Politike

Protesta e opozitës shqiptare sipas këndvështrimit rus

Protesta e 16 shkurtit, ajo që pasoi pesë ditë më vonë dhe vendimi i partive opozitare për të djegur mandatet e deputetëve, është pasqyruar gjerësisht në mediat ndërkombëtare. Por, jo të gjitha e kanë parë me të njëjtin këndvështrim.

Russia Today, një rrjet mediatik themeluar dhe financuar drejtpërdrejtë nga qeveria ruse, kronikën prej pesë minutash kushtuar zhvillimeve në vendin tonë e nis me “Shqipëria është në flakë!”

“Vendi i vogël ballkanik është përfshirë në protesta masive kundër qeverisë dhe kryeministrit të vendit”, vijohet aty.

Më pas, vendimin e opozitës për djegie mandatesh e cilëson një goditje të fortë ndaj sistemit dhe se shumë qytetarë besojnë që qeveria po bashkëpunon me kriminelët dhe trafikantët.

“Parlamenti nuk është produkt i votës së njerëzve, por produkt i siç është provuar nga përgjimet e publikuara edhe nga mediat ndërkombëtare, i krimit të organizuar që bashkëpunon hapur me qeverinë aktuale”, citohet Lulzim Basha nga Russia Today.

Citimi në këtë rrjet televiziv të njohur për mbrojtjen e interesave ruse u bë shkak që në disa media në Tiranë të qarkullonte lajmi se Lulzim Basha ishte intervistuar nga ky televizion në ditët e protestës. Partia Demokratike e përgënjeshtroi.

“Disa media kanë keqinformuar opinionin publik sikur Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka dhënë intervistë për Russia Today. Kjo është e pavërtetë. Kryetari Basha është intervistuar nga Associated Press dhe jo nga Russia Today”, thuhet në reagimin e PD-së.

https://www.youtube.com/watch?v=KnD2cq_G6uo

Russia Today sjell në kujtesë edhe hetimet ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri, akuzat e ngritura ndaj tij dhe vendimin e mazhorancës dhe Kryeministrit Edi Rama për të mos i hequr imunitetin kur e kërkoi prokuroria.

“Prokuroria nuk mund të bëjë asgjë veçse të zvarrisë çështjen, sepse Kryeministri refuzoi që t’i heqë mandatin, duke e mbrojtur nga ligji. Qëndrimi zyrtar ishte mohimi i gjithçkaje”, kujton Russia Today.

Të gjitha këto, thotë Russia Today, ngrenë dyshime mbi zgjedhjet e 2017 dhe nëse ato ishin vërtet të lira dhe të ndershme.

Deri këtu, pasqyrimi i rusëve mbi ngjarjet në Shqipëri është korrekt. Por, më pas pretendohet se Shqipëria është vendi i parë në botë për trafikun e heroinës, kokainës dhe kanabisit. Si burim për këtë citim sillet raporti i Organizatës së Kombeve të Bashkuara i vitit 2017. Nga një lexim i thjeshtë i këtij raporti (Link) kupton se kjo deklaratë s’është 100 për qind e vërtetë.

“Rreth 40 për qind e heroinës dhe morfinës për vitin 2015 u kapën në atë që njihet si Rruga Ballkanike e trafikut. Shifrat tregojnë se kjo është rruga kryesore e trafikut të heroinës në botë. Një tjetër rrugë që po përdoret gjithmonë e më shumë nga trafikantët për të hedhur në Europë heroinën afgane është edhe Rruga e Kaukazit”, thuhet në raportin e OKB-së.

Me fjalë të tjera, Rruga Ballkanike e trafikut të heroinës afgane për në Europë nuk është vetëm Shqipëria. Ajo mbërrin në vendin tonë përmes Turqisë, Greqisë dhe Maqedonisë e më pas transportohet drejt vendeve të Bashkimit Europian dhe për këtë trafik po aq “fajtore” sa Shqipëria është edhe Turqia, Greqia dhe vende të tjera të Ballkanit.

Sa për hashashin, edhe këtu ka një të pavërtetë. Shqipëria vërtet bën pjesë tek vendet eksportuese të kanabisit, por ajo është shumë larg të qenurit numri 1 në botë në këtë drejtim, madje s’është e para as për sasinë që trafikohet në Europë, konfirmuar nga të dhënat e institucioneve ligjzbatuese të Bashkimit Europian, që në krye radhisin Marokun.

Bandat shqiptare të parat në trafikun e heroinës dhe kanabisit në botë dhe të tretat në trafikun e kokainës; burimi raporti i Kombeve të Bashkuara për drogën në vitin 2017.

Sa i takon trafikut të kokainës, edhe këtu Russia Today thotë një tjetër të pavërtetë. Shqipëria po përdoret gjithnjë e më shumë si portë hyrëse e kokainës kolumbiane për në Bashkimin Europian, por sërish është larg së qënurit porta kryesore. Këtë e konfirmon edhe vetë raporti i OKB-së të cilit i referohet Russia Today. OKB radhit Spanjën, Portugalinë, Anglinë dhe Holandën si vendet kryesore ku importohet kokaina.

Pasi paraqet këtë realitet të zymtë dhe me citime raportesh të pasakta, Russia Today ironizon me qëndrimet e Uashingtonit dhe të Brukselit ndaj vendimit të opozitës për të djegur mandatet.

“BE duket e gatshme që të mbyllë sytë përballë thirrjes për ndihmë nga ana e opozitës shqiptare dhe ta përfshijë vendin anëtar të NATO-s, vendin burim të drogës që trafikohet në BE në kursin e anëtarësimit”, thotë moderatori i Russia Today.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë