Politike

KQZ zëvendëson 4 deputetë të LSI-së, mungon opozita. Shehu i dënuar, por i rehabilituar

Në një mbledhje flash, Komisioni Qendror të Zgjedhjeve miratoi katër emrat e rinj të deputetëve brenda radhëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kur pritet që në këtë mbledhje të kishte debate për mënyrën e zëvendësimit të mandateve, përfaqësuesit e partive politike, të opozitës, Partisë Demokratike dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë munguar. Kjo ia ka “lehtësuar” punën KQZ-së, e cila me pesë vota pro, në unanimitet ka miratuar emrat e 4 deputetëve të rinj të Parlamentit.
KQZ i dha sot mandatin e Endrit Braimllarit, kandidatit të renditur në listë të Edmond Rrushit, i cili renditej i dhjeti në radhë në listën e LSI.
Gjithashtu Aurora Mara mori mandatin e lënë nga Përparim Spahiu në Qarkun e Dibrës. Ndërsa në Elbasan mandatin e Edmond Haxhinastos e mori kandidati që vjen pas tij Enver Rroshi.
Në Qarkun e Tiranës, Floida Kërpaçi u zëvendësua nga kandidati i listës së LSI, Ylli Shehu. Për kandidatin e LSI-së, sipas KQZ bëri të ditur se sipas formularit të Dekriminalizimit, ai ka qenë i dënuar më parë nga Gjykata në vitin 2007 për veprën penale të kontrabandës së mallrave.
“Në përgjigje të shkresës nr. V-668/1, prot, 01.03.2019 zyra e gjendjes gjyqësore ka dërguar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, verifikimin e gjendjes gjyqësore për kandidatin për Deputet, Qarku Tiranë, për Kuvendin e Shqipërisë, z. Ylli Vesel Shehu, sipas të cilës rezulton se me vendimin nr.420, dt.20.03.2007, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka deklaruar fajtor për veprën penale parashikuar nga neni 174 i Kodit Penal dhenë aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale dënohet përfundimisht me 200 000 lekë gjobë. Rehabilituar në bazë të nenit 69/a i Kodit Penal”, thuhet në relacionin e KQZ-së.

Formula i deklarimit të Ylli Shehut, i depozituar në KQZ


Më tej bëhet e ditur se nga krahasimi i të dhëna vetëdeklaruara në formularin e vetëdeklarimit me nr. Unik 2106, me vërtetimin e zyrës së gjendjes gjyqësore vnr. V-668/1 dt. 01.03.2019, rezulton se të dhënat e deklaruara nga kandidati në formularin e vetëdeklarimit janë të njëjta.
Quhen të padënuar sipas nenit 69/a të Kodit Penal ata që janë dënuar me burgim për një kohë deri në gjashtë muaj ose me çdo dënim tjetër më të lehtë dhe që gjatë dy vjetëve nga dita e vuajtjes së dënimit nuk kanë kryer vepër tjetër penale.
Në relacionin e firmosur nga sekretari i Përgjithshëm i KQZ-së, Ylli Merkaj, theksohet se pavarësisht kësaj, nisur nga fakti se Shehu ka qenë më parë deputet i Partisë Republikane, si dhe në zgjedhjet e 2017-ës, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve e cilësoi si të padënuar atë, aktualisht ai nuk përbën arsye për t’iu refuzuar dhënia e mandatit.
Në këto kushte KQZ, referuar ligjit 138/2015, dhe Vendimit të Kuvendit nr.17/2016, konstaton se nuk rezulton asnjë e dhënë që Ylli Shehu të mund të përfshihet në kushtet e ndalimeve dhe për t’u zgjedhur në funksionin e deputetit.
Kryetari i KQZ-së, Klement Zguri bëri të ditur se të katër vendimet hyjnë në fuqi menjëherë dhe do të botohen në Fletoren Zyrtare. Ndërsa partitë politike kanë 30 ditë kohë për të ankimuar vendimin në Kolegjin Zgjedhor nga ana e partive politike. Pas këtij vendimi pritet të mblidhet Këshillit për Rregulloren Imunitetin dhe Mandatet, i cili do të hartojë raportin përkatës dhe më pas 4 deputetët e rinj do të bëjnë betimin në seancën e Parlamentit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë