Futboll

Ronaldo te Juventus, tratativa bëhet serioze

Mund të duket si një nga ato histori të merkatos që qarkullon zakonisht gjatë verës dhe më shumë përdoret për rritje tirazhi nga gazetat apo shtim klikimesh në sitet e tyre online.

Gjithçka filloi nga një lajm i Tuttosport, një media shumë pranë klubit të Juventusit në Torino, e cila shkroi se mes skuadrës bardhë e zi dhe sulmuesit Kristiano Ronaldo ka nisur një tratativë. Sigurisht që një lajm i tillë besueshmërinë në orët e para e kishte shumë pranë zeros, por me kalimin e orëve dhe të ditëve çdo gjë po shkon në favor të gazetës torineze.  Pas Tuttosport, me radhë të gjitha mediet e tjera italiane filluan ta publikon lajmin, por me detaje të tjera që të çojnë drejt transferimit të “CR7” në “Juventus Stadium”. Ditën e martë kanë ardhur edhe sinjalet nga Spanja dhe Portugalia që rikonfirmuan edhe një herë se tratativa në merkato është serioze dhe se ka një bazë reale e gjithë kjo histori.

Por si besohet se ka nisur gjithçka?

Duket se “love story” mes Ronaldo dhe Juventues ka nisur me 3 prill 2018. Pikërisht në minutën e 63’, portugezi kërcen fuqishëm dhe me një roveshatë nga brenda zones ka shokuar portierin Buffon, bashkë me 40 mijë të pranishmit në stadiumin torinez. Goli spektakolar ka lënë pa fjalë të gjithë tifozët, të cilët janë ngritur në këmbë dhe kanë duartrokituar atë perlë të sulmuesit. Për Kristiano Ronaldon, një lojtar që është mësuar të përbuzet nga tifozët kundërshtarë, kjo gjë kishte lënë një përshtypje shumë të mirë. Impresioni ishte i lartë, aq sa në një intervistë pas ndeshjes, sulmuesi i Real Madrid ishte shprehur se tifozët e Juventusit janë të mrekullueshëm dhe se kur ai kishte qenë fëmijë kishte bërë tifo për klubin torinez.

Që nga këto momente dhe deklarata kanë kaluar javë dhe muaj, por duket se diçka ka mbetur dhe pikërisht nga kjo gjë po kërkojnë të përfitojnë drejtuesit e Juventusit. Nëse kësaj historie do i shtonim edhe problemet që Ronaldo ka pasur me presidentin Perez sa i përket çështjes së rinovimit, kjo histori merkatoje mund të bëhej akoma dhe më e interesante. Që prej finales së Kievit, ku Ronaldo, la të kuptohet se ka ardhur koha për ndryshim, ka pasur një marrëdhënie të ngrirë mes tij dhe presidentit të “Merengues”, Florentino Perez.

Mediet italiane dhe ato spanjolle prej ditësh vijojnë të shtojnë detajet e këtij transferimi.

Së pari, sa përket shumës së kalimit të Ronaldos tek Juventus flitet për një shifër që shkon deri në 100 milion euro. Kjo është shumë pak krahasuar me klauzolën e portugezit prej 999 milion euro, por duke parë moshën e tij dhe marrëdhëniet me drejtuesit “Merengues” çdo gjë bëhet më e thjeshtë. Sakaq, sa i përket rrogës së portugezit, ajo besohet të jetë e njëjta me ofertën e Real Madrid, gati 30 milion euro në vit.

Në këtë operacion shumë milionësh, tuttomercato shkruan se Juventus nuk është vetëm. Në mbështetje klubit bardhë e zi kanë ardhur të gjitha kompanitë që zotërohen plotësisht apo pjesërisht nga familja Anjeli. Kompania e makinave FCA (Fiat Chrysler Automobiles) do të jetë garantorja e pagimit të shifrës prej 100 milion euro në arkën e Real Madrid. Kështu FAC me shumë mundësi do e bëjë këtë pagesë duke u shëndrruar në një nga sponsorat e shumtë që portugezi ka dhe njëkohësisht duke mos shtuar barrën financiare të klubit nga Vinovo.

Sipas spanjolles AS, Real Madrid ka rënë dakord që Ronaldo të largohet për shifrën e 100 milionë eurove. Kushti i vetëm nga dirigjenca e Real Madrid, ka qenë se “CR7” nuk duhet të firmoste me një prej këtyre tre klubeve, PSG, Bayern dhe Manchester City, të cilat shihen si rivale të forta në luftën për Champions League.Ronaldo-Juventus është një histori merkatoje që po evoluon nga ora në orë dhe shumë shpejt, mbase brenda pak ditësh do të kemi një diçka më konkrete, qoftë sa i përket zyrtarizimit të tij tek Juventus, apo qoftë edhe një rinovimi me Real Madrid, që asnjëherë nuk mund të lihet jashtë liste.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë