqiptar.

Erion Veliaj, kryebashkiaku aktual i Tiranës do të jetë sërish kandidati i Partisë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme dhe tashmë pret i "qetë" emrin e rivalit nga e djathta, e cila ka shtuar ndjeshëm aleatët e koalicionit që kanë peshë jo të vogël  në elektoratin shqiptar si LSI dhe PDIU.

Por sa ndikim do të kenë në zgjedhjet e ardhshme kjo zhvendosje e dy partive nga e majta tek e djathta në betejën e ardhshme zgjedhore,ku më e ashpra pritet të jetë ajo për metropolin shqiptar?

Partia Socialiste në zgjedhjet lokale të katër viteve më parë kandidoi në një koalicion me 35 parti, ku pjesë e saj ishin edhe LSI dhe PDIU. Koalicioni i majtë Aleanca për Shqipërinë Europiane, ASE mori 196,163 vota, ndërsa koaliconi i djathtë i drejtuar nga PD në siglën Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet me 21 pari mori 89,654 vota.

Halim Kosova, kandidati i PD, per Bashkine e Tiranes and Kryetari i PD, Lulzim Basha, gjate nje takimi me te rinj te kryeqytetit, ku kane marre mbeshtetjen e tyre per zgjedhjet vendore te 21 qershorit. 

LSI-ja mori në këto zgjedhje 54,292 vota, ndërsa PDIU 11,708 vota. Së bashku këto dy parti rezultojnë me 66 mijë vota.  Nëse këto vota i zbriten, koalicioni i majtë rezulton me 130.163 vota, ndërsa koalicioni i PD-së shkon në 155.654 vota. Pra panorama me këtë llogaritje na jep një përmbysje të raportit të votave, që ndikon dukshëm në rezultat.

Nëse këto vota rezultojnë të pandryshuara edhe në zgjedhjet e pritshme fitues do të ishte koalicioni i djathtë për këshillin bashkiak të Tiranës.

Votat për kandidatët

Në zgjedhjet vendore të vitit 2015, kandidati i së majtës, ai fitues, Erion Veliaj mori 160.125 vota, që rezultojnë 30 mijë vota më pak se koaliconi i majtë. Ndërsa kandidati i djathtë, Halim Kosova mori 116.628  vota, rreth 27 mijë vota më shumë se koalicioni. Partia Socialiste si subjekt politik mori 108,290 vota. Mbi bazën e kësaj llogarie, Veliaj mund të ketë fituar votat e tjera nga aleatët e saj, ku LSI-ja dhe PDIU kanë në bllok 66 mijë vota. Nëse këto vota do të ishin në kampin e djathtë, atëhere, kandidati i opozitës do të shpallej fitues. Veliaj do të rezulonte me rreth 94 mijë vota, ndërsa kandidati i djathtë Halimi me rreth 175 mijë vota. Kjo do të sillte një fitore me një diferencë të konsiderueshme të votave.

Vlen të përmendet se Veliaj mund t'i ketë fituar zgjedhjet vetëm falë votave të LSI-së, pavarësisht se atë periudhë u aludua se jo të gjitha votat e anëtarëve të kësaj partie shkuan në favor të kandidatit të së majtës.

Zgjedhjet parlamentare në Tiranë

Në zgjedhjet e fundit parlamentare, ku partitë kandiduan të vetëm pa ndonjë koalicion, Partia Socialiste ndjehet më e fortë përballë kundërshtarëve të rinj dhe të vjetër politik. Për Tiranën, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Partia Socialiste ka marrë gjithsej 164.278 vota.  Ndërsa Partia Demokratike, kundërshtari i saj politik ka marrë gati gjysmën e votave, 88.355 vota. Lëvizja Socialiste për Integrim mblodhi 41.556 vota, ndërsa PDIU 9004 vota. Në total këto dy parti kanë 50560 vota. Nëse këtyre ia bashkojmë votave të PD-së rezultojnë se janë 138.915 vota.

Diferenca e votave mes PS-së dhe koalicioni të djathtë, tri partive që përbën boshtin e bllokut opozitar, PD, LSI dhe PDIU ëstë 25.363 vota. Pra nëse zgjedhjet do të mbaheshin dhe do të kishim këto rezultate kandidati i së majtës do të ishte fitues përballë atij të opozitës, me një diferencë më të vogël në krahasim me shifrat e katër viteve më parë.

Por duhet theksuar se në zgjedhjet parlamentare të 2017 nuk konkurruan një pjesë e mirë e partive politike, kjo për shkak se këto subjekte politike nuk u futën si pjesë e koalicioneve. Kjo bëri që një pjesë e partive të majta dhe të djathta të mbeteshin jashtë garës. Por krerët e këtyre partive të vogla politike i bënë thirrje që votonin për aleatët e tyre madhorë, si Partia Socialiste dhe Partia Demokratike.

Ndërsa nuk duhet harruar se një pjesë e kryetarët e partive të vogla politike si PR, PBDNJ, apo dhe parti të tjera ishin në listat shumëemërore të PD-së. Për këtë shkak ata bënë thirrje që të votonin logon e PD-së, me qëllim maksizimin e votave. Kjo solli edhe pakënaqesi të elektoratit të këtyre partive që u shoqërua me bojkot të zgjedhjeve.

Zgjedhjet lokale kanë një natyrë tjetër nga ato të përgjithshmet. Në përballjet vendore shumë partitë të vogla luftojnë për votat e këshilltarëve, se sa për kryetarin e bashkisë, i cili është përfaqësues i partisë së madhe. Rezultatet e votave e tregojnë një fakt të tillë, ku Veliaj kishte marrë më pak vota se koalicioni, ose e kundërta kandidati demokrat Halimi kishte marrë vota më shumë se koalicioni.

Tabloja e këtyre votave e bën të qartë tashmë se beteja për Tiranën do të jetë garë e vështirë, pasi Veliaj do të përballet edhe me koston e deritanishme të qeverisjes së Ramës, ku socialistët janë në mandatin e dytë. Ndërsa të djathtët kanë si betejë kryesore rimarrjen e bashkisë së Tiranës, për të mos lënë që kjo bashki e cilësuar si një "Shqipëri e dytë" të mos mbesë në duart e të majtëve.

Ndërsa nuk duhet harruar dhe qëndrimi që do të mbajë elektorati i pavendosur, i cilësuar dhe si "gri" që ndikon jo pak në këto votime, qe shpesh njihen edhe si bojkotuesit e votimeve.

Lëvizja Socialiste për Integrim 54 mijë vota

E djathta si koalicion 89 mijë vota

PDIU 12 mijë vota

Partia Demokratike 77 mijë vota


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë