Politike

Rregullorja, Xhafaj kundër PS: Deputetët u bënë thjesht kartona

Nisma e mazhorancës për ndryshimin e rregullores së Parlamentit po has kundërshtime edhe nga brenda radhëve të Partisë Socialiste. Komisioni Parlamentar i Ligjeve diskutoi sërish nismën për të ndryshuar rregulloren, por opozita e kontestoi sërish nismën duke deklaruar se çdo ndryshim duhet të realizohet në Këshillin e Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit.

Ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka shprehur rezervat e tij në lidhje me këtë nismë të re, duke e lidhur me faktin se rregulloja po ndryshohej disa herë. Nisur nga kontestimet e opozitës Xhafaj vuri në dukje se këto ndryshime nuk mund të bëhen pa konsensusin e kundërshtarëve politikë në Parlament. Ish-kryetari i komisionit të Ligjeve u shpreh se ndryshimet më tepër duhet të fokusohen te roli i deputetit, pasi - sipas tij - ky rol është zbehur.

“Nuk është pozitive që nga 2005 deri 2017 rregullorja është ndryshuar 8 herë. E vlerësoj punën e Hysit për materialin e paraqitur për rregulloren. Bie dakord që të jetë proces konsensual. Propozimet e sjella duhet të sjellin një projekt të qëndrueshëm. Rregullorja dhe ndryshimet nuk fokusohen te roli i deputetëve. Ajo që do doja të shihja në këto ndryshime do ishte roli i deputetit në procesin ligjvënës dhe në raport me zgjedhësin. Ndryshimet e 2008 e kanë zbehur rolin e deputetit. Janë shndërruar më shumë në kartona sesa persona me identitet. Kjo është gjëja që duhet të na shqetësojë më shumë”, deklaroi Xhafaj.

Deputeti socialist më pas ka shtuar se puna duhet të fokusohet më tepër në rregullimin e atyre ndryshime që koha tregoi se ishin të dëmshme. “Funksioni kontrollues i Legjislativit ndaj Ekzekutivit është i dobët dhe duhet parë me vëmendje. E rëndësishme është përmbajtja e projektit dhe jo ku shqyrtohet”, theksoi Xhafaj.

Ndërsa opozita paraqitur edhe një herë kërkesën që këto ndryshime të shqyrtohen nga ana e Këshillit të Rregullores. Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj deklaroi gjatë diskutimeve se mazhoranca nuk e respekton Rregulloren e Kuvendit e kësisoj, ai u shpreh më tej se çdo tentativë për klonim të rregullore duhet të kalojë në Këshillin e Mandateve, në mënyrë që mazhoranca të mos ketë mundësi ta përdorë forcën e kartonit. “Çfarë diskutimi bëni, çfarë do të thotë ‘kur të diskutohen nen mbi nen, do e heqim’. Por edhe mund të mos e hiqni. Plotësoni kërkesën tonë, hiqni dorë sepse përgjërimet me fjalë nuk çojnë askund. Miratimi i rregullores bëhet në Këshillin e Rregullores dhe Mandateve. Kërkoni ta ndryshoni rregulloren në Komision të Ligjeve se keni shumicën e votave. Po kërkoni të ndryshoni Rregulloren duke shkelur Rregulloren”, deklaroi demokrati Enkelejd Alibeaj.
Të njëjtën linjë mbajti edhe deputeti i PD-së, Gent Strazimiri. Deputetët propozuan që nisma të shqyrtohej në Këshillin e Rregullores, organi i Parlamentit që përbëhet me 10 anëtarë, me numër të barabartë votash mes mazhorancës dhe opozitës. Por kërkesa e tyre është hedhur poshtë me votë nga ana e mazhorancës.
Refuzimi i kësaj kërkese bëri që opozita të braktisë mbledhjen, duke vendosur gjithashtu që edhe dy deputetët e opozitës Nasip Naço i LSI-së dhe Enkelejd Alibeaj i PD-së të mos jenë relatorë të kësaj nismeje, por vetëm socialistja Vasilika Hysi.

Çfarë propozon PS me Rregulloren e re?
Partia Socialiste propozon ndryshimin e Rregullores së Parlamentit duke i vendosur kushte prokurorisë sa i takon hetimit dhe arrestimit të deputetëve. Për këtë ka paraqitur një amendim për nenin 118 të Rregullores, ku arrestimi apo hetimi i deputetit nuk mund të kërkohet pa paraqitur prova bindëse para Këshillit të Legjislacionit.
PS ka propozuar ndryshimin e rregullores duke vendosur kushte ndaj prokurorisë. Me rishikimin e nenit 118 hetimi ose arrestimi i deputetit nuk mund të kërkohet pa paraqitur prova bindëse para Keeshillit të Legjislacionit dhe Mandateve në Kuvend. Një debat i tillë u zhvillua dy vite më parë edhe me rastin e kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme ku kërkohej Parlamentit arrestimi i ish-deputetit të PS-së, Saimir Tahiri.
Një tjetër ndryshim favorizon bojkotet e partive, pasi sipas rregullores së re edhe bojkoti konsiderohet si veprimtari parlamentare. Për sa u përket financimeve, PS kërkon një tjetër formulë shpërndarje të fondeve.
Kjo është mbledhja e dytë që Komisioni i Ligjeve bën për këtë çështje. Në mbledhjen e parë, opozita ngriti aludimet se kjo ndërmerret për faktin se mazhoranca ka frikë nga arrestimet e mundshme dhe po vendos këtë korracë.
Nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Enkelejd Alibeaj, theksoi se PD është kundër çfarëdolloj tentative për të rikthyer në Rregullore imunitetin e deputetëve.
“Asnjë dispozitë që rrit, shton imunitetin e deputetëve që janë në ndjekje penale, është e papranueshme për ne. Kërkesa ime është që të nxirrni nga rendi i ditës, është një lapsus në rastin më të mirë, të Konferencës së Kryetarëve, që e ka sjellë si lëndë, pranë Komisionit të Ligjeve. Ju nuk respektoni Kushtetutën dhe Rregulloren siç duket ju ka mbetur vetëm një gjë, çështjen e imunitetit e deputetëve. Kjo e sotmja që po bëni ju, të fusni edhe një herë çështjen e imunitetit të hequr nga Kushtetuta në 2012-ën, dhe e mbani mend që nuk donit ta hiqnit imunitetin, sot po e fusni me dhunë. Frikën kush e ka? Po fusni imunitetin për të mbrojtur deputetët nga ndjekja penale”, tha Alibeaj në Komision.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë