Edhe pse Kosova raportoi rastin e parë me variantin anglez të Covid-19 në fund të janarit , mutacioni i rrezikshëm i virusit mësohet se ka qënë i pranishëm në vend që në fillim të muajit të kaluar.
Më 29 janar, ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Armend Zemaj, bëri të ditur se 3 pacientë kanë rezultuar pozitiv me variantin e ri, i cili u konfirmua pasi 30 mostra me koronavirus u dërguan për hulumtim në Berlin.
Por mikrobiologu, Lul Raka ka bërë të ditur për mediat se varianti i ri i Covid-19 ka qenë i pranishëm në Kosovë që nga 5 janari.
Eksperti thotë se mostrat u dërguan për herë të dytë në Berlin, pasi rastit të parë të zbuluar në fillim të muajit.
“Mostrat e para kanë qenë pozitive me 5 janar. Infektimi i këtyre personave ka ndodhur në fillim të vitit. Shqetësim ka në gjithë botën për shkak të varianteve, por duhet të kemi parasysh që ndryshimet gjenetike janë normale tëk koronaviruset. Covid-19 është aronavirus dhe mutacionet ndodhin gjithmonë”, ka thënë ai.
Deri më tani, mutacioni britanik i koronavirusit është shfaqur pothuajse në të gjithga vendet fqinje të Shqipërisë, në Maqedoninë e Veriut, Italia dhe Greqi. Por në vendin tonë nuk është konfirmuar ende asnjë rast me këtë variant, edhe pse dy javët e fundit ka pasur një rritje të ndjeshme të rasteve.
Siç bëhet e ditur nga autoritetet në Prishtinë për dërgimin e mostrave jashtë vendit aplikohet disa ditë përpara dhe të gjitha shpenzimet rreth transportit të tyre do të mbulohen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Instituti i Shëndetit Publik i thotë Gazetës Si se deri më tani, nga analizimi i mostrave në laboratorin e ISHP-së nuk është zbuluar qarkullimi i ndonjë mutacion i ri. Shefja e Shërbimit të Epidemiologjisë në ISHP thekson se Shqipëria ka të gjitha kapacitetet për zbulimin e varianteve të reja, përfshirë edhe variantin anglez.
Por deklaratat që vijnë nga Institucioni i Shëndetit Publik duket se bien ndesh me njëra-tjetrën. Kur u mësuan rastet e para të variantit anglez të Covid-19 në dhjetor, Dritan Ulqinaku, nëndrejtor i Institutit të Shëndetit Publik do të deklaronte se Shqipëria nuk e ka kapacitetin për të zbuluar dhe 'kapur' variantin e ri të Covid-19.
Në atë kohë, ISHP tha se monstrat do të dërgoheshin në laboratorët në Londër, pasi për zbulimin e këtij varianti duhet laboratorë të nivelit 3-4, të cilët sipas tij, Shqipëria nuk i ka.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.