Lajme

Rregullat e reja të copyright në BE mund të sjellin fundin e meme-ve

Bashkimi Europian ka kaluar një përditësim gjithëpërfshirës mbi ligjet e pronësisë intelektuale, i pari që prej vitit 2001. Pjesa më e madhe e ndryshimeve në Direktivën e së Drejtës së Autorit në BE janë të debatuara, mbi mënyrën sesi menaxhohen dhe licencohen kontratat e së drejtës së autorit, por Artikulli 13 mund të ketë ndikim të madh në mënyrën sesi ndahen materialet online. Thënë më thjeshtë, i bën uebsajtet, përgjegjëse për të siguruar se përmbajtja e ngarkuar në platformat e tyre nuk cenon të drejtën e autorit. Përditësimet do të bëhen ligj, kur shtetet anëtare t’i përfshijnë rregullat në legjislacionin e vendeve të tyre.

Mirëpo,  ç’do të thotë konkretisht?

BE-ja thotë se direktiva bëhet që  “rregullat e së drejtës së autorit të jenë përputhshme me epokën digjitale”. Për t’u pajtuar me Artikullin 13, platforma si “YouTube” apo “Soundcloud”, do të duhet të garantojnë se çdo material, me të drejtë autori në sajtet e tyre është i licencuar dhe do të  garantojnë që artisti origjinal të marrë pagesë për përdorimin e tij.

Disa shërbime janë të përjashtuara nga ky rregull, si enciklopedi të llojit “Wikipedia”, platforma të zhvillimit të softuerëve si “Github” si edhe shërbime të arkivimit cloud.

Përse na duhet kjo?

Disa thonë se këto rregulla do t’i vënë kapakun ditëve të muzikës së piratuar dhe videove online dhe do të garantojnë që artistët të marrin pagesa të kënaqshme për punën e tyre. Mbështetës të kësaj direktive përfshijnë emra muzikantësh si Debbie Harry dhe Paul McCartney. Këto rregulla kanë gjithashtu për qëllim të sfidojnë pushtetin e gjigantëve të teknologjisë si “Google” dhe “YouTube”, duke i detyruar të paguajnë për përmbajtjen që grumbullojnë. Sidoqoftë, kritikët thonë se e kundërta është e vërtetë, ku uebsajtet e vegjël preken më ashpër nga direktiva.

Si ndikon kjo në mënyrën që e përdorim internetin? A duhet të shqetësohemi?

Janë pronarët e platformave dhe jo përdoruesit e internetit, ata mbi të cilët bie barra e rregullave të reja, por mund të sjellin edhe fundin e disa prej uebsajteve tuaj të preferuar. Nëse keni një uebsajt apo një forum, në të cilin njerëzit mund të postojnë tekste, imazhe apo videoklipe, do të jeni përgjegjës që të garantoni se nuk shfaqet asnjë material i palicencuar.

Meme nga protestat e studentëve,dhjetor 2018.

Pse është kontrovers ky rregull?

Përdoruesit thonë se këto rregulla rrezikojnë të vrasin kulturën e gjallë të internetit, si memet, që shpesh ripropozojnë material të palicencuar. Edhe statusi ligjor i “streamers”-ave, që postojnë foto të tyre duke luajtur video-lojëra online, vihet në diskutim. Pronarëve të uebsajteve nuk u kërkohet të instalojnë softuerë monitorues për të pikasur material me të drejtë autori, por praktikisht do të jetë e pamundur të garantosh se një sajt nuk po i shkel rregullat, pa pasur një softuer të tillë.

“Është e vështirë që këto mjete të identifikojnë përmbajtje, sepse nuk mund të identifikojnë kontekstin dhe kështu mund të marrin vendime të këqija”, thotë Jim Killock nga “Open Rights Group”, një grup advokues mbi të drejtat digjitale, me bazë në Britani. Përdoruesit mund të rrezikojnë t’ju hiqet përmbajtja nga softuerë-robotë tejet të zellshëm.

Artikulli 13 gjithashtu kërkon që pronarët e sajteve të implementojnë një proces ankesash për t’u përballur me vendimet e debatueshme, thotë Killock, që ka pak gjasa ta zgjidhë problemin. “Përvoja jonë thuajse kudo, është se njerëzit në përgjithësi nuk ankohen. Ata shqetësohen rreth efekteve mbi reputacionin e tyre, shqetësohen rreth shtrirjes ligjore, kështu këto mjete do të kenë efekt frikësues.” Në vend që të rrezikojnë sanksione të mëtejshme, përdoruesit thjesht mund të ndalin së prodhuari përmbajtje për publikim online. Megjithëse uebsajtet me më pak se tre vite, ose me një xhiro më pak se 10 milionë euro, janë përjashtim, uebsajtet kanë sërish nevojë të planifikojnë se kur këto përjashtime, nuk do të aplikohen më për ta.

E megjithatë, diçka duhej bërë për piraterinë, apo jo?

Varet se kë pyesni. Prodhuesit e muzikës dhe videove kanë lobuar fort për t’i parë të kalonin ligjet e reja. Të tjerë vënë në pyetje nëse problemi i shkeljes së të drejtës së autorit është mjaft serioz për të kërkuar një legjislacion kaq gjithëpërfshirës. Me siguri, kompanitë teknologjike që do të bëjnë biznes në Europë do t’u duhet të negociojnë një shtresë ekstra të rregullores, që nuk ekzistonte më parë. Kritikët thonë se shumë prej tyre, se shumë prej tyre do të zgjedhin të vendosen në Amerikë.

Ç’do të ndodhë më pas?

Që të bëhet ligj, shtetet anëtare të BE-së, duhet të kalojnë legjislacionin që u përmbahet rregullave të përcaktuara në direktivë, që do të thotë se do të duhet kohë përpara sesa kufizimet të ndihen. Me gjasa do të ketë një sërë fushatash kundër ndryshimeve, si edhe sfida ligjore në gjykatat kombëtare dhe ato të Bashkimit Europian.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë