Politike

Si mund të mbrohet Ilir Meta para Gjykatës Kushtetuese

Raporti prej 98 faqesh i Kuvendit e akuzon Presidentin Ilir Meta për shkelje të 16 neneve të Kushtetutës, që nga formula e betimit, te parimi si institucion unifikues kombëtar, bërja palë në zgjedhje, shkelja e heshtjes zgjedhore e deri te thirrjet për nxitje dhune dhe urrejtjeje.

Presidenti vetë nuk iu është kundërvënë drejtpërdrejt këtyre akuzave, por ai nuk njeh as komisionin hetimor të ngritur nga parlamenti dhe as produktin e këtij komisioni, që sipas Presidencës është ngritur kundër parashikimeve të Kushtetutës dhe ligjit për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare.

I bindur për këtë, Presidenti Ilir Meta refuzoi të drejtën për të folur e mbrojtur, si para këtij Komisioni, ashtu edhe para Kuvendit në seancën plenare ku u vendos për shkarkimin e tij. Por, nëse dëgjesa në Kuvend ishte fakultative, ajo para Gjykatës Kushtetuese nuk është edhe aq. Presidenti do të jetë i detyruar që të mbrohet para kësaj gjykate ndaj akuzave të ngritura prej socialistëve.

LEXO EDHE:
- Fati i Metës në dorë të Kushtetueses, afatet dhe provat që dorëzohen nga Kuvendi
- Shkarkohet Ilir Meta. 104 deputetë votuan pro

Por si? Nga i gjithë debati që është zhvilluar para dhe pas 7 majit, kur u ngrit Komisioni Hetimor parlamentar nuk është e vështirë që të kuptohet se mbrojtja e Presidentit Ilir Meta do të përqëndrohet te procedura për të rrëzuar të gjithë përmbajtjen e raportit parlamentar.

Sipas Presidencës, Komisioni Hetimor i ngritur për shkarkimin e tij është ilegjitim dhe këtu citohet ligji për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare. Në pikën 6 të nenit 4 të ligjit thuhet shprehimisht se: “Komisionet hetimore nuk mund të ngrihen gjatë 4 muajve para mbarimit të mandatit të Kuvendit”.

Mandati i Kuvendit aktual përfundon më 9 shtator dhe nëse do të merret fjalë për fjalë, në ngritjen e këtij komisioni hetimor më 7 maj, dy ditë para hyrjes në fuqi të këtij afati kohor, socialistët e respektuan këtë nen të ligjit.

Por, Presidenca ka një interpretim tjetër të këtij parashikimi. Ajo thotë se në frymën e ligjit nuk ndalohet vetëm ngritja e komisioneve hetimore parlamentare 4 muaj nga përfundimi i mandatit të Kuvendit, por edhe funksionimi i tyre. Prandaj, për Presidencën puna e këtij Komisioni hetimor pas datës 9 maj është antiligjore dhe vetë komisioni ilegjitim.

Dosja në Kushtetuese

Pas votimit në Kuvend që miratoi raportin e Komisionit Hetimor me 104 vota pro dhe po me këtë numër votash u shkarkua, dosja ku Kuvendit pretendon se Presidenti Ilir Meta ka shkelur Kushtetutën duhet të dorëzohet në Gjykatën Kushtetuese brenda pesë ditëve.

Gjykata Kushtetuese vihet në lëvizje me vendimin e Kuvendit që ka vendosur shkarkimin e tij nga detyra. Vendimi i Kuvendit duhet të përmbajë një përshkrim të argumentuar të shkeljes së rëndë të Kushtetutës ose të krimit të rëndë të pretenduar nga deputetët, si dhe të shoqërohet me provat përkatëse.

Gjykata, një kopje e këtij vendimi të provave përkatëse, ia përcjell Presidentit, i cili ka të drejtë të japë me shkrim sqarimet që i çmon të nevojshme. Më pas, për kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare nevojitet vota me shumicën e anëtarëve të saj, që do të thotë të paktën pesë vota nga 9 anëtarët që duhet të kishte Kushtetuesja, që aktualisht ka shtatë.

Në seancën plenare ftohet të marrë pjesë Presidenti i Republikës, i cili mund të përfaqësohet nga një mbrojtës i zgjedhur prej tij, si edhe Kuvendi. Gjykata Kushtetuese, sipas rastit mund të vendosë që të thërrasë edhe persona të tjerë në gjykim. Mungesa në seancën plenare e Presidentit të Republikës ose e përfaqësuesit të tij pa arsye nuk përbën shkak për moszhvillimin e gjykimit.

Kur Gjykata Kushtetuese arrin në përfundimin se Presidenti i Republikës ka shkelur rëndë Kushtetutën ose ka kryer një krim të rëndë deklaron shkarkimin e tij nga detyra. Në këtë rast vendimi i Gjykatës Kushtetuese hyn në fuqi ditën e shpalljes dhe publikohet menjëherë në Fletoren Zyrtare. Kur Gjykata Kushtetuese nuk arrin në përfundimin se Presidenti i Republikës ka shkelur rëndë Kushtetutën, ose ka kryer një krim të rëndë, ajo vendos shfuqizimin e vendimit të Kuvendit.

Afate konkrete që kjo trupë të dalë me një vendimmarrje nuk ka, por jurisprudenca kushtetuese ndërkombëtare ka vënë si standard një periudhë kohore 90-ditore. Brenda këtij intervali kohor pesë nga shtatë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese duhet të shprehen me “Pro”, ose “Kundër” raportit të Kuvendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë