Ekonomi

Rritet sasia e qumështit të lopës. Fermerët: Është e importit

INSTAT ka raportuar se në vitin 2018, sasia e qumështit të grumbulluar është rreth 139 mijë ton, duke shënuar rritje me 5,87 %, krahasuar me vitin 2017. Gjatë kësaj periudhe, sasia e qumështit të lopës të grumbulluar është rreth 120 mijë ton, duke shënuar një rritje me 10,0 %, krahasuar me 2017.

Nga ana tjetër, në vitin 2018, sasia e grumbulluar e qumështit të deles është rreth 12 mijë ton, duke shënuar një rënie me 10,52 %, krahasuar me një vit më parë. Sasia e grumbulluar e qumështit nga dhitë është rreth 6 mijë ton, duke shënuar një rënie me 22,95 %, krahasuar me vitin 2017.

Në vitin 2018, sasia e qumështit të prodhuar për konsum është rreth 14 mijë ton, në rritje me 7,26 %, krahasuar me 2017. Ndaj sasisë gjithsej të qumështit të prodhuar në vitin 2018, qumështi i plotë i përpunuar përbën 77,1 %, qumështi gjysëm i skremuar 22,0 %, qumështi i papërpunuar 0,7 % dhe qumështi i skremuar 0,2 %.

Përveçse fermerët që ka kontaktuar gazeta “Si” janë skeptikë në lidhje me shifrat e INSTAT, e shpjegojnë rritjen e qumshtit të grumbulluar të lopës me rritjen e importit të qumshtit të freskët të lopës.

“Nuk është rritur numri i gjethëve. Përkundrazi është ulur për gjithë problematikat që po përjetojnë fermerët prej vitesh. Por ajo që pasqyrojnë të dhënat e INSTAT ka të bëjë me rritjen e inportit të qumshtit të freskët të lopës nga rajoni. Ndërsa qumësht dhie dhe dele nuk importohet”- shpjegon Saimir Begaj për Gazetën “Si”.

Kurse Erion Korçi një fermer nga Fieri rritjen e qumshtit të lopës këtë vit, përveçse e shpjegon me importin, i bashkëngjit edhe arsyen e rënies së informalitetit me shpresën e fermerëve për subvecion.

Koçi thotë për Gazetën “Si” se numri i bagëtive ka rënë.
“Në 2017-2018 në Fier kanë qenë 26 mijë krerë lopë. Sot janë 18 mijë të tilla. Kurse kanë qenë 120 mijë dele dhe dhi dhe sot janë 70 mijë. Në Lushnje kanë qenë 31 mijë lopë, sot gjenden 26 800 të tilla. Të imta kanë qenë 90 mijë dhe aktualisht janë 75 mijë. Nuk ka mundësi që të rritet qumshti i grumbulluar dhe nënproduktet e tij. Kompanitë po importojnë sepse ne kemi probleme me kostot dhe çmimet e qumshtit, kryesisht këtë vit me ndryshimin e skemës së TVSH-së”- thotë Erion Koçi.

Sipas INSTAT sasia e prodhuar e djathit sipas llojit të qumështit në vitin 2018 pësoi një rënie me 0,9 %, krahasuar me një vit më parë, ndërsa sasia e prodhuar e gjalpit shënoi një rritje me 3,22 %, krahasuar me 2017.

Sektori i blegtorisë shqiptare është sektor me rëndësi për ekonominë dhe popullsinë, por sipas fermerëve asnjëherë I marrë seriozisht nga qeveritë pas vitit 90”. Megjithëse statistikat bujqësore nuk japin të dhëna tërsisht të besueshme dhe të sakta, disa prej shifrave që lidhen me sektorin e blegtorisë tregojnë se numri i fermave që merren me blegtori është 352 mijë.

Fermat që merren kryesisht me gjedh janë 214,9 mijë, ato që merren kryesisht me dhi janë 23,4 mijë dhe dele 47 mijë.
Sasia e qumështit në një nivel prej 1,1 milionë tonësh në vit prodhohet nga 358 000 lopë, 1,896,000 dele dhe 904,000 dhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë