Politike

Thirrja e PE për vendet anëtare: Mos i mbyllni kufijtë!

Parlamenti Europian u bën thirrje vendeve anëtare që të vetëpërmbahen nga ndërmarrja e masave drastike dhe të pakoordinuara anti-Covid dhe të sigurojnë që lëvizja e lirë e qytetarëve në hapësirën Shengen të mos penalizohet.

Eurodeputetët kanë miratuar një rezolutë në mes të një debati të zëshëm që është hapur nga vendet anëtare të Bashkimit Europian për të mbyllur kufijtë, ku Franca dhe Çekia i kanë mbyllur për vendet e treta dhe e njëjta masë po diskutohet edhe nga Gjermania.

“(PE)…nënvizon se një zonë pa kufij të brendshëm është një element me rëndësi për tregun e përbashkët europian; thekson se kriza e pandemisë Covid-19 është e pazakontë për Europën që prej krijimit të zonës Shengen; thekson rëndësinë që ka lëvizja e lirë e njerëzve për punë, të jetuar, studiuar, apo tregti, si një gurë themeli në funksionimin e Bashkimit Europian”, thuhet në rezolutën e PE.

Eurodeputetët vënë re se liria e lëvizjes është goditur ndjeshëm nga mbyllja e plotë, ose e pjesshme e kufijve nga disa vende anëtare dhe shprehin keqardhjen për këto vendime, që i cilësojnë si të nxituara dhe të pakoordinuar, as mes shteteve dhe as me Komisionin.

“Vendet anëtare duhet të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të lejuar lëvizjen e lirë dhe në të njëjtën kohë të garantojnë mbrojtjen maksimale të shëndetit të tyre”, mbyllet thirrja e Parlamentit Europian.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë