Ne rrjet

Biden: SHBA nuk do ta njohë kurrë aneksimin e Ukrainës nga Rusia

Presidenti amerikan, Joe Biden tha se Shtetet e Bashkuara nuk do ta njohin “kurrë, kurrë, kurrë” përpjekjen e Rusisë që të aneksojë territor të Ukrainës. Ai i bëri këto deklarata pak para fjalimit që mbajti presidenti rus, Vladimir Putin, këtë të premte, ku deklaroi se katër rajone ukrainase do t’i bashkohen Rusisë.

Kremlini ka thënë se Luhansku, Donjecku, Zaporizhja dhe Hersoni, kanë votuar në të ashtuquajturat referendume për t’iu bashkuar Rusisë. Por Ukraina dhe Perëndimi i konsiderojnë këto referendume si të rreme. Shtetet e Bashkuara do t’i vendosin Rusisë sanksione të reja për shkak të synimeve për aneksim.

“Dua të jem shumë i qartë, Shtetet e Bashkuara nuk do të njohin kurrë, kurrë, kurrë, pretendimet e Rusisë për territorin sovran të Ukrainës”, ka thënë Biden.

Të enjten, presidenti rus nënshkroi dy dekrete, përmes së cilave njeh rajonet e Zaporizhjas dhe Hersonit si territore të pavarura – duke e hapur rrugën për aneksim.

Në dokumente, që i ka shpërndarë media shtetërore, është thënë se pavarësia e këtyre dy rajoneve, është në përputhje me ligjin ndërkombëtar.

Megjithatë, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka thënë se ky aneksim i territorit të shtetit, është i bazuar në përdorim të forcës dhe është kundër ligjit ndërkombëtar.

“Është përshkallëzim i rrezikshëm”, “që nuk ka vend në botën moderne”, ka thënë ai.

Kjo ngjarje është përsëritje e asaj të vitit 2014, kur Rusia aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë.

As ai aneksim nuk është njohur nga pjesa më e madhe e komunitetit ndërkombëtar.

Ekspertët perëndimorë shprehen se Putin do t’i aneksojë rajonet e pushtuara të Ukrainës, që të mund të argumentojë se territori rus është nën sulme të armëve perëndimore.

Sipas tyre, në këtë mënyrë Putin mëton të bindë disa Qeveri që të mos dërgojnë ndihmë ushtarake për Kievin.

Autoritetet ukrainase, në anën tjetër, kanë thënë se vendimet e Putinit për aneksim, nuk e ndryshojnë situatën në fushëbetejë.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Vetë Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. /REL


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë