Futboll

Ruleta ruse thotë Anglia, eliminohen “shqiponjat” e Zvicrës

Me shumë fat ia ka dalë të kualifikohet për në çerekfinale Anglia e trajnerit Southgejt. Janë dashur penalltitë për të përcaktuar skuadrën e fundit që do të kompletonte 8-shen më të mire të Botërorit. Koha e rregullt dhe 30 minutat shtesë janë mbyllur me rezultatin 1-1, me golat e kapitenit Kejn me penallti dhe Minës për Kolumbinë. Ndeshja nuk u ngrit asnjëherë në nivelin e duhur dhe anglezët nuk kanë bindur përballë kolumbianëve, këta të fundit mjaft nervozë gjatë gjithë lojës.

Moment tensioni gjatë ndeshjes

Anglezët po bëheshin gati për festën e kualifikimit, por gjithçka është barazpeshuar në minute e tretë shtesë nga mbrojtësi golashënues i Kolumbisë, Jerri Mina (goli i tretë në katër ndeshje). Kapiteni Herri Kejn kishte zhbllokuar rezultatin në minutën e 57-të, me një 11-metërsh të fituar po vetë, ndërkohë që e gjithë ndeshja është shoqëruar me tension, siç tregojnë edhe kartonët e shumtë të verdhë, plot tetë, më shumë se në çdo ndeshje tjetër. 30 minutat shtesë nuk sollën asgjë të re dhe gjithçka u vendos nga penalltitë.

Ishte kapiteni i Liverpulit, Henderson, ai që humbi penalltinë e parë, pasi gjuajtja e tij u prit nga Ospina, por më pas Kolumbia gaboi dy herë, me Uriben që goditi traversën dhe Bakën. Dajër shënoi penalltinë e fundit dhe Anglia, mes emocionesh shumë të forta, ka kaluar në çerekfinale, ku e pret Suedia e surprizave.

Dajer shënon penalltinë e fundit për Anglinë

Suedia ndërkohë, skuadra që i mori vendin Italisë në Botëror, vazhdon të çudisë, teksa ka kaluar në çerekfinale, duke eliminuar Zvicrën e katër shqiptarëve: Valon Behramit, Granit Xhakës, Blerim Xhemajlit dhe Xherdan Shaqirit. Ka vendosur një gol i shënuar nga Forsberg, falë devijimit të mbrojtësit Akanji.

Trajneri i Suedisë, Anderson, i ka besuar skemës së zakonshme, 4-4-2, me Berg dhe Toivonen në sulm. Edhe trajneri Petkoviç është treguar fanatik i skemës së tij, 4-2-3-1. Një pjesë e parëmë e mirë për Suedinë, që i është afruar golit dy herë me Berg, i cili ka shpërdoruar. Rezultati është zhbllokuar në pjesën e dytë, kur gjuajtja e Forsberg, pasi kishte kaluar më parë dy kundërshtarë, përfundoi në rrjetë, por me devijimin vendimtar të Akanjit. Zvicra ka bërë gjithë përpjekjet për të barazuar, por nuk ia ka arritur qëllimit. Në shtesë ka edhe një penallti për Suedinë, por që anulohet nga VAR-i dhe akordohet goditje dënimi në kufijtë e zonës, ndërsa Lang ndëshkohet me karton të kuq. Asgjë nuk ndryshon dhe Suedia shkon në çerekfinale, ku do të ndeshet me Anglinë.

Suedia feston golin e Forsberg

Çerekfinalet

Francë – Uruaguai

Rusi – Kroaci

Brazil – Belgjikë

Suedi - Angli


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë