Art dhe Kulture

Rrëfimi i skulptorit të Pjetër Arbnorit: Për ju që nuk e kuptoni

Shatorja e Pjetër Abnorit në oborrin e Parlamentit. Foto:LSA

Nga Suadela Balliu - “E dija, që në momentin kur po e punoja, se jo të gjithë do të arrinin ta kuptonin” , thotë skulptori ndërsa i afrohet  gardhit rrethues të Kuvendit të Shqipërisë. Shtatorja e Pjetër Arbnorit, e përuruar vetëm pak ditë më parë, qëndron aty nën gjysmëhijen e krijuar prej gjethnajës së pemëve mbi të. Rojat e Gardës së Republikës nuk na lejojnë të kalojmë rrethimin.

“Jam i bindur se shumë  nga ata që e kanë kritikuar dhe sharë nuk e kanë parë nga afër”,  vijon  autori i veprës më të fundit publike që nderon një figurë si ajo e Pjetër Arbnorit, jo vetëm një prej kryetarëve të parë të Kuvendit të Shqipërisë në epokën pluraliste, por edhe mishërimi i vuajtjeve dhe qëndresës njerëzore gjatë diktaturës komuniste.

Për t’u shprehur skulptorët kanë format, plastikën e në raste fare të rrallë do të përdornin gjuhën verbale për të shpjeguar një vepër të tyre. Por nisur nga debati i ditëve të fundit, ku duket se kushdo – njohës apo jo i arteve në përgjithësi dhe skulpturës në veçanti – kanë marrë rolin e kritikut të artit jo vetëm për të shprehur mospëlqimin, por edhe indinjatën për përçudnimit që i është bërë një figure të nderuar si ajo e Arbnorit.

Spahija shpjegon veprën nga larg, jashtë oborrit të Parlamentit. 

 “Propozimi im nuk është për ta poshtëruar Arbnorin, nuk është për ta rivrarë, por për të thënë një të vërtetë për jetën e një njeriu, të cilin shoqëria vendosi ta nderojë me një memorial” –thotë Sadik Spahija, ndërsa zbulon se puna me shtatoren e Arbnorit ka nisur dymbëdhjetë vjet të shkuar, kur skulptori paraqiti një bocet në konkursin e hapur për realizimin e një memoriali për nderimin e kësaj figure prej shumë përmasash. Rezultoi që nga gara e hapur, projekti i tij u shpall fitues dhe puna nisi qysh atëherë.

Dy vjet pas shpalljes së konkursit, më 2009-ën, skulptori Sadik Spahija e kishte përfunduar shtatoren e Pjetër Abrnorit, e cila ishte kjo që shohim sot  në oborrin e Parlamentit Shqiptar, ku ai shërbeu si kryetar i tij prej viteve 1992 e deri më 1997-ën.

Fillimisht ishte menduar të vendosej te Piramida, aty ku ndodhej asokohe edhe Qendra Ndërkombëtare e Kulturës “Pjetër Arbnori”. Pas shpërnguljes së qendrës ishin edhe disa vende të tjera që u propozuan për ta vendosur shtatoren.

U deshën vite të tëra që të rikthehej edhe njëherë në vëmendje, rrëfen Spahija, ndërsa zbulon se ishte ngulmimi i politikanit dhe shkrimtarit Besnik Mustafaj,  që vepra të vendosej aty ku qëndron sot.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi gjatë përurimit të shtatores.

Mustafaji e pa personalisht veprën, e cila atëkohë  qëndronte në Qendrën Ndërkombëtare e Kulturës “Pjetër Arbnori”, në zonën e ‘21 Dhjetorit’ dhe nga ajo ditë i hyri punës që vepra të vendosej në publik. Letra që Mustafaji i dërgoi kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi gjeti menjëherë përgjigje. “Ky ishte   një pohim real,  sepse e gjithë administrata e Kuvendit u kujdes deri ditën e fundit për t’u vendosur. Vëmendja e  tyre ka qenë e madhe dhe më kanë marrë disa herën  telefon, derisa u vendos” – tregon skulptori, ndërsa shton se tani që është e hapur për publikun, ky i fundit ka të gjithë të drejtën të komentojë. “Por, vepra duhet parë në hapësirën e vendosur, aty e kupton proporcionet që ka zgjedhur artisti” , thekson sërish Spahija, ndërsa thotë se shtatorja qëndron në një lartësi prej dy metrash mbi bazamentin. “Shtatorja e sheh kundruesin nga lart. Në Facebook , ajo duket pjesërisht. Duhet ta shohësh edhe me dritëhijet që krijon natyra me të”- thotë pedagogu i Akademisë së Arteve, i cili ka shërbyer edhe si dekan e Fakultetit të Arteve Figurative.

Duket se skulptura, veçanërisht ajo monumentale, sikur diskriminohet në krahasim me pikturën, e cila ka lirinë të jetë edhe realiste, edhe ekspresioniste, impresioniste apo surreale.

“Sepse skulptura është tre dimensionale dhe shtoji këtu edhe dimensionin kohë që një njeri shpenzon duke ju sjellë rrotull për ta parë e bën më pranë realitetit dhe jo aq iluzive sa mund të jetë piktura. Dhe këtu, te gjërat që i vijnë më pranë perceptimit të realitetit publiku nuk të fal”, thotë duke qeshur skulptori ndërsa bëjmë një shëtitje  në lulishten përreth Parlamentit duke u ndalur në shtatoret apo bustet e vendosura aty.

E nisim me bustin e Jeronim De Radës, vepër e Odhise Paskalit, të cilin Spahija e quan babain e skulpturës shqiptare. “E sheh kokën e mënjanuar?!” ,më  thotë, ndërsa rrëfen se ndërsa e punonte i ndodhi një incident dhe koka u anua. “Paskali e la ashtu, sepse në rrugëtimin që pati me veprën, ky incident që dukej sikur ishte “Dora e Zotit” e bëri poetin më të mendueshëm, poetik, melankolik, më njerëzor”.

Rrugëtim me ndalesa në veprat e mësuesve e cilëson Spahija, ndërsa përpiqet që mes punës së tyre, të shpjegojë edhe arsyet që e çuan të sillte atë shtatore të Pjetër Arbnorit, kaq shumë të debatuar sot.

Ndalemi te shtatorja e Fan Nolit, vepër e Thoma Thomait, ku sipas Spahisë “Skulptura ka përdorur mjetet e saj shprehëse. Kjo skulpturë shpërthimin e ka lart, në pjesën e kokës, figura ngrihet ngadhënjimtare dhe me përmasa të lartësuara. Është koka, mendimi i një figure si Noli. Është  një nga veprat që më pëlqen shumë” – thotë ai.

Edhe kjo shtatore është po aq e debatuar dhe e mospëlqyer nga publiku i gjerë. Ndalesa e fundit është te busti i Eqerem Çabejt, vepër e Hektor Dules. “Shiheni lirshmërinë e autorit në punimin e kësaj figure. Ti mund të perceptosh botën e brendshme, fluide të një  gjuhëtari si Çabej. Nuk ka preferuar të sjellë një bust realist, në gdhendjen e tipareve”

Sjellja e një qasjeje realiste do të qe puna më e thjeshtë për një njeri që ka kaluar gjysmën e jetës në skulpturë dhe formon brezat e rinj me themelet e skulpturës.

Skulpturat monumentale që glorifikojnë figurën e heronjve – qoftë në përmasa apo në poza – e quan qasje patetike, trashëgimi e psikes postdiktatoriale dhe e artit të Realizmit Socialist, që jo vetëm e mashkullorizoi skulpturën deri në skaje, por edhe e pruri në një mënyrë servile.  Qasja njerëzore është ajo çka është përpjekur të sjellë, rrëfen  skulptori.

“Nuk i jam qasur pjesës heroike, kur triumfon, kur është ngadhënjimtar. Ne nuk e dimë a ka qenë njeri i lumtur. Unë shtroj pyetjen.  Kam përdorur elementë metaforikë, dhe qasja është poetike”, nis të shpjegojë më në hollësi veprën, duke theksuar se qasja realiste është përdorur vetëm për të përshkruar portretin, pjesa tjetër është e gjitha metaforë.

“Letrat që të kujtojnë veprën që ka shkruar, piedestali është guri i vendosur në mënyrë horizontale. Elementët janë prerë në atë mënyrë që të ngucet figura e tij, për të treguar presionin e diktaturës, mungesën e lirisë, të komunikimit.”

Të njëzet e tetë vitet e dënimit në burgjet e diktaturës, Pjetër Arbnori i kaloi duke shkruar letërsi, e cila do e shihte dritën e botimit shumë vite më pas, me rrëzimin e regjimit komunist. Për këtë letërsi do i shtonin edhe dhjetë vite të tjera dënimit fillestar prej njëzet e pesë vitesh, pasi shkroi romanin  “Shtëpia e mbetur përgjysmë”.“Në burg do të përdorte edhe copa letrash e gazetash për të shkruar. Prandaj e kam përdorur këtë element të fortë për shtatin e tij” – vijon autori.

Ka qenë një punë e gjatë, kujton Spahija, jo vetëm në realizimin në vëllim trepërmasor të verës, por edhe kërkimi për jetën e Pjetër Arbnorit në biseda me njerëz që e kanë njohur por edhe me njohës të artit të skulpturës.“Jam krejtësisht i qetë për mënyrën sesi e kam realizuar. Ka qenë një punë e bërë me pastërti.”, thotë ndërsa sjell shembullin e një skulptori të madh të artit botëror, Auguste  Rodin.

Auguste Rodin "Qytetarët e Calais"

Kur banorët e Calais-së, një qytezë franceze  në kufi me Britaninë i kërkuan skulptorit të famshëm të realizonte memorialin e heroit që refuzoi të dorëzonte çelësat e qytetit tek ushtarët anglezë, ky i fundit i hyri kërkimit për të zbuluar se nuk kishte qenë vetëm Kryetari i Bashkisë që kishte bërë qëndresë, por edhe pesë qytetarë të thjeshtë, të cilët kishin sakrifikuar jetën e tyre për të shpëtuar qytetin nga pushtimi. “Ky është monumenti i parë demokratik, i cili përdori disa parametra që nuk ishin përdorur më parë në skulpturë. Së pari hoqi bazamentin si alegori e lartësimit të aktit duke i vendosur  rrafsh me tokën, së dyti nuk përdori identifikimin real kostumografik, duke i veshur heronjtë me rrecka dhe gjestet e tyre i bëri dramatike ,  në poza që  nuk tregojnë momentin e fitores, ku sfidojnë vdekjen dhe me heroizëm japin jetën. Gjeti momentin e dilemës;  një gjë që ta jep Zoti,  ia fal qytetarëve dhe kjo nuk është e lehtë.”- rrëfen Spahija, ndërsa ajo që dihet është se banorët e qytezës jo vetëm nuk pranuan të vendosej ky memorial, por u ndjenë të fyer me përpjekjen e artistit për të poshtëruar heronjtë e tyre.

Vepra më pas u ekspozua në muzetë më të rëndësishëm të botës, u duartrokit nga intelektualët dhe pas vdekjes së Rodin-it, banorët e Calais-së, në një letër të hapur ndjese kërkuan të vendosej ai memorial ashtu siç e kishte dashur skulptori.“E njëjta i ndodhi edhe me shtatoren e Balzakut. Kritika e masakroi Rodin-in duke e cilësuar veprën literalisht  “Është një thes m*ti”.  Kryetari i Shoqatës së Arteve dhe Letrave Frënge, e detyroi skulptorin të kthente mbrapsht paratë e marra kur u pajtua për të realizuar këtë vepër. Sot është krenaria e skulpturës botërore.”

Qyteti i Shkatërruar, Zadkine, Roterdam.

Nuk ndalet me kaq Spahija, por vijon të sjellë shembuj të tjerë nga bota ku skulptori, ashtu si profetët, nuk është mirëpritur. Mbase është fatkeqësia e të moskuptuarit në bashkëkohësi dhe artistëve u duhet të presin gjithnjë të kenë ikur nga kjo botë për t’u kuptuar si duhet nga breza të tjerë. Rumuni Osip Zadkine ka realizuar një nga memorialët më madhështorë publikë,  “Qyteti i Shkatërruar” ,  gjymtyrët e hedhura, profili i shfytyruar e sjell tmerrin e shkatërrimit të qytetit të Roterdamit, të gjallë për kundruesin edhe sot e kësaj dite. “Ka gjithashtu Orfeun, të cilin e ka kompozuar mes trupit dhe harpës,  një shkatërrim total i proporcioneve.”

Memoriali i poetëve Genc Leka dhe Vilson Blloshmi, Librazhd.

Nuk është hera e parë që Spahija haset me debate,  në lidhje me veprat e tij. Ai është autor edhe i memorialit në nderim të poetëve Genc Leka e Vilson Blloshmi në qytetin e Librazhdit. “I kam bërë kokat e prera, për të treguar se atyre jeta iu pre në mes. Si mund të ishin ngadhënjimtarë dy të rinj, të cilëve iu mohua jeta pa bërë kurrfarë faji, veçse kishin shkruar poezi. Edhe këtu njerëzit donin që t’i sillja të plota, me gjithë trup”.

Memoriali i Dy Prillit, Shkodër

Po të njëjtin fat ka pasur edhe memoriali i Dëshmorëve të 2 Prillit në Shkodër, ku pak e kuptuan idenë e autorit, i cili e pa jo vetëm dëshmorët por edhe qytetin e Shkodrës si një tempull të lirisë dhe demokracisë. Njerëzit edhe aty kërkuan portretet që nuk i panë.

“Për shtatoren e Ndre Mjedës në Kukël”, ku trupi i  fratit françeskan dhe poetit është i shkrirë me një kambanë kishe , dhe “Teto Ollgën në Tushemisht për fat nuk ka pasur polemika” , shton duke qeshur Spahija.

Shtatorja e Ndre Mjedës, Kukël

Rrëfen sesi  përpara përurimit të veprës së Pjetër Arbnorit, e shoqja Suzana Arbnori i telefonoi dhe i kërkoi të fliste në ceremoni. “Më tha se edhe ajo e kishte pasur të vështirë ta kuptonte në fillim, por pasi më folën e kuptova. “Të lutem, unë nuk mundem ta shpjegoj siç do e bëje ti, ndaj thuaji dy fjalë!”.

Ndërsa e telefonoj zonjën Arbnori, ajo pohon fjalët e skulptorit. “Shkova dhe e pashë një ditë para se të përurohej dhe të them të drejtën në fillim shtanga. Duke mos qenë e kësaj fushe nuk e kuptova.   Por pasi skulptori ma shpjegoi idenë, arrita ta kuptoj dhe i thashë: “Të lumshin duart!”. Edhe fëmijët që e panë për herë të parë gjatë ceremonisë së përurimit më thanë: “Mam’ e ka sjellë tamam babën, me vuajtjet, me letërsinë”. Na ka pëlqy’ ” – e mbyll telefonatën ajo

Zonja Suzana Arbnori dhe dy fëmijët e çiftit Arbnori gjatë ceremonisë së përurimit.

Edhe fëmijët që e panë për herë të parë gjatë ceremonisë së përurimit më thanë: “Mam’ e ka sjellë tamam babën, me vuajtjet, me letërsinë”. Na ka pëlqy’" -Suzana Arbnori

Spahija thotë se  me anë të figurave  që ka zgjedhur t’i hedhë në skulpturën e tij, ka treguar sesi shoqëria është sjellë me bijtë e saj që kanë përçuar kulturës.

“Sjellja në mënyrë skematike më duket gjithaq dhunë dhe unë përpiqem të bëj timen për ta rrëfyer këtë dhunë. Janë dhunuar përditë, edhe në rrugë, edhe nga ne vetë, edhe pas kanë dalë nga burgu. Ne  nuk i kemi folur me gojë Pjetër Arbnorit, para viteve’ 90 dhe jemi bërë palë e diktaturës.  Dhe,  kur na jepet liria e fjalës sërish përhapim dhunë, mbi këdo. Unë  denoncoj një  të keqe  publike. Mund të mos e kem bërë mirë,  por e kam bërë me moral të pastër.” – thotë autori, duke mos e përjashtuar veten nga ajo masë e shoqërisë që ka fajet e veta në dënimin që u ka bërë figurave si Blloshmi, Leka apo Arbnori.

 “Këtu m’u dha e drejta që me emrin tim, me shansin tim,  të them fjalën time. Nëse nuk e ekspozoj  këtë mjet shprehës nëpërmjet subjektit tim, nuk kam thënë asgjë.” – thotë ai, ndërsa thotë duke qeshur se në pjesën më të madhe të rasteve skulptorët kalojnë në heshtje, ndërsa ky rast e ka lakuar shumë emrin e tij. “Nuk jemi për të zbukuruar as të tregohemi servilë.”

Duke iu referuar plastikës, ekspresionit dhe lirisë së shprehjes me gjuhën e formave të mësuesve të tij, Paskali, Dule apo Thomai, Spahija thotë se përpjekja e tij ishte të përçonte dilemën që kanë pasur heronjtë nën diktaturë, sfidën që u është vënë përpara dhe sesi jeta e tyre e ka mposhtur sfidën. “Ka të bëjë me kërkimin tim personal.”

“ Kështu kam dashur t’i qasem; në një mënyrë të papërshkrueshme një personaliteti i cili, me gjithë kalvarin, ka emetuar paqe dhe dashuri."-Sadik Spahija

Përtej veprave publike, Spahija është autor i një sërë veprash të cilat i ka sjellë për publikun në ekspozita të ndryshme. Në katër vitet e fundit kanë qenë dy të tilla. “Nën trysni” ishte ekspozita që e çeli në Akademinë e Arteve para katër vitesh dhe “ “Vox Machina”  nëntorin e shkuar, në mjediset e Turbinës, përpara se kjo të shndërrohej në një skenë alternative për artet.

“Vox Machina është një punë në ekip, me muzikë  nga Haig Zaharian dhe koreografi nga Gjergj Prevazi. Një ekspozitë që shtron pyetjen  se si sillemi me produktin tonë material dhe raportet që krijohen  mes kësaj sjelljeje, se si e formatojmë botën tonë shpirtërore nga kjo sjellje. Industria jonë e kthyer në skrap. Performanca, tingujt, loja me dritën pasqyron marrëdhëniet njerëzore.  Materialet e kthyera në biznes skrapi dhe jo në vepra publike si në të gjithë botën. E gjithë kjo na sjell këtë agresion.”Edhe për këtë performancë, thotë se ka pasur nga ata që nuk e kanë pëlqyer po aq sa edhe ka marrë urime të shumta. “Në fund kam qenë i lumtur sepse kam marrë shumë nga puna në grup, nga kolegët, studentët e mi që kanë punuar me orë të tëra.”

Nga instalacioni "Vox Machina"

Në krijimtarinë e tij Spahija thotë se është munduar të eci paralelisht me artin botëror, edhe pse periudha e gjatë e Shqipërisë nën diktaturë  dhe për pasojë lëvrimi gjysmë shekullor i artit të Realizmit Socialist  e ka bërë vendin të qëndrojë larg në kohë me rrymat e reja të artit botëror. Skulptori thotë se ka qenë i përgatitur për debatet dhe madje i mirëpret kritikat, por jo fyerjet që vijnë për punën pa asnjë argument.

“Ka një grup njerëzish që shajnë veprën pa asnjë argument dhe prodhojnë pjesën sklerotike  të militantizmit. Është pjesa më atavike e shoqërisë sonë, nuk prodhon një problem por vdes çdo mendim ndryshe. Nëse dikujt nuk i pëlqen nuk do të thotë se duhet ta vrasim atë. Nëse nuk janë në gjendje të prodhojnë argument, më mirë të heshtin”, thotë skulptori, ndërsa thotë se nga kërkimet e tij, udhëtimet në vende të ndryshme të Shqipërisë e kanë bërë ta njohë nga afër kulturën estetike të publikut shqiptar.

Po nëse do të vendosej një vepër si “Merimanga” e Louise Bourgeois – e pyes, si do të reagonte publiku shqiptar?“E kam parë në një ekspozitë në Paris, më  1996-ën . Ajo ka qenë një grua e rrethuar nga një botë mashkullore. Jetonte me të shoqin dhe dy djemtë. Në ekspozitë ishte një grua me shumë gjinj, organe mashkullore dhe ishte edhe figura e nënës”. “Merimanga për të gjithë është insekt i urryer, ndërsa për mua insekt shumë i dashur sepse më kujton nënën  time që endte çorape dhe triko për mua”, ka thënë Bourgeois.

Merimanga, Louise Bourgeois.

“Ja çfarë bën skulptura! Çfarë  metafore që në një mënyrë krejt tjetër riprodhon një dashuri të papërshkrueshme për nënën.”- thotë ndërsa heq paralele me shtatoren e Pjetër Arbnorit. “ Kështu kam dashur t’i qasem;  në një mënyrë  të papërshkrueshme një personaliteti  i cili,  me gjithë kalvarin, ka emetuar paqe dhe dashuri. Askush nuk e ka parë nga afër si i kam formuluar sytë e tij, buzët e tij, që emeton paqe;  nuk është agresiv, goja gjysmë e hapur, tregon se nuk është i ashpër, nuk është vendimmarrës. Prodhon një klimë dashurie, por askush nuk e sheh këtë, sepse njerëzit nuk shohin me sytë e tyre, kanë stereotipa në kokë. Këto duhen prishur, këto stereotipa.”- përfundon Spahija. “Janë dy raste të skulpturës që ende anatemohen; Fan Noli këtu dhe Fishta në Shkodër. Dy vepra që sipas meje,  tentojnë të zhvillojnë gjuhën e skulpturës me një metaforë të personazhit,  por jo  drejtpërdrejt personazhin. Publiku nuk i ka pranuar. Është një pyetje, të cilës ne duhet t’u përgjigjemi, Jo gjithmonë kritika vjen për keq. Ajo që është e papranueshme është ajo që  mbyt shpirtin krijues dhe kjo,  vjen nga diktatura.”

Pyetje që ngre në fund autori është nëse do e vazhdojë rrugëtimin e tij artistik kështu apo do të sjellë në të ardhmen  një vepër që e pëlqejnë të gjithë?! “Tashmë vepra ime ka folur. Do e vazhdoj këtë rrugë, gjithnjë nëse shoqëria do të më besojë”, përfundon ai. Vepra?! Veprën do e gjykojë koha. Ndoshta pas njëqind vitesh, imagjinon skulptori, edhe rrethimi i Parlamentit do jetë hequr, e kundruesi do ndalet para asaj shtatoreje të një burri me trup librash, me sy e gojë të paqtë, si jeta që jetoi...


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë