Kinema

Restaurimi i ‘Lulëkuqet mbi mure’, drejtoresha e Filmit: Vlen si studim për artin. Aktori Agron Domi tregon vështirësitë e Anagnostit

Perla kinematografike “Lulëkuqet mbi mure” vjen i restauruar dhe së shpejti do të ketë një “jetë” të re nëpër festivale ndërkombëtare filmi.

Pas 47 vitesh pas realizimit, filmi “Lulëkuqet mbi mure” pas rikthimit të ngjyrave, mbrëmjen e së mërkurës pati premierën. Për botën e kinemasë kjo është një ngjarje, e më shumë për artistët që me pamjet e reja filmike shohin vetën, njëjtë si dikur.

“Lulëkuqet mbi mure” u bazua në romanin autobiografik “Bonjakët” të shkrimtarit Petraq Qafzezi, i cili kishte jetuar 10 vite në strehat vorfnore, deri në moshën 13-vjeçare.

Ky realitet i asaj kohe do të ngacmonte imagjinatën regjisoriale të regjisorit të njohur Dhimitër Anagnosti, i cili arriti të realizonte në vitin 1976 një kryevepër kinematografike si “Lulëkuqet mbi mure”.

“Filmi ‘Lulëkuqet mbi mure’ u restaurua në studion Dabimus srl, e cila është pjesë e Universitetit ‘Aldo Moro’ të Barit, Itali.

Projekti u mbështet financiarisht nga programi ‘Sezoni i Filmave Klasikë’ 2023 i Shoqatës së Kinematekave Europiane dhe programi Europa Krijuese Desk – MEDIA”, shprehet për Gazetën “Si”, drejtoresha e Arkivit të Filmit, Marinela Ndria.

Ngjarja zhvillohet në një nga jetimoret e Tiranës në vitet e pushtimit të Shqipërisë nga fashistët italianë në fillim të Luftës së Dytë Botërore dhe evokon në këtë mënyrë edhe aksionet e lëvizjes antifashiste që sapo kishte nisur në vend.

Te “Lulëkuqet mbi mure” vijnë të trajtuara përpjekjet dhe ndihmat që dhanë debatikasit dhe të rinjtë shqiptarë në luftën kundër fashistëve italianë, të cilët pushtuan Shqipërinë më 7 prill 1939.

Kasti i filmit përfshin disa nga aktorët më të shquar shqiptarë dhe është krijuar nga artistë që lanë gjurmë në kinematografinë shqiptare të shekullit të 20-të si: Kadri Roshi, Pavlina Mani, Timo Flloko, Agim Qirjaqi, Alfred Kote etj.

Drejtoresha e Arkivit të Filmit, Marinela Ndria thotë se një arsye madhore për restaurimin e këtij filmi ishte për t’i dhënë vlerat që meriton, pasi është një nga filmat më të mirë të kinematografisë shqiptare, pjesë e trashëgimisë kulturore shqiptare.

Sipas saj, tanimë pas restaurimit, filmi “Lulëkuqet mbi mure”, do të ketë mundësinë të përkthehet në anglisht, italisht dhe në gjuhë të tjera europiane, të gjejë shpërndarje në festivale të filmit klasik në Europë, të shfaqet në aktivitete brenda dhe jashtë vendit në standardet e duhura teknike dhe në cilësinë e duhur të figurës dhe zërit.

“Konkretisht, gjatë vitit 2024 filmi do të jetë pjesë e programit Sezoni i Filmave Klasikë ku filma nga 19 shtete të ndryshme të Europës do të shfaqen në platformën online të kanalit arte.tv të subtitruara në 6 gjuhë europiane. Të gjitha këto shpërndarje nuk janë të vlefshme për filmat e parestauruar pasi sot ka kërkesa të larta të teknologjisë digjitale me të cilat duhet të jenë të përputhshëm filmat e vjetër. Restaurimi e bën të mundur këtë gjë”, thotë ndër të tjera Ndria për Gazetën “Si”.

Njëri prej aktorëve fëmijë që ka marrë pjesë në filmin e njohur “Lulëkuqe mbi mure”, Agron Domi thotë për Gazetën “Si” se restaurimi i këtyre filmave dhe interesi që publiku ka akoma për ta, është një lajm i mirë për kinemanë e vërtetë.

“Restaurimi i këtyre filmave historikë të Kinostudios nuk është vetëm një çështje historike apo nostalgjie, por një detyrim për t’u përmbushur, një mision i përjetshëm artistik e kulturor. ‘Lulëkuqet mbi mure’ është simboli më elokuent i vlerave të prodhuara me dashuri e pasion në kohëra të vështira për të ëndërruar nëpërmjet kinemasë”, shprehet aktori dhe regjisori Agron Domi.

Ndër të tjera, ai rrëfen se atë kohë ka qenë një punë e vështirë për të gjetur karakteret e duhura edhe për vetë regjisorin Dhimitër Anagnosti.

“Për të gjetur karakteret, figurantët do të duhet të ishin po aq jetimë, përveç këtyre që do të luanin. Do të skanoheshin të gjithë, të shiheshin të gjithë. Duhet të ketë qenë e vështirë për asistentin si dhe për regjisorin Dhimitër Anagnosti që të pikaste midis morisë së fëmijëve”, tregon Domi.

Ndria i mëshon fort faktit se edhe pse filmi është prodhuar në kohën e ideologjisë së partisë-shtet, mbetet një thesar që mund të rizbulohet në çdo kohë, të studiohet jo vetëm nga ana artistike, por edhe ajo historike e sociale për të kuptuar sot se si funksiononte makineria e Kinostudios dhe e prodhimeve të saj.

“Të veçantat e këtij filmi janë historia njerëzore në thelb të skenarit e trajtuar me mjeshtëri në të gjithë komponentët e filmit, që nga skenari, kamera, regjia e loja e aktorëve. Një dirigjim i bukur i të gjithë komponentëve nga mjeshtri i kinematografisë, Dhimitër Anagnosti. Ky film mund të shërbejë për studim nga hulumtuesit e artit. Gjithashtu, në fondet arkivore të AQSHF-së, përvec filmave ka edhe materiale të tjera ndihmëse që u vijnë në ndihmë studiuesve që sot hulumtojnë mbi artin dhe zhvillimet historiko-politike e shoqërisë sonë”, përfundon Ndria për Gazetën “Si”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë