Politike

Rrjedhja e parë nga listat e PD, Lefter Maliqi pranon mandatin

Nga listat e kandidatëve të Partisë Demokratike konfirmohet rrjedhja e parë kundër vendimit të marrë për djegien e mandateve. Lefter Maliqi ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve formularin e dekriminalizimit.

Atë nuk e lidh më asgjë me Selinë Blu, që prej largimit publik pak ditë para zgjedhjeve të 25 qershorit 2017. Por, ai ishte i radhitur i treti në listën e demokratëve për Qarkun e Beratit dhe me dorëzimin e formularit të dekriminalizimit në KQZ do të marrë mandatin e lënë nga Astrit Veliaj.

Ndryshimi i kahut i dha të drejtën që të refuzojë pa asnjë “pendesë” vendimin e Lulzim Bashës dhe forumeve drejtuese të Partisë Demokratike për të djeguar mandatet. Maliqi nuk ishte pjesë e listës me 194 emra deputetë e kandidatë për deputetë të 2017-ës që nisën procesin e firmosjes së dorëheqjeve dhe refuzimeve të mandateve.

Dorëzimi i formularit dhe pranimi i mandatit ishte sinjalizuar disa herë në ditët e fundit nga vetë Lefter Maliqi. Ai nuk foli asnjëherë drejtpërdrejtë, por përmes postimeve me nënkuptim në rrjetet sociale e paralajmëronte këtë hap.

Ligjërisht, si pjesë e listës me kandidatët e Partisë Demokratike në Qarkun e Beratit për zgjedhjet e 25 qershorit 2017, Lefter Maliqin nuk e pengon asgjë që të zërë ulësen e Astrit Veliajt në Parlamentin e Shqipërisë, por moralisht rasti i tij është shembulli më tipik i deformimit të votës së shqiptarëve, që prej ndryshimit të Kodit Zgjedhor në vitin 2008.

Maliqi është aktualisht nëndrejtor në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe me dorëzimin e formularit të dekriminalizimit në Komisionit Qendror të Zgjedhjeve paralajmëron lënien e këtij posti dhe marrjen e kartonit të ligjvënësit.

Parimisht ky karton u takon votuesve të Partisë Demokratike të Qarkut të Beratit, që fillimisht zgjodhën Eduard Halimin dhe më pas Astrit Veliajn, por ligjërisht edhe pse i dalë nga populli, atë s’e pengon asgjë që të “fluturojë” andej-këndej.

“Krizat politike të viteve të fundit nuk janë kriza mosbesimi midis palëve politike dhe as çështje parimesh, por në thelb janë kriza të përfaqësimit dhe të deformimit në sistemin politik. Baza e tyre janë dy faktorë: a) personalizimi i partive politike duke i kaluar ato nga parti me bazë vendimmarrëse në parti lider në funksion të agjendës së kryetarëve të tyre, si dhe b) ndryshimet kushtetuese 2008 që krijuan edhe de juro një sistem vertikal vendimmarrës dhe përfaqësues”, vëren Instituti i Studimeve Politike në një hulumtim të publikuar së fundmi.

Po të mos ishte sistemi aktual me lista shumëemërore të mbyllura e të përcaktuara nga kryetarët e partive, por një sistem mazhoritar, Lefter Maliqi ndoshta do të fitonte në 2017 nën siglën e PD-së dhe nuk do të ndërmerrte vendimin për t’u hedhur në krahun tjetër pak ditë para zgjedhjeve.

Por, përsa kohë është imponuar ky sistem dilema morale që ngrihet është e madhe. Kur të hyjë në Parlament, Lefter Maliqi do të hyjë si opozitar, apo si një numër shtesë në mazhorancën e Edi Ramës?

Ndryshe nga deputetët e PD-së dhe të LSI-së që refuzuan djegien e mandateve dhe nga ata që kanë pranuar mandatin, të cilët kanë deklaruar se publikisht se do të vazhdojnë opozitën kundër Edi Ramës në Parlament, Lefter Maliqi nuk ka bërë asnjë deklaratë të tillë.

Por, edhe nëse do të zotohej se në Kuvend do të zbatonte vullnetin e votuesve minorancë të Qarkut të Beratit, vështirë se kjo do të ndodhte realisht, nisur nga dalja hapur në mbështetje të Ramës dhe socialistëve në zgjedhje dhe më pas marrjen e postit si nëndrejtor i Burgjeve në Tiranë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë