Politike

Rritja e rasteve me Covid, BE pritet të mbyllë kufijtë për Shqipërinë dhe vendet jashtë bllokut

Bashkimi Europian pritet të shtrëngojë ndjeshëm rregullat për udhëtarët nga jashtë bllokut, duke lejuar të lëvizin lirisht vetëm qytetarët nga vendet me shumë pak raste me koronavirus dhe ku nuk ishin përhapur variantet e reja.

“Ambasadorët e BE ranë dakord të hënën për vendosjen e masave të reja për udhëtimet nga vendet e treta, duke përfshirë edhe vendet e Ballkanit, në një takim në Bruksel”, i tha një diplomat i BE-së Reuters.

Nën rekomandimin e tyre, vendet e BE-së inkurajohen të lejojnë udhëtime vetëm nën kritere të rrepta. Ata që do të lejohen të hyjnë në Bashkimin Europian do të duhet të vijë nga një vend me jo më shumë se 25 raste me Covid-19 për 100,000 banorë gjatë 14 ditëve, një normë infeksioni më e ulët se në të gjitha vendet e BE.

Nëse ky rekomandim miratohet, shqiptarët nuk do të lejohen të udhëtojnë drejt asnjë prej vendeve europine, pasi  incidenca e Covid-19 në Shqipëri është 227 raste për 100 000 banorë, krahasuar me dy javët e mëparëshme 9-22 Dhjetor ku incidenca e rasteve me COVID-19 ishte 330 raste për 100,000 banorë.

Rekomandimi i ambasadorëve të BE-së shërben si një udhëzues për vendet anëtare, të cilat kanë fjalën e fundit mbi politikat e tyre kufitare. Disa vende të BE, të tilla si Gjermania, kanë vendosur kufizime më të ashpra, ndërsa Belgjika ka ndaluar udhëtimet jo-thelbësore brenda ose jashtë vendit deri në mars.

Java e fundit e muajit shkurt rregjistroi numrin më të lartë të rasteve me Covid 19, që nga fillimi i pandemisë në Shqipëri, në muajin mars të vitit të kaluar, ndërsa dhe viktimat u rritën ndjeshëm, krahasuar me javën pararendëse (19-25 Janar). Të dhënat zyrtare tregojnë se numri i të prekurve arriti rekordin e 6180 të infektuarve, duke u rritur me 27.9 për qind.

Gjatë javës së shkuar në Shqipëri u shënua dhe rekordi ditor me 901 raste, të deklaruara ditën e shtunë, me 30 Janar. Ndërsa në 24 orët e fundit, sipas ministrisë së Shëndetësisë “janë kryer 2960 testime dhe kanë rezultuar pozitivë 865 qytetarë”. Një sinjal negativ është dhe rritja e të shtruarve në spitale veçanërisht në dy ditët e fundit. Sipas të dhënave të ministrisë së Shëndetësisë, deri pasditen e së hënës “në 4 spitalet COVID, po trajtohen 365 pacientë, 25 në terapi intensive nga të cilët 9 pacientë janë të intubuar”. Në fund të javës së shkuar në spitalet COVID kishte vetëm 282 pacientë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë