Bota

Rusia shpall aneksimin e 4 rajoneve të Ukrainës

Presidenti rus, Vladimr Putin i tha këtë të premte (30 shtator) popullit se Rusia ka tashmë katër rajone të reja.

Sipas tij, banorët e katër rajoneve ukrainase që planifikon t’i aneksojë, e kanë marrë vendimin e tyre.

“Rezultatet dihen, dihen mirë”, ka thënë ai.

“Jam i sigurt që Asambleja Federale do të mbështesë katër subjektet e reja të Federatës Ruse… sepse ky është vullneti i miliona njerëzve”, ka thënë Putin para publikut.

Ai ka thënë se rezultatet janë “e drejtë natyrale” e atyre që kanë votuar.

Përgjatë fjalimit, Putin është kthyer mbrapa në histori – duke pretenduar se shumë gjenerata të rusëve kanë luftuar për këto toka.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë më 30 shtator se Moska do t'i konsiderojë sulmet kundër rajoneve të aneksuara, si agresion ndaj vetë Rusisë.

Pas fjalimit të Putinit, në Sheshin e Kuq të Moskës do të mbahet një koncert.

Afër skenës së koncertit tashmë janë vendosur mbishkrimet “Donjeck, Luhansk, Zaporizhja, Herson – Rusi”.

Putin e ka njour pavarësinë e rajoneve ukrainase, Herson dhe Zaporizhja përmes dekreteve të nënshkruara një ditë më parë.

Ky vendim ia hap atij rrugën për t'i aneksuar rajonet në fjalë.

Këto dekrete janë të ngjashme me ato që Putin i ka nënshkruar në muajin shkurt për rajonet Donjeck dhe Luhansk para se të niste pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Këto katër territore krijojnë një korridor të rëndësishëm në mes të Rusisë dhe Gadishullit ukrainas të Krimesë, të cilin Moska e ka aneksuar më 2014.

Së bashku, të pesë rajonet përbëjnë 20 për qind të territorit ukrainas.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë