Drejtësia

Relatori me Covid, shtyhet në 1 shkurt seanca për shkarkimin e Metës në Gjykatën Kushtetuese

Shtyhet në 1 shkurt seanca për shkarkimin e presidenti Ilir Meta në Gjykatën Kushtetuese, e cila ishte parashikuar për ditën e martë, 18 janar 2022.

Shkak është bërë infektimi me COVID i relatorit të çështjes. Në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese, thuhet e seanca e radhës do të mbahet në fillim të muajit të ardhshëm, në 1 shkurt në orën 10:00.

Në 15 tetor 2021, Gjykata Kushtetuese vendosi të marrë në shqyrtim kërkesën e Kuvendit të Shqipërisë për shkarkimin e Presidentit të Republikës Ilir Meta nga posti i tij. Kushtetuesja vendosi ta kalojë çështjen në seancë publike.

Në seancën plenare të 9 qershorit 2022, Kuvendi vendosi shkarkimin e Metës me 104 vota pro, 7 kundër dhe 3 abstenim.

Tashmë do të jetë Gjykata Kushtetuese ajo që do të shprehet nëse gjetjet e Komisionit Hetimor për Metën përbëjnë shkelje të Kushtetutës.

Meta është presidenti i parë në historinë e Shqipërisë që ndëshkohet me votë nga deputetët pas nismës së 55 deputetëve socialistë dhe hetimeve nga Komisioni i Posaçëm, pjesë të cilit ishin edhe deputetët e opozitës parlamentare.

Sipas akuzave të socialistëve, Meta ka qenë përgjegjës për nxitjen e konfliktit me deklaratat e tij para dhe pas zgjedhjeve të 25 prillit të këtij viti.

Tani, vendimi përfundimtar i mbetet Gjykatës Kushtetuese. Për largimin e Metës nga detyra, nevojiten 5 vota të anëtarëve të kësaj gjykate.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë