Politike

Rregullorja, PS ngul këmbë për “provat” para arrestimit të deputetit

Në seancën e 30 janarit të këtij viti, kur Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe aleatët e tyre nuk kishin marrë ende vendimin për të djegur mandatet në grup, në Komisionin e Ligjeve bëhej diskutimi i radhës mbi propozimin e socialistëve për ndryshimin e rregullores së Kuvendit.

Propozimi qortohej nga Enkelejd Alibeaj i PD-së.

“Po thoni se doni ta miratoni vetëm duke prishur traditën për konsensus. Tani u binda se nuk është lapsus, është në shkelje të rregullores. Sot po e fusni me dhunë në rregullore imunitetin. Frikën kush e ka? Po fusni sot edhe një herë koracën imunitare për të mbrojtur deputetët nga ndjekja penale”, deklaronte ai.

Diskutimet për ndryshimin e rregullores qëndrojnë nëpër korridoret e Kryesisë së Kuvendit që prej dy vitesh. Por, përpjekjet për konsensus kanë dështuar njëra pas tjetrës nga agjendat e ndryshme politike mes mazhorancës dhe opozitës. PD deklaronte se ndryshimet duhej të shqyrtoheshin nga Këshilli i Rregullores dhe të Mandateve, ndërsa nga socialistët, Ulsi Manja i kthente përgjigje Alibeajt duke deklaruar se ndryshimet duhet të kishin ndodhur që në vjeshtën e 2018 dhe fajësonte opozitën për bllokimin e tyre.

“Bojkoti i opozitës bëri që të bllokohet edhe Këshilli i Mandateve, i cili drejtohej për këtë periudhë nga opozita”, deklaronte ai.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, përjashtonte mundësinë e miratimit të ndryshimeve në rregullore pa marrë më parë konsensusin e opozitës. “Këto ndryshime nuk miratohen pa konsensusin e opozitës”, deklaronte ai.

Sot, deputetët që kanë zëvendësuar mandatet e lëna nga PD dhe LSI janë ulur në karriget e komisioneve parlamentare. Me plotësimin e vendeve në Komisionin e Ligjeve, mazhoranca ka rikthyer për shqyrtim projektvendimin për ndryshimin e rregullores së Kuvendit në mbledhjen e 15 majit të këtij komisioni.

Rikthimi, edhe pse me të tjerë emra opozitarë përballë nuk ka shmangur debatet. Epiqendër e tyre kanë qenë ndryshimet e propozuara në nenin 118 të rregullores. Mazhoranca propozon riformulimin e pikës 1 të këtij neni, pikë që ka të bëjë me autorizimin për procedim penal ndaj një deputeti.

Në këtë pikë përcaktohet se kërkesa për të autorizuar caktimin e masës së sigurimit të arrestit me burg, ose në shtëpi, të heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, kontrollit personal, ose të banesës, i paraqitet Kryetarit të Kuvendit nga Prokurori dhe kërkesa përmban një relacion të arsyetuar dhe të shoqëruar me provat që e mbështesin atë.

Pjesa që ndryshon ka të bëjë fillimish me personin që paraqet kërkesën. Në rregulloren aktuale këtë tagër e ka Prokurori i Përgjithshëm. Rregullorja e re ia njeh edhe prokurorëve që hetojnë rastin. Por, debati është përqëndruar tek pjesa e fundit e ndryshimeve, që detyrojnë prokurorin të paraqesë provat që zotëron para Kuvendit.

Para djegies së mandateve, Partia Demokratike e cilësonte shkelje flagrante dhe përpjekje të mazhorancës për të bërë edhe prokurorin, edhe gjykatësin. Sipas PD-së, dorëzimi i provave nga ana e prokurorisë për të marrë autorizimin cenon sekretin hetimor dhe i jep Parlamentit padrejtësisht veton për të vendosur nëse duhet arrestuar apo jo një deputet.

Por, kundër propozimeve nuk ka qenë vetëm opozita parlamentare e atyre ditëve. Fatmir Xhafaj qortonte kolegët e tij socialistë. Ish-kryetari i Komisionit të Ligjeve dhe ish-ministër i Brendshëm u shpreh se ndryshimet më tepër duhet të fokusohen te roli i deputetit, pasi siç tha ky rol është zbehur.

Mbetet për t’u parë se cili do të jetë qëndrimi që do të mbajën deputetët e rinj që kanë dalë nga listat e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në njoftimin e Kuvendit për mbledhjen e së mërkurës thuhet se projektvendimi ishte miratuar në parim nga anëtarët e Komisionit, por pas diskutimeve për nene të veçanta, për të cilat anëtarët e komisionit patën disa sugjerime, u la I hapur diskutimi dhe votimi u shty për një nga mbledhjet radhës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë