Rend dhe Ligj

Ryshfet 70 mijë lekë për t’i kthyer patentën një gruaje, arrestohet polici dhe sekseri

Gazeta Si - Një punonjës policie është arrestuar në flagrancë, me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Në pranga është vënë efektivi Alkid Ndreu, 47-vjeç, me detyrë specialist i Policisë Rrugore dhe anëtar i Komisionit të Gjobave në varësi të Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Pas disa ditësh hetime nga AMP, u zbulua se polici kishte marrë përmes një sekseri një shumë prej 70 mijë lekësh për t’i dhënë një qytetareje patentën që e kishte të bllokuar me një afat 3 mujor.

Qytetares me iniciale B.D., i ishte të bllokuar leja e drejtimit nga data 24 nëntor deri më 17 shkurt të vitit 2023.

Por përmes ryshfetit ka arritur që ta marrë lejen e saj të drejtimit. Në pranga ka rënë gjithashtu edhe Eduart Caka nga Kruja, i cili përmes njohjeve ka marrë shumën e parave nga shtetasja B.D., dhe ia ka dhënë efektivit Ndreu.

Caka akuzohet për korrupsion pasiv dhe ushtrim i ndikimit tek personat me funksione publike.

Në gjendje të lirë, por e përballur me të njëjtat akuza, do të hetohet nga policia edhe edhe shtetasja B.D.

Gjithashtu është sekuestruar edhe Kartoteka e Komisionit të gjobave për t'u verifikuar afro 2 mijë leje drejtimi, për të verifikuar nëse ka pasur ose jo abuzime edhe me raste të tjera.

Në njoftimin e saj për shtyp, policia thekson se po punohet për identifikimin e punonjësve të tjerë të policisë, të cilët dyshohet se janë përfshirë në ktë ngjarje.

Hetimet nisen në rrugë operative nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, ndërsa dosja është referuar në Prokurorinë e Tiranës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë