Ngjarje

Rezoluta për ERU, a po shtron Kuvendi rrugën për rritjen e çmimit të ujit?

Treguesit financiarë të shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve prej tre vitesh nuk kanë ndjerë një përmirësim të ndjeshëm, pavarësisht se shumë prej tyre kanë aplikuar rritje të çmimit. Mungesa e arkëtimeve është identifikuar edhe në një rezolutë të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë për vlerësimin e punës së Entit Rregullator të Ujit.

Në rezolutën në fjalë, Kuvendi i rekomandon ERRU-t që veç rritjes së çmimit, të intensifikojë punën në gjetjen e rrugëve të reja efektive dhe konkrete për të rritur arkëtimet nga ana e shoqërive UK.

“Duke qenë se treguesi “norma e arkëtimit” vijon të mbetet i papërmirësuar në tre vitet e fundit, ERRU duhet të intensifikojë punën për gjetjen e rrugëve të reja efektive dhe konkrete për rritjen e normës së arkëtimit nga shoqëritë UK, si një tregues i cili ka lidhje të drejtpërdrejtë me përmirësimin e gjendjes financiare të shoqërive UK. Akoma më shumë shqetësuese bëhet kjo situatë kur vërejmë që nuk ka përmirësim nga viti në vit megjithë miratimin e tarifave të reja nga ERRU”, thotë Kuvendi.

Mes rekomandimeve Kuvendi vëren se ujësjellësat janë të mbingarkuar me staf të punësuar jashtë nevojave reale dhe profesionalizimit dhe i kërkohet Entit Rregullator që të përforcojë dhe ashpërsojë kontrollet mbi kërkesat e shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve për shtimin e stafit të punonjësve.

“ERRU gjatë miratimit të tarifave të kërkojë me rigorozitet nga shoqëritë UK argumentim të plotë e të saktë për numrin e punonjësve, përshkrimin e detajuar të punës për secilin pozicion të stafit të saj dhe të refuzojë kostot shtesë të pajustifikuara për stafin e shoqërive UK”, vijon më tej rezoluta e Kuvendit.

ERRU-t i rekomandohet gjithashtu më tepër transparencë dhe që të jetë më aktive në shfrytëzimin e mjeteve të informimit publik, përfshirë këtu edhe mediat sociale për të ndërgjegjësuar konsumatorët për të drejtat dhe detyrimet e tyre.

“Fakti që kemi vetëm 18 ankesa në vit nga konsumatorët (krahasuar me 39 ankesa një vit më parë), ndërkohë që dihen problematikat me të cilat përballen konsumatorët në këtë sektor, tregon që mbetet akoma shumë për të bërë”, thotë Kuvendi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë