Rend dhe Ligj

RENEA ekzekuton 62-vjeçarin që plagosi gruan e djalin dhe qëlloi mbi policinë në Maliq. Balla: Policia zbatoi ligjin

Pas tetë orësh negociata, forcat speciale RENEA ekzekutuan 62-vjeçarin Ramiz Muçollari, i cili u ngujua në banesë dhe qëlloi ndaj efektivëve të policisë.

Para se të mbyllej në shtëpi, ai plagosi gruan edhe djalin. Ngjarja ndodhi në fshatin Qesarakë të Maliqit.

Muçollari e goditi bashkëshorten, Pëllumbeshën, 58 vjeçe me mjet prerës në këmbë, ndërsa djalin, Kamberin, 27 vjeç, me mjet të fortë në kokë mbrëmjen e së premtes, rreth orës 23:00.

Pas kësaj, ai u mbyll në banesën e tij. Me vete kishte një armë zjarri me të cilën qëlloi edhe ndaj efektivëve të policisë. Fillimisht qëlloi mbi punonjësit e policisë së Maliqit. Për këtë arsye, efektivët mbajtën të rrethuar banesën dhe morën masa të larta sigurie.

Më pas, atje shkuan forcat speciale RENEA. Këta të fundit qëndruan për rreth tetë orë në banesën dykatëshe të Muçollarit dhe negociuan me të që të dorëzohet. Por 62-vjeçari nuk pranoi dhe vijoi të qëllojë edhe në drejtim të forcave të RENEA. Pas kësaj, u mor vendimi drastik për ekzekutimin e tij.

Perimetri i sigurisë u vendos i lartë për të mbrojtur kalimtarët pasi banesa lidhet edhe me aksin nacional Maliq-Korçë, por edhe sepse pranë shtëpisë së Muçollarit ka banesa të tjera pasi lagja është e banuar. Banorët e zonës u evakuuan nga policia.

Sa i përket gruas dhe djalit të 62-vjeçarit, ata janë dërguar në spital, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Sipas deklarimeve paraprake të tyre, dyshohet se Muçollari vuante nga probleme të shëndetit mendor.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon këqyrja e vendit të ngjarjes për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.

Ministri Balla: Policia zbatoi ligjin

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, reagoi menjëherë pas lajmit se forcat speciale RENEA eliminuan fizikisht Ramiz Muçollarin, 62-vjeçarin që hapi zjarr ndaj tyre dhe plagosi gruan e djalin. Balla shprehet se Policia e Shtetit zbatoi ligjin. Po ashtu, ai siguroi se çrrënjosja e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje është një detyrë kryesore.

Mirënjohje forcave RENEA dhe atyre të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë për kryerjen e detyrës gjatë gjithë natës së mbrëmshme deri sot në mëngjes në Maliq edhe në kushtet e kërcënimit për jetën, sepse thirrjeve të Policisë së Shtetit, shtetasi që kërkohej të ndalohej, ju kundërvu me përdorimin e armës ndaj policisë. Në këto rrethana përcaktimet ligjore janë të qarta dhe Policia e Shtetit zbatoi Ligjin

Dua ta siguroj publikun se çrrënjosja e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje është një detyrë kryesore. Çdo grua, çdo vajzë duhet të ketë besimin se telefonata e saj tek Policia është vendimi i duhur që sjell çlirimin nga makthi dhe fitoren e ligjit mbi padrejtësinë dhe dhunën”, shkruan Balla në rrjetet sociale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë