Mendim

Rusia: Rama planifikon të bashkojë Kosovën me Shqipërinë

Moska duket se nuk po i ndahet kritikave dhe qëndrimit të ashpër ndaj liderëve shqiptarë. Përveç, raportimit të ashpër të televizionit rus, “Russia Today” për situatën politike në Shqipëri, Kremlini ka paralajmëruar hapur qeverinë shqiptare nëpërmjet një deklarate të pashembullt diplomatike, të distancohet nga deklaratat për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Sipas Rusisë, liderët shqiptarë po përgatiten për “plane të rrezikshme gjeopolitike”.

Në një deklaratë për shtyp, Ministria e Jashtme Ruse bëri të ditur se Moska e konsideron të papranueshme deklaratën e bërë nga kryeministri Edi Rama disa javë më parë se Kosova është "pjesë e Shqipërisë".

Zëdhënësja e ministrisë së jashtme ruse Maria Zakharova deklaroi se Rusia nuk mund të qëndronte e heshtur ndaj kësaj deklarate. "Fillimisht menduam nuk e kishim përkthyer mirë këtë deklaratë, prandaj kemi kontrolluar disa herë", tha Zakharova. “Kryeministri shqiptar e lidhi zbatimin e këtij plani me korrigjimin e kufijve që diskutohen në mënyrë aktive për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare mes Beogradit dhe Prishtinës" tha ajo.

Zakharova theksoi se Rusia e konsideron këtë retorikë "absolutisht të papranueshme".

"Ne e konsiderojmë këtë deklarata si një shkelje të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Presim që Perëndimi t'i përgjigjet ashpër një deklarate të tillë dhe planeve të tilla të rrezikshme gjeopolitike" deklaroi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse.
Sipas Kremlinit, për kryeministrin Rama bashkimi i Kosovës dhe Shqipërisë nuk është "plani B, por plani A".

Duke pasqyruar reagimin e ministrisë të hënën, Sputnik citon Zakharovën, duke shkruar se plane të tilla minojnë stabilitetin e rajonit të Ballkanit dhe komplikojnë dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, për të cilin tha se qëndrimi i Rusisë në lidhje me zgjidhjen e çështjes së Kosovës ishte i pandryshuar. Ministria e Jashtme përsëriti se Rusia është në favor të një marrëveshjeje që i përshtatet interesave të popullit serb dhe bazohet në të drejtën ndërkombëtar.

Presidenti Vladimir Putin

Reagimi i ashpër i Moskës vjen mes një sërë raportesh në media ruse, por edhe serbe, se liderët shqiptarë po përgatiten për krijim e Shqipërisë së Madhe. Ndër të tjera, mediat ruse nuk kanë nguruar të komentojnë klimën e tensionuar politike në Shqipëri, duke e cilësuar vendimin e opozitës për djegie mandatesh si një goditje të fortë ndaj sistemit dhe duke shkruar se shumë qytetarë besojnë që qeveria po bashkëpunon me kriminelët dhe trafikantët.

“Russia Today”, një rrjet mediatik i themeluar dhe i financuar drejtpërdrejtë nga qeveria ruse raporton në një kronikën prej pesë minutash se Shqipëria është përfshirë në protesta masive kundër qeverisë dhe kryeministrit. Ajo e konsideron Shqipërinë si vendin e parë në botë për trafikun e heroinës, kokainës dhe kanabisit dhe citon kreun ePD-së se parlamenti shqiptar është zgjedhur me votat e krimit.

Frika nga Shqipëria e Madhe

Por edhe pse raportimi i fundit, kjo nuk është hera e parë që mediat ruse kritikojnë liderët shqiptarë. Pas mbledhjes së përbashkët të dy qeverive në Peje, “Sputnik”, gazeta serbe “Kurir” dhe media të tjera kanë shpërthyer duke aluduar se Kosova dhe Shqipëria do të bashkohen në një shtet të vetëm. Fotot e Ramës dhe Haradinaj duke bërë me duar shqiponjën dykrenare janë shpërndarë gjerësisht nga mediat në Beograd e Moskë dhe janë cilësuar si një provokim i hapur.

Sputnik e konsideronte në nëntor mbledhjen e dy qeverive në Pejë si hapin e parë për krijimin e Shqipërisë së Madhe.

Kryeministrat Edi Rama dhe Ramush Haradinaj

“Ndërkohë që vendos barriera tregtare me Serbinë dhe kundërshton rregullat e CEFTA-s dhe Brukselit, Prishtina mbajti një takim të përbashkët me qeverinë e Shqipërisë për eliminimin e barrierave dhe kufijve, një hap drejt realizimit të idesë së Shqipërisë së Madhe dhe, në fakt, një përpjekje për bashkimin e Kosovës dhe Metohisë me këtë shtet”, shkruan gazeta.

Si mediat në Moskë ashtu edhe ato në Beograd e cilësuan këtë takim si përpjekje për krijimin e Shqipërisë së Madhe, e cila po jetë sipas tyre, nën hundën e Perëndimit.

Duke komentuar lëvizjet e fundit të Prishtinës dhe Tiranës, “Novosoti” raportonte nga tjetër se Shqipëria po punon fort për eliminimin e kufijve me Kosovën me qëllim bashkimin e dy vendeve.

“Kryeministrat Edi Rama dhe Ramush Haradinaj dërguan në fund të një takimi të përbashkët mes dy qeverive një mesazh të tmerrshëm në Serbi! Të gjithë së bashku ata formuan simbolin e shqiponjës dykrenare në qytetin më të shenjtë të Serbisë”, shkruan nga ana tjetër gazeta “Kurir”. “Shqiponja me dy koka shihet si fyerja më e madhe për serbët dhe dihet mirë se kur shqiptarët dëshirojnë të provokojnë serbët, bëjnë këtë simbol”, vazhdonte më tej gazeta serbe

Ndërkohë “Kurir” fliste për një tjetër provokim nga Rama dhe Haradinaj. Sipas saj dy kryeministrat kishin vendosur në xhaketë një gjashtëkëndësh në formën e yllit të Davidit për të provokuar Beogradin.

“Kryeministrat e Shqipërisë dhe të ashtuquajturës Republika e Kosovës u takuan në një sesion të përbashkët të dy qeverive në qytetin shenjtë serb të Pejës, ku të dy provokuan duke vendosur një simbol serb”, shkruante gazeta. “Siç e tregojnë fotografitë të gjithë anëtarët e të ashtuquajturës qeveria e Kosovës, Edi Rama dhe Ramush Haradinaj kishin vendosur në xhaketa një simbol në formën e një gjashtëkëndësh. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse Rama, Haradinaj dhe të tjerët e dinin se po mbanin stemën e Serbisë ose nëse ky është akti i fundit i një serie provokimesh ”, shkruante gazeta.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë