Futboll

Ronaldo si “makinë parash” dhe Juventus

Çdo orë që kalon, Kristiano Ronaldo shihet më afër Juventus dhe Real Madrid po duket të jetë një kapitull i mbyllur për portugezin. Gjithë mediet sportive botërore prej dy ditësh temën kryesore të tyre kanë çështjen e transferimit të fituesit të Topit të Artë në Torino, tek rekordmenët juventin.

Ajo që në fillim dukej si një fantazi e merkatos tashmë duket se ka marrë përmasa serioze dhe çdo orë që kalon shtohen detajet që çojnë Kristiano Ronaldon në “Juventus Stadium”.

Përtej të gjithave, kur themi Ronaldo te Juventus, duhet patur parasysh se kemi të bëjmë me një lëvizje gjigante parash, në një industri si futbolli që gjeneron dhjetra miliona dollarë çdo ditë.

Shifrat e transferimit

Kur Kristiano Ronaldo u transferua në “Santiago Bernabeu” nga “Old Traford”, ai theu çdo rekord të mundshëm, sa i përket shumës që ishte shpenzuar deri në atë kohë për të blerë një futbollist. Presidenti i Real Madrid, Florentino Perez shpenzoi plot 93 milion euro për ta marrë portugezin nga Mancester United, në një kohë kur ai ishte në kulmin e karrireës së tij, sapo kishte fituar Topin e Artë dhe ishte vetëm 24 vjeç. Një investim në atë kohë që portugezi e ka justifikuar disa fish, duke fituar në Madrid një mal me trofe si individual por edhe me skuadrën.

Por që nga viti 2009, kanë qenë të pakta vitet kur Ronaldo nuk është përfolur për një largim nga Real Madrid dhe shifrat kanë qenë gjithmonë të frikshme. Duke filluar që nga Manchester City, e deri te PSG, gjithmonë ka pasur klube të interesuara për të marrë shërbimet e Portugezit dhe njëkohësisht të plotësonin dëshirat e tij financiare. Nëse anglezët e City kanë qenë të gatshëm të paguanin deri në 250 milion euro për ta marrë Ronaldon, pronarët arab të PSG kanë qenë të hapur për të paguar akoma edhe më shumë.

Transferimi tek Juventus i Ronaldos përflitet për një shifër deri në 100 milion euro. Një shifër shumë e lartë nëse do të kemi parasysh moshën e thyer të portugezit që vetëm disa muaj më parë festoi 33-vjetorin. Ndërsa sa i përket fitimit të tij vjetor, shifra përflitet deri në 30 milion euro.

Ronaldo si industri parash

Por, pse gjithë ky interesim për Kristiano Ronaldon dhe shfira shumë të larta financiare? Ka të bëjë vetëm me atë që ai jep në fushën e lojës? Sigurisht që jo!

Ronaldo është një industri e vërtetë parash. Portugezi prej vitesh vlerësohet si një nga sportistët më të pasur të botës. Sipas revistës presitigjoze franceze, France Football, Ronaldo përveç kontratës së përjetshme me Nike, ka përfitime shumë të mëdha edhe nga kontratat me firmat Herbalife, Armani, Samsung, Mtg, American Tourister etj. Vetëm nga kompania Nike, raportohet se portugezi fiton më shumë se 25 milion euro çdo vit, pa llogaritur këtu fitimet e jashtëzakonshme që merr nga rrjetet sociale, ku Ronaldo është shumë popullor. Vetëm për sezonin 2017-2018 fitimet e Kristiano Ronaldo besohet të kenë shkuar deri në 110 milion euro. Detaj shumë interesant që France Football publikon ka të bëjë edhe më lëvizjet në tregjet ndërkombëtare financiare. Revista franceze thotë se për shkak të lajmit të ditës së martë, që e çonte Ronaldon tek Juventus, Bursa ka pasur një lëvizje prej +3.2%. Tek Real Madrid ka një regjim shumë strikt sa i përket përfitimeve që do duhet të marrë klubi për fushatat promocionale që realizojnë futbollsitët “Merengues”, çka për Ronaldon nuk është shumë avantazhuese. Sakaq tek Juventus, Ronaldo pritet të ketë më shumë liri, sigurisht me klubin torinez që do të mundohet të përfitojë sa më shumë nga një “minierë ari” si Kristiano Ronaldo.

Kalimi i tij në Torino mund të sjellë një revolucion total në futboll, duke  ndryshuar atë përgjithmonë.

Ronaldo, Juventus dhe Serie A

Prej 7 vitesh rresht Juventus fiton titullin kampion në Serie A e pashqetësuar, duke mos njohur rival në kampionat. Me një grup të kompletuar që çdo vit përforcohet, Juventus duket se e ka bërë pronë të vetën titullin e Serie A dhe mund të imagjinohet se çfarë mund të ndodh me këtë skuadër dhe këtë kampionat nëse në “Juventus Stadium” do të zbarkonte një futbollist si Kristiano Ronaldo. Nga mesfushor anësor dhe i avancuar, Ronaldo në dy vitet e fundit është shëndruar në sulmues, ose e thënë ndryshe në një makineri golash. Tek Juventus, Tuttosport thotë se Alegri e ka bërë gati formacionin, me purtugezin si pikë referimi. Klubi torinez edhe pa Kristiano Ronaldon është favorit për ta fituar për të tetën herë radhazi kampionatin Italian dhe është e vështirë të imagjinohet një Juventus me Ronaldon në bord që nuk e fiton titullin kampion. Por përtej Serie A që është është një trofe i zakonshëm në “Vinovo”, synimi është pak më i madh. Në Torino janë të dëshpëruar për të fituar një Champions League, që do i vinte vulën këtyre viteve si një nga periudhat më të arta të klubit torinez. Duke parë që Ronaldo në vitet e fundit ka qenë kryegolashënuesi i këtij kompeticioni, për Juventus “misioni Champions” mund të bëhet më i lehtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë