Politike

Si mund të arrestohet një deputet? PS dhe PD përplasen në Kuvend

Nisma e mazhorancës për të ndryshuar Rregulloren e Parlamentit ka hasur në kundërshtimin e plotë të opozitës, e cila e cilëson si një kthim të imunitetit të deputetëve.

Në projektvendim thuhet se nëse Prokuroria do të kërkojë heqjen e imunitetit të një deputeti, provat e hetimit duhet t’ua paraqesë edhe anëtarëve të Këshillit të Mandateve.

Sipas këtij propozimi, kërkesa e Prokurorisë për të autorizuar caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, heqjes së lirisë në çfarëdolloj forme, kontrollit personal ose të banesës, i paraqitet kryetarit të Kuvendit nga prokurori dhe kërkesa duhet të përmbajë një relacion të arsyetuar dhe të shoqëruar me provat që mbështesin kërkesën. Deri më tani, Prokuroria ka kërkuar arrestimin e deputetëve bazuar në indicie dhe dyshime të arsyeshme.

Komisioni parlamentar i Ligjeve

Ky ndryshim është kritikuar ashpër nga deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj. Gjatë fjalës së tij në Komisionin e Ligjeve, Alibeaj u shpreh se heqja e imunitetit të deputetëve është bërë nga Kushtetuta që në vitin 2012.

“Po thoni se doni ta miratoni vetë duke prishur traditën për konsensus. Tani u binda se nuk është lapsus, është në shkelje të rregullores. E kapët prokurorinë me Arta Markun. Arritjen e madhe të heqjes së imunitetit ju doni ta fusni sot në rregullore. Imuniteti është hequr nga Kushtetuta në vitin 2012. Ky parlament është i lidhur me krimin. Ju tregoni me këtë se deri ku ka shkuar frika juaj. Arritjen e madhe të heqjes së imunitetit ju doni ta fusni sot në rregullore. Imuniteti është hequr nga Kushtetuta në vitin 2012. Ky parlament është i lidhur me krimin. Ju tregoni me këtë se deri ku ka shkuar frika juaj. Është turp i madh.”- tha Alibeaj. Sipas demokratit kjo nismë duhet të shqyrtohet nga Këshilli për Imunitetin dhe Rregulloren, por për shkak se atje janë 10 anëtarë, 5 nga PS dhe 5 nga opozita nuk kalon një ndryshim i tillë.

Kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja tha se ky vendim është votuar nga Konferenca e kryetarëve në nëntor të 2018 dhe se për shkak të bojkotit të opozitës. “Rregullorja duhet të ishte miratuar në sesionin e vjeshtës të vitit 2018, por bojkoti i opozitës bëri që të bllokohen edhe Këshilli i Mandateve i cili drejtohej për këtë periudhë nga opozita”, tha Manja.

Deputeti socialist Taulant Balla, si propozues i kësaj nisme tha se duhet të marrë fund dhe krijimi i grupeve parlamentarë si ai PR për të përfituar 30 milionë lekë në vit.

Deputeti i PS, Taulant Balla duke paraqitur nismën para komisonit të Ligjeve

“Përputhja e rregullores me kodin e sjelljes dhe këtë e kemi diskutuar. E ritheksoj ky material punë është në dispozicion të grupeve parlamentare. Pavarësisht bisedave që kemi zhvilluar, që gjithë kjo frymë pozitive të jetë dhe kjo nuk kalon pa dakordësinë tuaj. Anëtarët e këshillit të mandateve nuk i janë referuar rregullove, por Kushtetutës”, theksoi Balla.

Balla shtoi se PS nuk do të bëjë kurrë gabimet që ka bërë PD dhe se ndryshimet nuk do të votohen pa konsensusin e PD.
“Nuk i bëjmë gabimet që bëtë ju në 2010 dhe 2011. Në këtë draft 6 propozime janë nga ne, 12 janë nga opozita. Falenderoj Alibeajn që ka punuar për këtë dokument. Nuk miratohen ndryshimet në rregulloren e Kuvendit pa konsensusin e opozitës. Libri i Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë duhet të përditësohet sepse është shumë e vjetër. Ndryshimet nuk kalojnë pa dakordësine tuaj dhe ato të cilat që ju i referoheni do rrinë ashtu siç janë. Do ndryshojë rregullorja për grupet parlamentare, sepse nuk ka mundësi që të ngrihen grupe parlamentare me deputete që kalojnë nga një parti tek tjetra. Shkruajini si të doni. Ne do t'i miratojmë”, theksoi Balla.
Debati për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit u bë menjëherë pas kërkesës së Prokurorisë për heqjen e imunitetit dhe arrestimit të deputetit të PS-së, Saimir Tahiri. Asaj kohe mazhoranca rrëzoi kërkesën e Prokurorisë, duke kërkuar që të njihet edhe me materiale hetimore.
Tani me rishikimin e nenit 118 hetimi ose arrestimi i deputetit nuk mund të kërkohet pa paraqitur prova bindëse para Këshillit të Legjislacionit dhe Mandateve në Kuvend.
Deputetit, ndaj të cilit kërkohet autorizimi për procedim, i vihet në dispozicion kërkesa dhe dokumentet që e shoqërojnë atë, si dhe i bëhet e ditur koha kur Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të fillojë shqyrtimin e kërkesës.

Në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin merr fjalën prokurori, i cili paraqet arsyet e kërkesës drejtuar Kuvendit. Pas paraqitjes së kërkesës, çdo anëtar i Këshillit ka të drejtë t’i drejtojë pyetje prokurorit.

Shqyrtimi i çështjes në Këshill kryhet nëpërmjet një procedure që i garanton deputetit, ndaj të cilit kërkohet autorizimi për procedim, të drejtën për t’u informuar në
kohë, për t’u pyetur, për t’u dëgjuar dhe për të bërë pyetje ndaj kërkuesve të autorizimit si dhe për të paraqitur shpjegimet e tij.

Përpara diskutimit të çështjes, kryetari i Kuvendit fton dy relatorët të paraqesin vlerësimin e përgjithshëm mbi çështjen që shqyrtohet. Më pas vijohet me diskutimin në
Këshill. Në përfundim të diskutimit, Këshilli, brenda një jave, harton raportin për në seancë plenare. Raporti rekomandon miratimin ose rrëzimin e kërkesës për
dhënie autorizimi për procedim. Raporti i Këshillit u shpërndahet menjëherë deputetëve dhe bëhet publik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë