Analize

Sa do të paguajmë për vaksinat? KE nën presion për të zbuluar kontratat

BE po vë bast për të ardhmen e qytetarëve të saj dhe ekonomisë europiane tek vaksinat kundër Covid-19. Por cilat janë saktësisht kushtet e këtij basti, dhe sa prej shpenzimeve do të duhet të mbulojnë taksapaguesit e BE-së? Këto janë pyetje që udhëheqësit në Bruksel nuk pranojnë t'i përgjigjen.

Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen njoftoi me krenari më 24 nëntor se BE kishte siguruar një kontratë të gjashtë për miliona vaksina  në emër të 27 vendeve të saj anëtare, duke e çuar totalin e blerë në gati 2 miliard vaksina për rreth 440 milion banorët e bllokut, të cilat do t'u shpërndahen më pas edhe vendeve të Ballkanit. "Kjo është bileta jonë për të dalë nga pandemia", tha ai.

Por, edhe pse ky është procesi më i rëndësishëm i prokurimit në historinë e BE-së, është i mbajtur në fshehtësi. Zyrtarët e BE nuk do të japin informacion se sa po paguan blloku për vaksinat. Përcaktimi i çmimit që do të paguhet është gjithashtu “A”-ja e të gjithë kontratave të prokurimit publik.

Duke pasur parasysh rrethanat, parlamentarët, grupet e shoqërisë civile, avokatët globalë të shëndetit dhe ekspertët e prokurimit po ushtrojnë presion mbi Komisionin për të bërë publike kontratat, ose të paktën pjesët kryesore të tyre, për shqyrtim publik, edhe pse nuk ende ka një kërkesë ligjore për ta bërë këtë .

"Kjo është padyshim në interesin e të gjithëve, pasi ka kaq shumë para të përfshira, paratë e taksapaguesve europianë," tha Anniek de Ruijter, profesor në Universitetin e Amsterdamit. "Është normalë të kërkojmë të gjithë informacionin e plotë”.

Bërja e publike e kësaj do ta vinte Komisionin me shpatulla pas murit. Në një proces tipik tenderimi, kompanitë konkurrojnë për kontrata qeveritare. Por gjatë pandemisë, janë shtet ato që po konkurrojnë për vaksina dhe ka shumë lojtarë që janë në gjendje të paguajnë më shumë se BE-ja.

“Lirimi i informacionit në kontrata jo vetëm që do të zbulonte sekretet e kompanive farmaceutike, por do të rrezikonte ta bënte procesin e prokurimit të Komisionit "të pamundur", thotë Sandra Gallina, drejtoreshë e përgjithshme DG SANTE dhe njeri që ka udhëhequr negociatat me prodhuesit e vaksinave në emër të Komisionit.

Pyetja kryesore është se sa nga paratë e taksapaguesve po financojnë zhvillimin e këtyre vaksinave. Mark Eccleston-Turner, pedagog i drejtësisë në Universitetin Keele, paralajmëroi se shumë qeveri dukej se po paguanin faturën për këto vaksina dy herë. Së pari, vendet po nënshkruajnë për kërkimin dhe zhvillimin e vaksinave për të kompensuar ato që prodhuesit e ilaçeve thonë se janë kosto të mëdha, para se vaksinat të marrin miratimin e rregullatorit europiane. Pastaj, vendet po paguajnë përsëri për të blerë vaksinat, pasi të jenë provuar se ato janë efektive.

Qeveritë dhe organizatat e ndryshme, si Koalicioni për Inovacione, Gavi, Aleanca e Vaksinave, kanë derdhur miliona para për këto vaksina. "Ashtë një fitore e madhe nga pikëpamja farmaceutike", tha Eccleston-Turner, duke theksuar se shuma aktuale e parave që prodhuesit e ilaçeve kanë paguar "nga xhepat e tyre" ka qenë ndoshta "minimale". I gjithë investimi paraprak "nuk duket se është përkthyer në çmim më të ulët për vaksinën," tha Eccleston-Turner.

Se sa po paguan Komisioni për dozë nuk është informacion publik. Disa prodhues të vaksinave kanë qenë më transparent, si AstraZeneca, e cila tha se do të shesë vaksinën e saj me kosto afërsisht 2 euro për dozë deri në fund të pandemisë.

Të tjerët, si Moderna, kanë dhënë shifra më të larta. Kompania publikisht vendosi se vaksina e saj do të shitej nga 32 deri në 37 dollarë për dozë, por më pas bëri një marrëveshje me SHBA për rreth 25 dollarë në dozë. Reuters njoftoi se BE siguroi një vaksinë për më pak se 25 dollarë për dozë.

Ajo që është e qartë është se vaksinat e bazuara në teknologjinë mRNA janë me çmim më të lartë se shumica e vaksinave konvencionale, sepse ato mund të jenë më të lehta për t'u prodhuar në planin afatgjatë. Prodhimi i vaksinave mARN është një proces më i shpejtë dhe më i lirë sesa për shembull prodhimi i vaksinën AstraZeneca,

Nuk ka asnjë rregull të BE-së që përcakton se mund të kërkojnë kompanitë farmaceutike për një vaksinë. Komenti i vetëm nga Komisioni, i dhënë nga Gallina, është se KE do të nënshkruajë marrëveshje vetëm për vaksinat që vendet e BE mund t’i përballojnë.

Pa një transparencë më të madhe, është e pamundur të dihet se kontratat e nënshkuara me kompanitë farmaceutike po sjellin fitim ose humbje. Por në një farë niveli, prodhuesit e vaksinave dhe drejtuesit e tyre është e qartë se janë duke përfituar tashmë.

Kur Pfizer-BioNTech dhe Moderna njoftuan nivele të suksesshme të efikasitetit nga njoftimi për shtyp, çmimet e aksioneve të tyre u rritën. Drejtuesit e Moderna dhe Pfizer kanë përfituar gjithashtu, duke shitur aksione të kompanive të tyre në vlerë prej miliona dollarësh pas njoftimeve se vaksinat e tyre ishin të suksesshme, por para se të kërkonin miratimin e rregullatorit.

Ky lajm ka rritur shqetësimet midis eurodeputetëve, të cilët kanë argumentuar që nga vera që Komisioni duhet të japë më shumë informacion mbi gjithçka, nga çmimi për dozë e deri tek dispozitat e dëmshpërblimit që Brukseli ka rënë dakord.

Në përgjigje, Komisionerja e Shëndetësisë Stella Kyriakides shpesh ka thënë se i ka duart e lidhura, duke argumentuar se Komisioni nuk mund të japë informacionin pa lejen e kompanive.

"Unë e njoh rëndësinë e transparencës në këtë proces," i tha Kyriakides Parlamentit Europian në mes të nëntorit. "Për shkak të natyrës shumë konkurruese të këtij tregu global, Komisioni nuk është në gjendje të zbulojë informacionin e përfshirë në kontrata."

Brukseli ka qenë një lider në përpjekjen globale për të siguruar vaksina për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, duke mbledhur miliarda për përpjekje të ndryshme globale. Komisioni ka dispozita në kontratat e tij që lejojnë vendet e BE-së të shesin ose dhurojnë vaksinat e tyre vendeve të tjera, përfshirë këtu edhe Shqipërinë. Por furnizimi pritet të jetë jashtëzakonisht i kufizuar për muaj me radhë, dhe kritikët thonë se BE është ende duke vendosur qytetarët e saj të parët.

"Nëse lexoni mes rreshtave, KE thotë se pasi BE të ketë përmbushur kapacitetin e saj dhe vendet anëtare të BE të kenë arritur vaksinimin e mjaftueshëm, Komisioni do të nisë shpërndarjen për vendet e treta” tha Katri Bertram, themelues i Partnerëve për Ndikim, një grup ndërkombëtar zhvillimi.

Duke marrë shembull nga blerja e vaksinave H1N1 në vitin 2009, kur vendet e BE nuk negociuan si bllok, duke u dhënë përparësi prodhuesve ndërsa qeveritë bënin përpjekje kundër njëri-tjetrit, Komisioni ka ndryshuar ligjin për të lejuar blerjen e përbashkët të vaksinave.

Megjithatë, komisioni u hodh në veprim vetëm pasi vendet si Gjermania, Franca, Italia dhe Holanda u bashkuan për të negociuar vaksinat me AstraZeneca sepse kishin frikë se SHBA do të rrëmbente të gjitha vaksinat.

"Nëse BE nuk i blen, dikush tjetër do t'i blejë," tha Eccleston-Turner.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë