Politike

Ministria e Jashtme: Shqipëria nuk njeh referendumet e rreme të Rusisë

Gazeta Si - Referendumet e shpallura në mënyrë të njëanshme nga Rusia për të aneksuar 4 rajone në Ukrainë, nuk do të njihen nga Shqipëria.

Ministria e Jashtme e Shqipërisë, thotë se rezultatet e paracaktuara nga këto referendume të rreme nuk do të njihen.

“Shqipëria dënon referendumet e rreme të organizuara nga Rusia në Ukrainë dhe nuk do të njohë rezultatet e tyre të paracaktuara. Çdo aneksim i territorit të një shteti nga një shtet tjetër, që vjen si pasojë e kërcënimeve ose nga përdorimi i forcës është shkelje e parimeve të Kartës së OKB-së dhe ligjit ndërkombëtar”, thuhet nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë.

Presidenti rus Vladimir Putin shpalli pak me parë zyrtarisht aneksimin e 4 rajoneve të Ukrainës në një ceremoni në Moskë.

Ai kërkoi një minutë heshtje për të kujtuar ushtarët rusë që kanë humbur jetën. Ai tha se ushtarët vdiqën gjatë operacioneve speciale dhe ata janë heronjtë e Rusisë, që humbën jetën duke luftuar për territorin e tyre.

Putin vazhdoi të pretendojë se njerëzit e Donbasit kanë qenë “viktima të sulmeve terroriste çnjerëzore të kryera nga regjimi i Kievit”.

Udhëheqësi rus ka pohuar prej kohësh se Ukraina po synon territoret rusisht-folëse në Ukrainën lindore dhe vazhdimisht ka akuzuar Ukrainën se ka kryer gjenocid në lindje të vendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë