Shendet

Rritet vdekshmëria nga tumoret, meshkujt më të prekurit

Të dhënat e fundit nga ISTAT, për sa i përket vdekshmërisë nga sëmundjet tumorale, tregojnë se rastet e vdekjeve janë shtuar përgjatë vitit të kaluar. Diçka shqetësuese që konsistohet është edhe fakti se pjesë e kësaj rritjeje janë edhe meshkujt e moshës së re.
Në përgjithësi numri i meshkujve që humbën jetën ishte 2,365, me një rritje prej 5.1% në krahasim me vitin e mëparshëm, duke shënuar kështu edhe nivelin më të lartë që hasim në katër vitet e fundit. Statistikat bëjnë me dije se grupmosha më e prekur ishte ajo mbi 50 vjeç, ndërsa për sa i përket rritjeve të rasteve në moshë të re rezulton tek grupmosha 20-24vjec. Rastet kanë shënuar një prevalencë prej 64 përqind në total për sa i përket vitit 2018, ndryshe nga 61 për qind që ka qenë në vitin 2017.
Sipas Daniela Begës, mjeke onkologe ë Spitalin Amerikan, vdekshmëria nga tumoret është rritur si rrjedhojë e disa faktorëve të ndryshëm. Ajo shpjegon se fakti që shumë tumore nuk kanë shenja dhe simptoma të hershme, bën që kur zbulohen të jenë në një stad të vonshëm dhe të pashërueshëm, duke shkaktuar kështu vdekjen.

Dr. Daniela Bega

Ndryshe nga meshkujt, të dhënat tregojnë se rastet e vdekjeve të femrave nga tumoret kanë rënë, duke përcaktuar 65 raste më pak se në vitin 2017. Përgjithësisht grupmosha më e prekur është e njëjtë si në rastin e meshkujve, ajo mbi 50 vjeç. Ndërsa për sa i përket vendndodhjes, qytetet që përcaktojnë rritje të rasteve u cilësuan Dibra me 32 raste më shumë, Elbasani me 24 raste më shumë, Tirana me 18 më shumë, Vlora me16 raste më shumë.
“Një tjetër fakt është edhe ndërgjegjësimi i pamjaftueshëm i popullatës për faktorët e riskut të kancerit, se cilat janë shenjat dhe simptomat e hershme të kancerit dhe mosparaqitja në kohën e duhur tek specialisti,” shton mjekja bega.

Duke marrë parasysh të dhënat e mëprashme të INSTAT që paraqesin vdekshmërinë, rezulton se vdekjet nga grupi “Tumore” zënë 16,9 % të vdekjeve gjithsej, duke u renditur si grupi i dytë kryesor. Të dhënat përcaktuan se përqindjen më të lartë për sa i përket një sëmundjeje specifike e zënë “Tumore të aparatit të tretjes”, me 34,5 % dhe “Tumore të aparatit të frymëmarrjes” me 24,1 %.
Ndër të tjera mjekja onkologe shprehet se një ndikues tepër i rëndësishëm kohët e fundit, është kthyer edhe pamjaftueshmëria e testeve dhe programeve depituese të kancerit, të cilat bëjnë të mundur që tumore si kanceri i gjirit, zorrës së trashë dhe qafës së mitrës, të zbulohen më herët dhe të jenë të shërueshme. “Është më e lehtë të parandalohet se sa të trajtohet,” shton ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë