Dita e madhe e Kristiano Ronaldos në Torino është sot. Ylli portugez rrëmben skenën edhe ditën kur Franca, kampione e botës, feston në Paris mes qindra mijëra tifozëve trofeun e fituar një ditë më parë në “Rusi 2018”. Numër rekord gazetarësh dhe televizionesh në prezantimin zyrtar të tij me fanellën e Juventusit. Skena e gjitha për të.
Ish-lojtari i Realit ka mbërritur gjatë paradites në “J Medical”, pas një vizite shumë të shpejtë në Kontinasa, ku ndodhet qendra e re e Juventusit. Ka kryer vizitat mjekësore, ndërkohë që për ta pritur ishin disa qindra tifozë të Juventusit. Kishte nga ata që kishin fjetur në trotuar gjatë natës për ta pritur yllin portugez, i cili ka pak ditë më parë zyrtarizoi kalimin nga Reali te Juventusi për 100 milionë euro. Turma ishte në delir dhe e kori i juventinëve ishte vetëm një: "Kristiano, na sill Champions League!". CR7 ka firmosur autografët e parë për tifozët bardhezi dhe në ndonjë moment ka bërë ultrasin, duke thirrur “Juve-Juve”.
Elegant, me kostum të errët, Ronaldo firmosi të parën fanellën e një fëmije dhe më pas përshëndeti tifozët. Vizitat mjekësore u mbyllën rreth orës 15:00. Portugezi la qendrën e Juventusit, por jo nga dera kryesore, ku kishte ende tifozë që e prisnin. Ka shkuar në Kontinasa, ku e prisnin Andrea Anjeli, agjenti i tij Horge Mendes dhe administratori i Juventusit, Bepe Marota. Portugezi është përshëndetur me trajnerin Alegri dhe shokët e skuadrës së re, duke nisur me Pjaniç dhe Kielini. “Jam gati për sfidën e re”, - ka thënë Ronaldo.
Në orën 18:30, konferenca e parë e shtypit si lojtar i Juventusit për Kristiano Ronaldon. Rekord sa i takon pjesëmarrjes në këtë konferencë: rreth 200 gazetarë dhe 30 televizione nga e gjithë bota. Efekti i Kristiano Ronaldos është ndjerë menjëherë në Torino. Pastaj fjalët e para si juventin: “Sjell fat kudo që shkoj, Juventusin e kisha zgjedhur prej kohësh dhe do të lë me siguri një shenjë edhe te kjo skuadër për Championsin”, - theksoi portugezi që la Realin pas 9 sezonesh.
Ja disa nga deklaratat më interesante të Ronaldos gjatë konferencës për shtyp:
“Ishte një vendim i lehtë për të ardhur te Juventusi, sepse është një nga klubet më të mirë në botë. Shokët e skuadrës më kanë thënë gjithmonë se është një klub, ku duhet të luaja. Është një hap i rëndësishëm për karrierën time. Juventusi ka një trajner të madh. Jam një person që jetoj të tashmen dhe shijoj futbollin. E ndjej veten ende të ri dhe më pëlqejnë shumë sfidat, nga Sportingu, te Mançesteri, Reali dhe tani te Juventusi.
Është një karrierë ëndrrash kjo imja, por kërkoj të tjera sfida dhe jam i përgatitur për këtë të radhës. Gjërat do të shkojnë mirë, kam shumë besim. Nuk jam larguar i trishtuar nga Reali, kam ardhur te Juventusi për të kaluar edhe këtë sfidë të madhe të karrierës sime. Lojtarët në moshën time, me gjithë respektin, shkojnë në vende të tjera, në Katar, Kinë, ndërsa unë vij këtu dhe jam shumë i lumtur. E kam falënderuar Juventusin për shansin që më ka dhënë dhe do të jap gjithmonë më të mirën për të.
Vendit tim nuk ia kthej shpinën. Nëse është mundësia ta ndihmoj Portugalinë, unë do ta bëj. Është një etapë e re për mua dhe për Portugalinë.
Kam pasur një histori brilante në Madrid, por tani jam shumë i motivuar për të dhënë gjithçka për Juventusin. Mezi pres të luaj për të. Numrat dihen, janë aty, ajo që kam bërë për futbollin dihet, por jam ambicioz dhe dua gjithmonë më shumë, nuk dua të mbetem aty. Fati të ndihmon, por fatin duhet ta kërkosh. Nuk më pëlqen të rri ulur në një karrige. Do të përgatitem si duhet për Serinë A dhe për Champions League. Do të luftojmë që ta fitojmë, edhe pse është shumë e vështirë. Juventusi ka qenë shumë afër, por nuk e ka fituar, sepse finalet janë të paparashikuara. Ishte bukur të shihja tifozët të më prisnin dhe i falënderoj të gjithë.
Në natën e finales së Championsit nuk e kisha vendosur se do të luaja për Juventusin. Tani jam shumë mirë emocionalisht dhe jam krenar për këtë transferim. Shpresoj të fitojmë Championsin dhe besoj se do të lë gjurmë këtu. Kam firmosur për katër vjet dhe besoj se do të fitoj shumë trofe me Juventusin”.
Transferimi i Ronaldos në Itali ka sjellë reagime të ndryshme. Opinioni i përgjithshëm është se ardhja e portugezit, që ka fituar thuajse gjithçka në karrierë, do t’i bëjë mirë futbollit italian dhe do të ngrejë prestigjin e tij. Interesante deklarata e trajnerit të Mançester Junajtid, Zhoze Mourinjo, i cili ka thënë se tani është radha e Interit dhe skuadrave të tjera të mëdha në Itali që të blejnë lojtarë të një kalibri të tillë për të thyer dominimin e Juventusit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.