Futboll

Ronaldo zbarkon në Torino, me eskortë si yll Hollivudi

Ka filluar tashmë era Kristiano Ronaldo te Juventusi dhe në Itali. Pritja e gjatë përfundoi, teksa avioni privat i portugezit u ul në Aeroportin e Kazeles në Torino. Për ta pritur në fakt ishin më shumë persona që kujdeseshin për sigurisë se tifozë të Juventusit. Këta të fundit ishin rreth 40, një grup tifozësh paqësorë që kërkonin vetëm të bënin një foto me idhullin e tyre. Nuk ia kanë dalë, vetëm e kanë vëzhguar dhe e kanë fotografuar nga larg, sepse masat e sigurisë ishin shumë të larta nga kompania që administron aeroportin.

Ronaldo zbriti bashkë me të birin Mateo në krah, duke përshëndetur në distancë tifozët që thërrisnin në kor emrin e tij. Zbriti më pas edhe Georgina, shoqja e portugezit dhe dy kujdestaret e fëmijëve të tyre.

Kristiano Ronaldo, duke zbritur nga avioni i tij privat

Pritja ishte si për një yll të Hollivudit. CR7 dhe gjithë pjesëtarët e tjerë të familjes menjëherë kanë hipur në një furgon me xhama të errët, që ishte parkuar në pistën e aeroportit. Furgoni ka lënë aeroportin i shoqëruar nga një eskortë prej gjashtë makinash “Jeep” të klubit bardhezi, me në krye menaxherin e sigurisë, Alesandro D'Anxhelon. Destinacioni? Vila ku do të banojë portugezi.

Vila luksoze, ku do të banojë  portugezi

Ish-lojtari i Realit të Madridit ka zgjedhur të jetojë në një vilë gjigante në Torino, ndoshta në vilën më të shtrejtë të këtij qyteti. Ajo nuk duket, pasi gjendet mes pemëve, në një pozicion ideal, me kodrat nga njëri krah dhe lumin nga ana tjetër. Duket sikur Torino është në këmbët e Ronaldos. Komshi i portugezit është Xhon Elkan. Vila është super luksoze, janë gati dy vila të bashkuara, me një kopsht të monitoruar nga telekamerat. Palestër, pishinë dhe komoditet i rrallë.

Kristiano Ronaldo i drejtohet furgonit nën masa të rrepta sigurie

Të gjithë në Torino tashmë i ka pushtuar “Kristiano Ronaldo mania”, sepse me portugezin të gjithë janë të bindur se Juventusi do të ngjitet në majën e futbollit europian, duke fituar këtë sezon edhe Champions League, pasi për titullin në Itali nuk ka diskutim. Ronaldo do të stërvitet për disa ditë bashkë me pesë lojtarë të tjerë të Juventusit që kanë qenë ende me pushime, për shkak të Botërorit: Dibala, Higuain, Kuadrado, Dagllas Kosta dhe Bentakur.

Tifozët e Juventusit, duke pritur më kot për të bërë foto me idhullin e tyre

Efekti “Kristiano Ronaldo” është ndjerë menjëherë dhe biletat për ndeshjen e debutimit të tij me fanellën e Juventusit do të shiten me dyfishin e çmimit. Në Verona, ku Juventusi do të luajë në kampionat me Kievon, është regjistruar një rritje e çmimit të biletave me 50%. Klubi pritës ka komunikuar çmimet e biletave, ndërsa shitja ende nuk ka nisur. Nga 100 euro që kushtonte një biletë për këtë ndeshje, pas ardhjes së Ronaldos, kushto 150 euro. Era Ronaldo ka nisur në Itali…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë