Para

Rrjeti i Avokatëve Ndërkombëtarë letër Ramës e Metës për të shlyer naftëtarët

Rrjeti i Avokatëve Ndërkombëtarë në Mbrotje të Punëtorëve (ILAW) i ka nisur një letër kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Ilir Meta duke i bërë thirrje qeverisë shqiptare që të bëjë të mundur vënien në zbatim të vendimit të gjykatës nr. 7310 të shtatorit 2017, sipas së cilit u paguhen detyrimet e prapambetura 505 punëtorëve të rafinerisë së naftës në Ballsh.

Letrën e bën me dije Sindikata e Naftëtarëve të Bashkuar ku citon se “Rrjeti i përbërë nga mbi 500 avokatë nga 60 vende të ndryshme të botës, vuri në dukje nëpërmjet kësaj letre se mos pagimi i rrogave bie ndesh me kontratën kolektive, me Kodin e Punës si dhe me konventat e ratifikuara nga qeveria shqiptare në vitin 2001. Edhe në rast të shpalljes së falimentit nga kompania, sipas konventave janë punëtorët në listën e aktorëve që  dëmshpërblehen të parët. Prandaj nuk ka asnjë arsye përse të vonohet pagesa e rrogave të prapambetura.”

Por dy ditë më parë në emisionin televiziv “Opinion” kryeministri Edi Rama  këmbënguli në qasjen e tij ndaj kësaj çështje se “Marrëdhënia mes naftëtarëve dhe kompanisë është kapitaliste dhe shteti nuk mund të ndërhyjë”. Por në të njëjtën kohë Rama bëri me dije se po i bën përpjekjet e tij në rrugë të tjera për të zgjidhur problemin e naftëtarëve duke iu kujtuar gazetarëve takimin në Turqi me presidentin azer.

Të dhënat nga tatimet tregojnë se kompania ARMO i detyrohet në formën e taksave, tatimeve, etj shtetit 50 mln euro.

Ndërsa naftëtarët vijojnë në ditën e 19 të grevës ku aktualisht pjesë e saj janë bërë edhe disa gra.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë