Taksa

Rindërtimi, pa TVSH edhe nënkontraktorët e furnizuesit e mallrave

Tatimet bëjnë me dije se në subjektet e Rindërtimit të autorizuara për përjashtimin nga TVSH-ja, do të përfshihen edhe nënkontraktorët  dhe furnizuesit e mallrave për qëllim të ketij procesi.

Bëhet fjalë për ato subjekte të cilët kanë lidhur kontratë direkt me ndërtuesit/kontraktorët si dhe furnizuesit e mallrave ose shërbimeve që furnizojnë direkt ndërtuesit të cilët janë të pajisur me autorizim për përjashtimin nga TVSH-ja nga Drejtoria e Pergjithshme e Tatimeve.

Për t’u pajisur me autorizim, subjektet furnizuese dhe nënkontraktorët duhet të bëjnë aplikim pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, ku si pjesë të kërkesës duhet të paraqesin  dokumentacionin e kërkuar.

Në dokumentacion bëjnë pjesë: kërkesa me shkrim, së cilës i bashkëngjitet një fotokopje e certifikatës së NIPT/NUIS-it; kërkesa për marrjen e autorizimit duhet të shoqërohet me kontratën e lidhur midis furnizuesit dhe ndërtuesit/kontraktor kryesor, nënkontraktorit dhe ndërtuesit /kontraktor kryesor. Në kontratë duhet të jetë përcaktuar qartë mallrat dhe shërbimet që do të ofrojë furnizuesi dhe nënkontraktori për ndërtuesin /kontraktor kryesor.

Preventivin e mallrave dhe punimeve që do të kryejë shoqëria furnizuese, dhe shoqëria nënkontraktore për ndërtuesin kryesor. Preventivi duhet të jetë ndarë në zëra, në sasi dhe në vlerë.

Gjithashtu duhet një kopje e autorizimit të lëshuar nga DPT ndaj kompanisë ndërtuese/kontraktorit kryesor.

Verifikimi i çmimeve të aplikuara do të verifikohet nga strukturat funksionale të Administratës Tatimore.

Sipas tatimeve, gjithashtu nëse furnizuesit/nënkontraktorët zgjedhin të mos bëjnë kërkesë për t’u pajisur me autorizim për përjashtim nga TVSH-ja, ose kanë kryer furnizime mallrash ose shёrbimesh për periudhën që nuk janë pajisur me autorizim, nuk e gëzojnë të drejtën e zbritjes së TVSH-së mbi këto furnizime. Në këto raste, shoqëritë furnizuese për mallrat dhe shërbimet e ofruara, do të kryejnë rregullimin e TVSH-së së zbritshme, për të gjitha furnizimet e ofruara shoqërive ndërtuese të autorizuara.

Autorizimi i lëshuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve nuk ka fuqi prapavepruese dhe nuk i shtrin efektet mbi furnizimet e kryera para pajisjes me autorizim të subjektit përfitues, por skema e përjashtimit të TVSH-së zbatohet vetëm për furnizimet pasuese. Për të gjitha furnizimet e kryera para pajisjes me autorizim, të zbatueshme janë parashikimet e sqaruara më lart.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë