Vende dhe Udhetime

Rreth botës për karamele!

Kombet kanë flamuj dhe himne, por kanë edhe sheqerkat, që i përkufizojnë. Ja disa nga ëmbëlsirat që mbërthejnë shpirtin e vendeve nga vijnë!

Shufra Akuafo (Ganë)
Në të gjithë botën, afro 70 përqind e kakaos vjen nga Afrika. Gana është prodhuesi i dytë më i madh në botë, me një GDP që varet pjesërisht nga eksporti i kakaos. I gjithë kontinenti afrikan konsumon vetëm katër përqind të kakaos. Kompania Përpunuese e Kakaos, në Tema, është një prej tyre. Çdo vit, kompania thuhet se përpunon 65 mijë tonë metrikë kokrra kakaoje, por ka edhe një linjë çokollatash dhe sheqerkash, si shufrën Akuafo me shije limoni. Akuafo do të thotë “fermerë” dhe ka pasur qëllimin të ishte një dedikim për fermerët, puna e rëndë dhe djersa e të cilëve mbështetin ekonominë ganeze.


Karamelja Durian (Malajzi)
Mund të ngjajë e çuditshme të prodhosh karamele nga një frutë, për të cilën shkrimtari Richard Sterling ka thënë se mban erë “derr, terpentinë dhe qepë, të dekoruara me një çorape palestre”. Shija e frutës masive është e çuditshme – një shije e ëmbël prej karameleje shpesh e përshkruar si një krem i rrahur me pak hudhër, ose siç ka shkruar natyralisti Alfred Russel Wallace, ‘‘ shije që të ndërmendin atë të kremit të djathit, salcës së qepëve, verës sheri dhe gatimeve të tjera të papërshtatshme. E megjithatë kjo sheqerkë është një suvenir nga Malajzia dhe Azia juglindore. Megjithëse i ka fansat e saj, karamelja duruan ka qenë edhe subjekt i videove si “Të provosh karamelen më të keqe në botë” apo “Reaksioni nga karamelja Durian”.


Rrëfenjat e fansave Allens - Allens Fantales (Australi)
Këto karamele të mbuluara me çokollatë e kanë marrë emrin nga informacionet e vogla rreth në mbështjellëset e tyre, pak a shumë si rrëfenja fansash. Ato u krijuan më 1930-ën, për të fituar të ardhura nga mania e yjeve të filmave. Sot, sheqerka është në pronësi të Nestlé dhe ekipi i shkrimtarëve të këtyre copëzave të vogla të historive gërmojnë në fakte të të famshmëve nga Australia dhe e gjithë bota. Ja një mbështjellëse: “I lindur në New South Wales, më 1939-ën, ai punoi si bojaxhi në Urën e Gjirit të Sidnejit, përpara se të merrte famë në fillim të viteve ’70, pas intervistës komike në “Një Çështje e Rëndësishme”. Më pas u bë sukses botëror me performancën e tij, në “Krokodili Dundee’ (1986), ku ishte edhe skenarist.” Përgjigja: Paul Hogan.


Chupa Chups (Spanjë)
Nga të gjitha sheqerkat në botë, Chupa Chups mund të ketë skicuesin më të famshëm. Më
1969-ën, Enric Bernat, biznesmeni spanjoll pas markës së lëpirëses, i kërkoi mikut të tij Salvador Dalisë, të krijonte një logo. Megjithëse ka pësuar ca përpunime të vogla nga atëherë, logoja ka rezistuar, ashtu si edhe emri, që përkthehet si “thithe-thith”. Qëkur u publikua më 1950-ën, lëpirëset u bënë të disponueshme në 177 shtete dhe kanë vajtur edhe në hapësirë, madje, kur astronauti rus i çoi në stacionin hapësinor, Mir. Sot, shijet më të shitura janë me luleshtrydhe dhe cola, që janë dy nga pesë të parat, bashkë me mentën, limonin dhe portokallin.

Baci (Itali)
Më 1922, një prodhuese ëmbëlsirash, gruaja e martuar Luisa Spagnoli, vendosi se duhet të bënte diçka me lajthitë e mbetura në fabrikën e saj të çokollatave. Ajo vendosi një kokërr të plotë lajthie në majë të një çokollate, me qumësht të rrahur dhe lajthi të grira dhe, e mbuloi me çokollatë të zezë. Rezultati dukej si një grusht, ndaj ajo i dha emrin “cazzotto”. Por dashnori i saj, i biri i partnerit të biznesit që ishte dhjetë vjet më i ri, vendosi se një kuti grushtesh nuk mund të ishin një dhuratë romantike. Të dy e riemërtuan “bacio”, puthja, më 1924-ën. Qysh nga vitet ’30, secila copë vjen e mbështjellë me shprehje nga artistë, shkrimtarë e filozofë, thuhej se ishte një lidhje për mesazhet, që dy dashnorët mund t’ia kalonin njëri-tjetrit në mënyrë të fshehtë.


Llokum (Turqi)
I quajtur delikatesë turke në botën perëndimore, kjo sheqerkë si gomë xhelatine e mbuluar me sheqer pluhur ka emrin vendas që rrjedh nga një frazë që do të thotë “ngushëllim për fytin”. Disa thonë se u krijua për haremin e sulltanit, por versionet moderne të ëmbëlsirës i atribuohen kryesisht Bekir Efendut, një pastiçier i cili hapi dyqanin e tij, “Haci Bekir”, pranë pazarit të erëzave në fund të 1700-ës. Breza më vonë, të afërmit e Efendiut e drejtojnë e nde kompaninë. Llokumi e mori pseudonimin delikatesa turke kur mbërriti në Britani në mes të shekullit të 19-të dhe 100 vjet më vonë, u shfaq në një klasik të C. S. Lewis “Luani, Shtriga dhe Gardëroba” . Ndërsa prodhohej tradicionalisht me vetëm sheqer, melasë apo mjaltë, versionet e Haci Bekirit kishin edhe përbërës si fëstëku apo shega.


Lepuri i Bardhë – White Rabbit (Kinë)
Karamelja Lepuri i Bardhë është i famshëm në Kinë – kryeministri Zhou Enlai i dha Richard Nixon-it një qeskë, gjatë vizitës historike më 1972-shin, por mbështjellësja nuk ka pasur gjithnjë lepurin e bardhë. Karamelja e butë me shije vaniljeje dhe qumështi u prezantua, fillimisht më 1943-shin, me një figurë të Mickey Mouse-it në paketim, por në fund të viteve ’50, kompanitë e karameleve po shtetëzoheshin dhe imazhet perëndimore nuk shiheshin me sy të mirë. Në historinë e saj 75-vjeçare, ëmbëlsira u bë popullore në të gjithë botën. Në vitin 2008, kur një incident që lidhej me qumështin e ngjyrosur me melaminë tronditi Kinën, prodhimi u mbyll për disa muaj, për të siguruar se sheqerka ishte e sigurt për konsum, megjithëse në Singapor, konsumatorëve iu tha se mund të hanin 47 copa, çdo ditë, përpara se të shfaqnin efektet e sëmundjes. Dhjetë vjet më vonë, kompania i bën ëmbëlsirat vetëm me qumësht pluhur të importuar nga Zelanda e Re.


Brigadeiro (Brazil)
Brigadeiro, një zhardhok kërpudhash, është klasike në Brazil dhe serviret shpesh në festa. Historia tregon se emrin e ka marrë nga Brigadier Gjenerali Edoardo Gomes, kandidat i zgjedhjeve presidenciale të vitit 1945. Gjenerali nuk i fitoi zgjedhjet, por trashëgimia e tij jeton sot në këtë ëmbëlsirë me çokollatë. Për t’i bërë vetë, bëni topa me kremkaramel duke kombinuar pudër kakaoje, qumësht të kondensuar dhe gjalpë, pastaj pluhurojeni me sheqer. Ose frymëzohuni nga versioni hipster që mund të gjeni nga Nju Jorku në Brazil, që përfshijë fëstëkët, arra kokosin apo çajin jeshil.


Pass Pass Pulse (Indi)
Kjo ëmbëlsirë me shije mangoje ka një surprizë në mes: erëza pluhur që prodhuesi i quan “bomba masala”. (Në Indi, mangot shoqërohen shpesh me erëza pikante.) Megjithëse karamelet kanë qenë shumë të shitura qëkur u prezantuan më 2015-ën, madje duke barazuar shitjet e Coca Cola-s, kur prezantoi Coke Zero në tregun indian, ëmbëlsira mund të ketë kaluar kohë të vështira në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërsa pjesa e jashtme e karameles së fortë ka një shije të ëmbël, bomba ka një shije sulfuri që mund të ngjajë shumë me vezët e prishura për qiellzën amerikane.


Dredhkat e kuqe - Red vines (ShBA)
Të lindura në një fabrikë likeresh, në Shën Francisko, në fund të viteve ’50, kanë qenë të parapëlqyerat e amatorëve të kinemasë dhe fëmijëve që u pëlqen të kafshojnë fundet e të bëjnë kërcej, për më shumë se gjysmë shekulli. Falë gjithëpranisë së tyre dhe zënkave mes bregut Lindor dhe Perëndimor që ka ndezur me fansave të Twizzler-ave, ata janë bërë një pikë e nxehtë kulturore, duke u shfaqur në seriale televizive si ‘‘Gilmore Girls,’’ ‘‘The Big Bang Theory,’’ ‘‘True Blood,’’ ‘‘Last Week Tonight With John Oliver’’ dhe ‘‘Weeds.’’ Në një episod të ‘‘Parks and Recreation,’’ , ku protagonistja Leslie Knope, përpiqet të zbutë marrëdhëniet me të atin e të fejuarit, i ofron një tas të madh me dredhka të kuqe. Përgjigja? Ne jemi një familje Twizzler-ash.”


Kërcet e Kafesë - Coffee Crisp (Kanada)
Shufra e dashur e çokollatës e ngjashme me Kit Kat, Coffee Crisp prodhohet nga një fabrikë Nestlé në Toronto dhe nuk shpërndahet jashtë vendit, megjithë zhgënjimin e fansave amerikanë. Në vitet 2000, një burrë nga Miluoki i quajtur John Flaig, hartoi një peticion duke i kërkuar kompanisë t’i dërgonte ëmbëlsirat në ShBA. Gjashtë vjet më vonë, Nestlé nisi t’i shesë në kufirin jugor, por me një mbështjellëse tjetër. Por fatkeqësisht nuk zgjati: sot amerikanët që duan t’i provojnë, duhet të kapërcejnë kufirin.


Cri Cri (Venezuelë)
Savoy, kompania fillestare pas Cri Cri, u themelua nga katër emigrantë në një garazh të Karakasit, më 1941-shin. Një prej tyre, John Miller, kishte sjellë me vete një makineri që bënte çokollatë, nga Skocia dhe, e përdorën për të krijuar kallëpin e çokollatës Savoy. Thuasje 30 vjet më vonë, kompania krijoi një version të mbushur me oriz. Më 1980-ën, çokollata u quajt Cri Cri, falë një formule që themeluesit e morën duke folur me miq, fqinj dhe fëmijë. Emri duhet të ishte i shkurtër dhe i thjeshtë në shqiptim. Sot, Savoy është një nga kompanitë lider të ëmbëlsirave në Venezuelë dhe produktet e saj shpesh dhurohen gjatë dhjetorit, me rastin e Amigo Secreto, që është versioni venezuelas i babagjyshit sekret.


Bon o Bon (Argjentinë)
Bon o Bon është një mbulesë çokollate me qumësht nën një vafer me krem, shijesh të ndryshme. Çdo ditë, fabrikat në Argjentinë, Meksikë dhe Brazil prodhojnë tremijë ëmbëlsira në minutë dhe 70 përqind e prodhimit eksportohet në të gjithë botën. Më 1989-ën, marka ndihmoi në caktimin e Javës së Ëmbëlsisë në Argjentinë, një fushatë inteligjente marketingu që inkurajon adhuruesit e ëmbëlsirave të këmbejnë karamele me puthje. Funksionoi: Shitjet e karameleve në Argjentinë u rritën me afro 20 përqind për një javë, çdo korrik. Motoja e sheqerkave? “Ku ka emocion, ka Bon o Bon.’’


Tabletat e qumështit - Pastillas de Leche (Filipine)
Pastillas janë ëmbëlsira popullore me bazë qumështi, me prejardhje nga San Miguel, në Filipine. Receta tradicionale kombinon qumështin e carabao-s, buallin e ujit që shërben si kafsha kombëtare, me qumësht pluhur dhe sheqer dhe kërkohet që karamelja e butë të rrotullohet në trungje të vegjël dhe të mbulohet me mbështjellëse letre. Në krahinën e Bulakanit, mbështjellëse, të quajtura pabalat, janë bërë një farë arti me dizajnë prej letre të prerë. Pastillas janë ëmbëlsirë festash dhe shpesh dhurohen për ditëlindje dhe martesa.


Bebet prej xhelatine - Jelly Babies (Angli)
Nëse kafshimi i kokës së një ariu prej gome të lë ndjesi të çuditshme, merrni parasysh aktin e nguljes së dhëmbëve në një bebe xhelatine, një karamele në formën e një foshnje. Sipas të dhënave, ajo çka një pastiçier i shekullit të 19 pati në mendje të dukej një fasule xhelatine doli të ngjante më shumë si një bebe, kështu që ai i quajti bebet e pakërkuara – si ato të lëna shpesh në dyert e kishës, atëkohë. Më 1918-ën, Basset-ët e Shefildit, i shitën nën emrin e Bebeve të Paqes dhe më 1953-shin, u rimemëruan si Bebet prej xhelatine. Një pjesë e famës së tyre vjen nga fansat e famshëm: Doctor Who i Tom Baker-it i mbante në xhep dhe George Harrison thuhej se e pëlqente ëmbëlsirën, që i çuan Beatles-at të bombardoheshin me to.


Super hiper i athët - Súper Hiper Ácido (Ekuador)
Super Hiper Ácido (S.H.A.) është ashtu siç thotë edhe emri: i athët. Mbase gjëja më e thartë që keni vënë në gojë ndonjëherë. Confiteca, kompania ekuadoriane pas saj, i ka krijuar për qiellzat më ekstreme të dashuruesve të karameleve. Për t’u siguruar se shija e athët ishte mjaftueshëm sfiduese, Confiteca zhvilloi shkallën e vet të thartësirës dhe deklaroi se çdo produkt i Super Hiper Ácido ,që kompania nxjerr në treg , kishte rezultuar sukses në të paktën 90 përqind. Marka e produktit tani përbën 42 përqind të eksporteve dhe janë popullore në Arabinë Saudite, Bolivi, Emiratet e Bashkuara Arabe, Panama dhe Izrael.


Motiv Zuckerl (Austri)
Sheqerkat e rrumbullta, të buta, duken më shumë si motivet e qelqit nga Venecia sesa diçka që duhet ngrënë: ato përfshijnë piktura të vogla e të bukura të gjithçkaje, nga frutat, tek sloganet dhe logot e kompanive. Një çift austriak, Maria Scholz dhe Chris Mayer, ishin me pushime në Suedi dhe hasën një fabrikë ëmbëlsirash dhe u dashuruan me karamelebërjen. Kur u kthyen në vendin e tyre, kërkuan artizanë që njihnin mënyrën e vjetër austriake të prodhimit të karameleve të forta, me dorë. Më 2013-ën, çifti hapi një njësi prodhuese në Vjenë, duke prodhuar karamele shumë të bukura, me gati 80 shtresa e duke përdorur vetëm tre mjete: gërshërë, spatula dhe duart e tyre.


TomTom (Nigeri)
E njohur për mbështjellësen me vijat e zebrës, TomTom është një karamele e fortë me mente që të siguron pak sheqer, frymë më të freskët dhe, sipas sloganit, “lehtësim”. Shijet aktuale janë klasike, me mjaltë, limon dhe luleshtrydhe.) Cadbury i ka prodhuar karamelet në Lagos, qysh prej 1970-ës. Është karamelja zyrtare e SuperEagles, ekipi kombëtar i futbollit në Nigeri.


Gaz (Iran)
Versioni tradicional i gazit, një bonbone perse e mbushur me lajthi, e merr ëmbëlsinë nga jashtëqitjet e një buburreci i quajtur tamarisk manna, që gjendet në pemët e brukës, në Iranin qendror. Njerëzit fillimisht i dinin për qelibar këto jashtëqitje për shkak se thaheshin në pemë. Karamelja vjen nga Isfahan dhe bëhet duke kombinuar këto ekskremente me niseshte, të bardha vezësh dhe sheqer, nxehen derisa të bëhet një pastë dhe më pas i hidhen fëstëkë. Serviret me topa sferikë. Një lajm i mirë: shumica e versioneve bëhen me ëmbëltues të tjerë.


Shkëmbi i Edinburgut - Edinburgh Rock (Skoci)
Edinburgh Rock, një ëmbëlsirë që duket më shumë si shkop shkumësi, u shpik nga një skocez i njohur si Sweetie Sandy në shekullin e 19-të, Kohëve të fundit, Ross-ët e Edinburgut, e vetmja kompani që prodhon ëmbëlsirën në Skoci, do të mbyllej dhe asnjë pasardhës nuk donte të merrte në dorë biznesin e familjes. Por një biznesmen vendas James Anderson e bleu dheS hkëmbi i Edinburgut vazhdon të prodhohet në Skoci. Shijet përfshijnë mente, mjedra, portokall, limon dhe vanilje.


Super Twister (Pakistan)
Super Twister, një kallam alteje me gamë ngjyrash si të një bishti njëbrirëshi. Paketimi është dizajnuar veçanërisht për të tërhequr fëmijët. Një reklamë e animuar për karamelen shfaq fëmijë që shtjellin re të vizatuara dhe ylbere, për të krijuar ëmbëlsirën me ngjyra pasteli.


Ghana (Koreja e Jugut)
Mos e lini emrin t’ju ngatërrojë: I referohet prodhuesve më të mëdhenj të kakaos, jo vendit të prodhimit. Çokollata njihet për reklamat emocionuese; në vitet ’80, ata përdornin sloganin “Edhe vetmia duket e ëmbël me Ghana”.


Lacta (Greqi)
Çokollata Lacta nisi në vitet ’60, e njohur si Galacta, e emërtuar prej gala, fjala greke për qumësht. Në vitet ’90, marka u përpoq të mos njihej më vetëm për fëmijë dhe u fokusua tek slogani i ri: “Pjesa më e ëmbël e jetës”. Kompania u dyfishua më 2010-ën, duke kryqëzuar histori dashurie nga fansat me premtimin se do të krijonte një video me fituesin. Mori 1307 histori dhe bëri një video 27 minutash, me më shumë se 11 mijë njerëz që votonin online për të zgjedhur aktorët, emrat e personazheve dhe gardërobën; disa prej tyre madje ishin edhe figurantë. “ Dashuria në Veprim” u shfaq në kanalin më të madh grek, gjatë Shën Valentinit. Sot Lacta, është një nga çokollatat më të shitura të qumështit në të gjithë vendin.


Ptasie Mleczko (Poloni)
Kjo ëmbëlsirë, që përkthehet si “qumësht zogu” është i përbërë nga një mbushje e ajërt me shkumë vaniljeje, mbuluar me çokollatë. Karamelja është frymëzuar nga udhëtimi i pastiçierit polak Jan Wedel, në Francë, ku zbuloi altenë. Wedel e nisi prodhimin në fabrikën e familjes, më 1936-ën. Pas pushtimit të Polonisë, kompania u detyrua të prodhonte çokollata për gjermanët dhe Wedel u internua në kampet naziste, në Pruszkow. I mbijetoi luftës, por kompania E. Wedel u shtetëzua nga komunistët dhe u drejtua nga qeveria, deri më 1989-ën. Tani është në pronësi të një konglomerati korean dhe ka shije dhe versione për çdo festë. Në vjeshtë ato janë me kafe me qumësht dhe gjalpë kikiriku.


Pufkat Amazon - Amazon Pops (Zambia)
Pufkat janë popullore edhe në Tanzani dhe Afrikën e Jugut, ku kompania prodhuese Trade Kings pretendo se ka hapur linjën me të madhe të prodhimit të ëmbëlsirave në Hemisferën e Jugut, më 2010-ën. Ëmbëlsira vjen me shije qershie të zezë, luleshtrydhe dhe limonadë rozë.


Thelat e ananasit (Zelandë e Re)
Historia e tyre nisi më 1953-shin me Charles Richard Diver, një shef pastiçier në Oamaru, Zelandë e Re. Ai mendoi ç’mund të bënte me altenë me shije ananasi nga një produkt tjetër, kështu që i mbuloi me çokollatë dhe i pagëzoi thelat e ananasit. Me kalimin e viteve u kthyen në ëmbëlsirën klasike të Zelandës së Re. Mos i ngatërroni për ëmbëlsirë australiane!


Pelon flokëbukuri - Pelon Pelo Rico (Meksikë)
Tamarinda, një frutë e tultë me shije të ëmbël e të athët, është një nga shijet e zakonshme të karameleve në Amerikën Latine. Prej tyre, Pelon Pelo Rico mund të jetë më e krisura: një tas plastik me xhel tamarinde që mund ta shtrydhësh në majë dhe kështu duket si një burrë që i rriten flokët. Ky produkt doli në treg më 1985-ën dhe shet me qindra miliona njësi çdo vit, në Meksikë. Karamelja vjen me shije të ndryshme, por fansat e karameles pikante do të zgjidhnin ‘‘hot intenso.’’


Caprice (Algjeri)
Société des Produits de Sucre Caprice, në Algjer, i kanë prodhuar këto karamele të vogla e të buta qysh prej vitit 1965. Sot, karamelja shpërndahet në disa vende të rajonit të Magrebit dhe në disa pjesë të Europës. Megjithëse kompania gjithashtu prodhon karamele me shije frutash, kafe, gjalpë dhe mente dhe çamçakëz me shije të të gjitha frutave, karamelja klasike me ambalazh të artë është i preferuari i algjerianëve.

Hi-Chew (Japoni)
Taichiro Morinaga, themeluesi i kompanisë që prodhon Hi-Chew, u rrit në varfëri. Më 1888, kur ishte 23-vjeç, u shpërngul nga Japonia drejt ShBA-së, ku provoi për herë të parë karamelet dhe vendosi të bëhej prodhues karamelesh. Pas 11 vitesh, hapi dyqanin e tij në Tokio dhe, më 1918-ën ishte i pari prodhues ëmbëlsirash që prodhonte çokollatë. Vite më vonë, ndërsa kërkonte një karamele të ngjashme me gomën që mund ta kapërdish për të shmangur heqjen e ushqimit nga goja, ai shpiku pararendësin e Hi-Chew, një karamele me material më të butë. Nga viti 1975, në treg gjenden më shumë se 170 shije të Hi-Chew.

Fenerë gjithfarëllojesh - Beacon Allsorts (Afrikë e Jugut)
Nuk janë koncept afrikan, pasi janë shpikur nga kompania britanike Bassett, por versioni Beacon është karamelja me liker më e shitur, në Afrikën e Jugut. Kompania nisi nga një emigrant lituan, që e nisi biznesin duke prodhuar çokollatë në vitet ’30. Beacon i nxjerr Allsorts si ushqim loje, për shkak të ngjyrave dhe formave që mund t’i tërheqësh dhe të luash me to dhe janë shumë popullore edhe mes “fëmijëve të rritur”, ata të moshës 18 deri 54 vjeç.


Glikanxot e Flavinjisë - Les Anis de Flavigny (Francë)
Kompania pas karameles me shije glikanxoje e ka origjinën në kohët e fitores së Cezarit mbi Galët, kur ai solli fara glikanxoje tek ushtritë e tij. Shekuj më pas, murgjit në Flavinji nisën të prodhonin karamele me farat, duke tërhequr dashamirës, përfshi edhe Luigjin IX. Sot, procesi është i njëjti, një farë dy miligramësh glikanxoje mbulohet me shtresa sherbeti derisa të ndërtohet një karamele e fortë që peshon një gram. Ato janë prodhuar nga familja Troubat, nga viti 1923 dhe, mund të vizitoni fabrikën, që është ende një manastir në Francë.


Sublime (Peru)
Këtë vit, ëmbëlsira peruane, karamelja me çokollatë qumështi dhe kikirik, mbush 90 veç.
Gjatë dekadave sundoi tregun e çokollatave në Peru dhe marka, tani në pronësi të Nestlé, ende shet 148 milionë karamele në vit. Sapo ka pësuar edhe një përditësim me paketimin dhe sloganin në mbështjellëse “Vish një buzëqeshje”. Për ta treguar, kompania ka nisur fushata të mëdha marketingu në televizion, gazeta dhe në ekranet në ambiente të hapura në Lima.

Shokolad Para (Izrael)
Shokolad Para, që përkthehet çokollata e lopës, u prezantua në vitin 1933 si Shamnunit, por në vitet ’50 u riemërtua për shkak të imazhit të lopës në mbështjellëse. Fillimisht vetëm me çokollatë qumështi, tani është e disponueshme me gjithçka nga nuga tek orizi i fryrë tek pufkat. Aktorja e ‘Wonder Woman’’ Gal Gadot e kishte me vete në emisionin ‘‘The Tonight Show’’ që moderatori Jimmy Fallon, ta provonte live. Shokolad Para është karamelja më e shitur në Izrael.


Karamele Zana (Shqipëri)
Karamelet “Zana” janë një produkt shqiptar i prodhuar në punishtet e ëmbëlsirave, në Shqipëri. Ato u shfaqën pas viteve ‘80 dhe ishin të mbështjella me letër të kuqe të tejdukshme dhe brenda me një letër të bardhë. Përbërëit bazë janë sheqeri, qumështi dhe gjalpi.  Ato ishin të pranishme në tregun shqiptar edhe pas viteve 1990. Ekziston një legjendë urbane sipas së cilës, skuadra e Partizanit përpara ndeshjeve të rëndësishme konsumonte një sasi të konsiderueshme karamelesh. Fëmijët madje kishin sajuar edhe vargje të rimuara për karamelen, “Karamele Zana, vijnë nga Tirana… nga Tirana Peshkopi, çfarë numri do ti?

*Marrë  nga New York Times.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë