Rend dhe Ligj

Rihapen dosjet e vjetra, Rrumbullaku në Vlorë për hetimet e vrasjes me snajper

Gazeta Si - Pas vrasjes së 22-vjeçarit Gëzim Sinomati në Vlorë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Muhamet Rrumbullaku ndodhet në Vlorë për të mbikëqyrur hetimet e ekzekutimit me snajper.

Rrumbullaku ka ngritur një grup të posaçëm hetimor, për të hetuar ngjarjen dhe ka zhvilluar një analizë shumë të gjatë prej 24 orësh, që përfshin ngjarjen e ndodhur, problematikat brenda dhe jashtë vendit. Pjesë e kësaj analize janë edhe dosjet e vjetra dhe grupet kriminale.

Gjithashtu po bashkëpunohet me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit. Deri më tani janë grumbulluar një numër i madh i pamjeve filmike në zonë dhe në itinerarin që kanë lëvizur autorët.

Drejtori i Përgjithshëm Rumbullaku ka urdhëruar hartimin e një plani të detajuar operacional kombëtar, për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe për goditjen e grupeve kriminale.

Gjatë orëve të fundit, blutë e Vlorës kanë kontrolluar dhjetëra banesa dhe rezidenca në Vlorë dhe Selenicës të eksponentëve kryesorë të njohur si kundërshtar të Sinomatit ndër vite.

Mbi 20 persona janë shoqëruar aktualisht, por deri më tani asnjë urdhër ndalimi nuk është konfirmuar nga policia.

Grupi hetimor ka ndarë detaje mbi armën e krimit, të dala nga ekzaminimi balistik i gëzhojës së gjetur në vendngjarje dhe asaj në trupin e viktimës. Ekzekutimi është kryer me një snajper me gëzojë të kalibrit 7 mm dhe precizion deri në 1 mijë metra.

Pistat e konfirmuara zyrtarisht lidhen me të shkuarën kriminale të Sokol Sinomatajt, babait të viktimës  dhe aktivitetin e tij të pas viteve ‘97.

Mbrëmjen e 7 janarit, Gëzim Sinomataj kishte dalë në ballkonin e shtëpisë së tij në katin e tretë të një pallati në “Hajro Çakërri” kur u qëllua me një plumb në kokë. I riu dyshohet se u qëllua me snajper nga një ndërtesë përballë.

Pak kohë pas ngjarjes, policia gjeti në flakë makinën e autorëve të dyshuar, identiteti i të cilëve nuk dihet ende.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë