Ngjarje

Ringjallen krimbat 42 mijë vjeçarë. Kriogjenika “fërkon” duart

Një grup shkencëtarësh rusë kanë ringjallur me sukses dy specie krimbash të vegjël, që u gjetën të ngrirë në akujt siberianë kohë më parë.

Pas gjetjes në gjendje të ngrirë analizat treguan se qelizat e tyre nuk kishin vdekur, por ishin vendosur në një gjendje kriogjenike nga natyra. Menjëherë u ndërmorën studime të shumta që pasuan njëri-tjetrin dhe u përcaktua se mosha e këtyre dy gjallesave ishte të paktën 42 mijëvjeçare.

Grupi i studiuesve rusë i vendosën krimbat së bashku me akullin që i mbulonte në një laborator. Procesi i shkrirjes së tyre nuk mund të realizohej menjëherë.

“Nëse do të shkrinim vrullshëm akullin, krimbat e sigurtë që do të ngordhnin nga ndryshimi i menjëhershëm e drastik i temperaturës pa u lënë kohë qelizave të tyre që të ambientohen me temperaturën e re”, thuhet në raportin e shkencëtarëve ruse.

Për këtë temperatura e tyre u rrit me nga një gradë celcius në ditë. Pas disa javësh, akulli shkriu i gjithi dhe studiuesit morën krimbat dhe i vendosën në një mjedis të pasur me ushqime dhe në temperaturën prej 20 gradë celcius.

Pikërisht këtu dy gjallesat mikroskopike, që nuk kapin as 1 milimetër gjatësi, nisën të shfaqnin shenja jete duke lëvizur dhe duke u ushqyer.

Eksperimenti ka një rëndësi të madhe sidomos për shkencën e mjekësisë dhe biologjisë pasi dokumenton për herë të parë rikthimin në jetë të një organizmi shumëqelizor i ruajtur për mijëra vite me radhë në gjendje kriogjenike.

Shkencëtarët kishin arritur që të “ringjallnin” me të njëjtën metodë deri më tani bakterie, apo alga deri në miliona vjeçare, por kjo është hera e parë që provohet me një organizëm shumë herë më kompleks, si ai i një krimbi nematod.

Zbulimi i shkencëtarëve rusë u jep një tjetër kurajo nismave të kontestuara të ndërmarra tashmë nga disa kompani, që po operojnë në fushën e kriogjenikës dhe që shpresojnë se në një të ardhme jo fort të largët do të mundësojnë ngrirjen e njeriut dhe më pas ringjalljen e tij duke përdorur qelizat staminale.

Dy emrat më të njohur në këtë fushë janë Ancor në Arizona dhe Cryogenics Institute në Miçigan. Ancor u vendos në qendër të vëmendjes në 2016, pasi vendosi në gjendje kriogjenike një 14-vjeçare britanike me inicialet J.S.

Adoleshentja vuante nga një sëmundje e pashërueshme dhe para se të mbyllte sytë iu drejtua gjykatës me një letër për t’i dhënë mundësinë që të vendosej në gjendje të ngrirë frigoriferike me shpresën e gjetjes së ndonjë kure në të ardhmen.

“Nuk dua të vdes, por jam e vetëdijshme se kjo do të ndodhë, Dua të jetoj më gjatë, të shijoj jetën dhe kërkoj që të më jepet kjo mundësi”, shkruante ajo në letrën drejtuar Gjykatës së Lartë në Britani.

Vajza, emri i së cilës nuk bëhet publik për arsye ligjore, kërkesën e saj ua kishte bërë me dije fillimisht prindërve të divorcuar. I ati i saj ishte kundër kësaj ideje, ndërsa mamaja e mbështeste dëshirën e vajzës. Në këto kushte, e reja iu drejtua gjykatës.

Ky ishte momenti i ndërhyrjes së gjykatësit, Justice Peter Jackson, i cili vendosi që vetëm mamaja e vajzës të njohur me inicialet J.S. kishte të drejtë të vendoste nëse ajo do të vendosej në gjendje kriogjenike apo jo.

Ajo është fëmija i vetëm që vendoset në këtë gjendje, ndërkohë që numri total i personave që kanë zgjedhur këtë rrugë me shpresën e ringjalljes në të ardhmen shkon në disa dhjetra.

Si funksionon procesi?

Ngrirja kriogjenike është procesi i ruajtjes së trupit të vdekur me lëng nitrogjeni. Mbështetësit e saj shpresojnë që një ditë shkencëtarët do të dinë se si të ngrohin trupin dhe ta sjellin në jetë, kohë në të cilën doktorët do të kenë mundësi të kurojnë kancerin dhe sëmundje të tjera që sot nuk mund të trajtohen. Aktualisht, ngrirja cryogenic mund të ndodhë nëse dikush është deklaruar i vdekur ligjërisht.

Si punon kriogjenika?

Procesi i ngrirjes duhet të fillojë sa më shpejt të jetë e mundur pasi pacienti ka ndërruar jetë, për të parandaluar dëmtimin e trurit. Fillimisht, trupi freskohet në një banjë me akull për të reduktuar gradualisht temperaturën. Në disa raste CPR mund të administrohet për të parandaluar qelizat e trurit që të vdesin.

Doktorët më pas thajnë trupin nga i gjithë gjaku dhe e zëvendësojnë me lëngun kundërngrirjes të projektuar për të mos formuar kristale akulli që mund të jenë të dëmshme. Trupi më pas paketohet në akull dhe transferohet në një vend në SHBA apo Rusi.

Kur trupi mbërrin vendoset në një kontenitor arktik që freskohet me gaz nitrogjeni deri në -110 gradë celcius për disa orë.

Ndërsa në dy javët e ardhshme, trupi ngrin gradualisht deri në temperaturën -196 gradë Celcius. Më pas ai lihet në lëng nitrogjeni dhe transferohet në atë që quhet “patient care bay”, ku do të qëndrojë përfundimisht derisa të avancojë shkenca.

Kriogjenika gjithashtu ofron dhe mundësinë e ruajtjes së nervave, ku koka hiqet dhe ngrin pa trupin. Teoritë e shkencës thonë se në të ardhmen trupi mund të klonohet apo rigjenerohet, apo dhe t’i ngjitet koka.

A funksionon? 

Ata që kanë firmosur për ngrirjen e trupit duke shpresuar se shkenca një ditë do t’i kthejë në jetë e kanë kryer këtë proces. Aktualisht, doktorët nuk kanë njohuritë e duhura për të rikthyer në jetë trupat e ngrirë. Instituti Cryonics thotë se qentë dhe majmunët janë rikthyer në jetë pasi gjaku i tyre u zëvendësua me antingrirjen dhe u ftoh në temperatura nën zero gradë, por jo në temperaturat ekstreme të ngrirjes.

Sa kushton kriogjenika?

Familja e vajzës në Britani pagoi rreth 37 mijë paund që trupi i saj të ruhet në ngrirje, tha gjyqtari i çështjes Justice Jackson. Pagesa minimale për Institutin Cryonics në SHBA është 28 mijë dollarë dhe një tarifë anëtarësimi prej 1250 dollarë.

Ku mund të bëhet?

Ka vetëm tre organizata në botë që ofrojnë ngrirjen e trupit në këtë mënyrë. Cryonics Institute në Michigan, SHBA, ku ndodhet aktualisht trupi i vajzës britanike, Alcor në Arizona, SHBA dhe KrioRus në Rusi.

Burimi: World Economic Forum


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë