Politike

Votat e Elbasanit, PS nën presionin e LSI dhe PDIU

Bledar Hoti-Elbasani prej tre mandatesh  ka si kryebashkiak Qazim Sejdinin. Ai që prej vitit 2007, si i zgjedhuri i Partisë Socialiste drejton bashkinë e këtij qyteti, duke mposhtur demokratët në tre palë zgjedhje. Pas më shumë se një dekade në krye të kësaj bashkie, socialistët po mendojnë  që ta mos ta rikandidojnë Sejdinin, njeriun për të cilin opozita po e sulmon vazhdimisht, duke e akuzuar për lidhje me bandat e krimit, por edhe si personin që ka ndikuar në procesin e blerjes së votave në Elbasan.

Mungesa e kësaj kandidature që gëzon peshë dhe reputacion në elektoratin e Elbasanit, mund të ndikojë në zgjedhjet e ardhshme lokale, të cilat do të mbahen më 30 qershor 2019. Ky qytet mund të cilësohet edhe si një “mini” Parlament, pasi të gjitha forcat politike kryesore kanë arritur të nxjerrin  deputetë nga zgjedhjet e fundit, ku veç PS-së dhe PD-së, edhe LSI dhe PDIU kanë përfaqësuesit e tyre në Kuvend.

Kalimi i dy partive LSI-së dhe PDIU-së që dikur ishin në koalicionin e majtë drejt koalicionit të djathtë na shfaq një panoramë tjetër të votave për sa i përket betejave të ardhshme elektorale të 30 qershorit.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2015, kandidati i PS-së, Qazim Sejdini do të merrte 44 mijë vota,  ndërsa rivali i tij demokrat Ardjan Turku 29 mijë vota. Kjo fitore e thellë me një diferencë prej 15 mijë votash, do të arrihej edhe falë votave të aleatëve të socialistëve, Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë për Drejtësi Unitet dhe Integrim.

Qazim Sejdini në fushatën elektorale të fundit së bashku me dy liderët e koalicionit të majtë Edi Rama i PS dhe Ilir Meta i LSI në vitin 2015

Këto dy parti morën rreth 19 mijë vota, LSI me 13.170 vota PDIU 5.829 vota. Në zgjedhjet e fundit për pushtetin vendor, Sejdini mori 5 mijë vota më pak se koalicioni, ndërsa rivali i tij demokrat mori 6 mijë vota më shumë. Nëse PDIU dhe LSI në mënyrë hipotetike do të ishin në koalicionin e opozitës, si dhe votat e subjektit mund të kalonin për kandidatin, atëherë rivali i djathtë, Turku do të fitonte me mbi 4 mijë vota ndaj Sejdinit, duke bërë që kjo bashki të zotërohej nga PD-ja.

Rezultatet e zgjedhjeve parlamentare

Në qarkun e Elbasanit, PS mori 7 deputetë, PD 3 deputetë, PDIU dhe LSI me nga 2 deputetë. Votat për qytetin në zgjedhjet e 2017-ës japin një pasqyrë tjetër me ato të katër viteve më parë.

Partia Socialiste mori në zgjedhjet e fundit 33.129 vota, ndërsa PD-ja mori 18.290 vota. Dy partitë e tjera tashmë aleatë të PD-së, LSI  mblodhi 8862 vota, ndërsa PDIU mori 16.197 vota. Partia që drejtohet nga Idrizi ka edhe numrin më të madh të votave në këtë qytet. Kjo votë i dedikohet më tepër punës që ka bërë deputeti i PDIU-së, Aqif  Rakipi, i cili pas zgjedhjes së tij në Parlament, u detyrua të dorëzonte mandatit për shkak të ligjit të Dekriminalizimit. Edhe deputeti tjetër Bujar Muça dorëzoi mandatin për shkak të këtij ligji. Për PDIU-në deputetë të qarkut të Elbasanit janë aktualisht Dritan Bici dhe Eleni Xhina, të cilët pavarësisht se kryetari Idrizi deklaroi bashkimin me koalicionin opozitar, ata vazhojnë të jenë pjesë e PS-së dhe mazhorancës.

Mbi bazën e këtyre shifrave, blloku opozitar  PD-PDIU-LSI kanë në total 43.349 vota dhe kanë përparësi 10220 vota ndaj Partisë Socialiste. Nëse këto vota do të rezultojnë edhe në zgjedhjet e 30 qershorit 2017 atëherë e djathta mund të merrte bashkinë e Elbasanit.

Ardjan Turku, kanddati i PD-së në zgjedhjet lokale për bashkinë e Elbasanit

Shifrat e votave flasin për një rritje të koalicionit opozitar pas përfshirjes në të të LSI-së dhe PDIU-së.

Socialistët mund të ndjehen të kërcënuar nga ky bashkim, pasi partia që po ushtron mandatin e dytë qeverisës duhet të llogarisë dhe konsumimin që vjen nga pushteti, si dhe faktin që në krye të bashkisë ka qenë një përfaqësues i saj prej më shumë 10 vitesh.

Vetë kryebashkiaku Qazim Sejdini e pati deklaruar vetë se nuk do të kandidonte sërish. Gjatë një interviste televizive për një televizion lokal, ai theksoi se "beson se vitin e ardhshëm do të kemi kryetarin e ri të bashkisë". Ndërsa Partia Demokratike në lidhje me këto zgjedhje i duhet të ballafaqohet me aleatët e saj, si LSI dhe PDIU ku pesha e tyre elektorale është e fuqishme, të paktën sipas shifrave të dy palë zgjedhjeve të fundit. Vetëm mes PD së Bashës dhe PDIU-së së Idrizit në këtë qytet nga zgjedhjet e fundit ka 2 mijë vota diferencë. Kështu që përzgjedhja e kandidatëve të opozitës nuk do të jetë e lehtë jo vetëm për bashkinë e Elbasanit, por edhe në ato qytete ku pesha e tyre elektorale është shumë e madhe.

Tabela me shifrat

Zgjedhjet lokale

Qazim Sejdini 43, 914 vota

Ardjan Turku 28,924 vota

14990 vota diferencë mes dy kandidatëve

Votat për Këshillin

Koalicioni i majtë në total 48,694 vota      

PS 19917 vota

LSI 13170 vota

PDIU 5829 vota

LSI+PDIU 18999 vota

Koalicioni i djathtë në total 22,350 vota

PD 15,386 vota

Votat 2017/ Zgjedhjet parlamentare

PS 33 129 vota

PD 18.290 vota

LSI 8862 vota

PDIU 16.197 vota

Blloku opozitar- PD-PDIU-LSI totali 43.349 vota, me 10220 diference votash me PS


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë