Futboll

Renditja e UEFA-s për klubet, dominim absolut i spanjollëve

UEFA ka publikuar renditjen e re të klubeve europiane dhe sërish në majën e saj është Reali i Madridit, kampion në fuqi i Europës. Është një renditje e bërë për klubet, duke llogaritur paraqitjen e tyre në kompeticionet europiane të pesë sezoneve të fundit. Italia përfaqësohet në 10-shen më të mirë vetëm me Juventusin, ndërsa Roma dhe Napoli janë përmirësuar disi, duke mbajtur përkatësisht vendet 13 dhe 15. Interi dhe Milani janë shumë, shumë poshtë në këtë renditje. Dominimi spanjoll është i dukshëm, ndërkohë që ka një rënie edhe për dy skuadrat e mëdha angleze, Mançester Junajtid dhe Çelsin.

Reali i Madridit është mbreti, me 131.000 pikë të grumbulluara sipas UEFA-s. Në 10-shen më të mirë janë edhe 3 skuadra të tjera spanjolle, që për më tepër qëndrojnë në 6 vendet e para. Barcelona mban vendin e tretë, me pikë të barabarta me Bajernin e vendit të dytë, që përfaqëson i vetëm Gjermaninë në 10 skuadrat më të mira europiane, me 112.000 pikë. Atletiko e Madridit qëndron në vend të 4-t, kurse Sevilja vjen pas Juventusit të vendit të 5-të. PSG-ja përfaqëson Francën në vendin e 7-ë, me 88.000 pikë, ndërkohë që renditjen e 10 më të mirëve e mbyllin Mançester Siti i Guardiolës, Arsenali dhe ukrainasit e Shakhtar Donjetsk.

Real i Madridit feston trofeun e Championsit të fundit

Lacio e Igli Tares dhe Thomas Strakoshës mban vendin e 39-të në renditjen e klubeve, ndërsa Interi figuron në vend të 65-të dhe Milani në vend të 81-të. Dy skuadrat e Milanos janë shumë larg lavdisë së tyre të dikurshme në Kupat e Europës, aq më tepër që në vitet e fundit kanë pasur shumë vështirësi.

10 skuadrat më të mira europiane sipas UEFA-s:

1.Real Madrid    131.000 pikë

2.Bajern Mynih   112.000

3.Barcelona  112.000

4.Atletiko Madrid     111.000

5.Juventus   107.000

6.Sevilja    93.000

7.PSG    88.000

8.Mançester Siti 85.000

9.Arsenal    78.000

10 Shakhtar Donjetsk  74.000


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë