Politike

Meta sulmon Kushtetuesen dhe nis procedurat për shpalljen e datës së zgjedhjeve në 6 bashki

Katër ditë para se Gjykata Kushtetuese të mblidhet për vendimmarrje në lidhje me fatin e tij në krye të Presidencës, Ilir Meta sulmoi këtë gjykatë duke akuzuar se anëtarë të saj kanë shkelur ligjin duke mos hedhur short për përcaktimin e relatorëve gjatë shqyrtimit të vlefshmërisë për zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019.

Shkeljet, sipas Metës, shkojnë përtej atyre administrative dhe etike.

“Shkelje të ligjit të funksionimit të Gjykatës Kushtetuese që lidhet me mënyrën e caktimit të relatorit të çështjes. Nuk është hedhur procedurialisht shorti për caktimin e relatorit, duke krijuar dyshime se ose relatori e ka kërkuar vetë dosjen, ose i është caktuar pa short. Ligji për Gjykatën Kushtetuese kërkon short. Në dosje nuk ka asnjë procesverbal që të dokumentojë mbajtjen e shortit”, deklaroi Presidenti Meta.

Gjithsesi, pasi përsëriti akuzën ndaj Kushtetueses se iu shmang përgjegjësive të veta dhe nuk mori vendim për 30 qershorin, duke e lënë sërish pa vendim përfundimtar, Presidenti Meta deklaroi se ka nisur procedurat për shpalljen e zgjedhjeve të pjesshme vendore në gjashtë bashkitë, që sot janë pa kryetarë.

“Kam filluar procedurat për t’i dhënë zgjidhje çështjes së zgjedhjeve vendore. Kemi situatë absurde, ku disa bashki drejtohen pa kryetar, që lë shteg për mungesë përgjegjësie, abuzim me pushtetin publik dhe cenimin e të drejtave dhe shërbimeve të qytetarëve. Presidenti nuk ka se çfarë të presë më. Duke konstatuar se këto institucione të parashikuara nga Kushtetuta nuk po funksionojnë siç duhet. Prandaj kam nisur procedurat për zgjedhje të pjesshme vendore. I kemi dërguar KQZ-së kërkesën për të identifikuar bashkitë pa kryetarë”, tha ai.

Presidenti tha se në lidhje me caktimin e datës për këto zgjedhje, nuk do të konsultohet me partitë politike.

Por, a është formë presioni ndaj Gjykatës Kushtetuese kjo deklaratë, katër ditë para se kjo gjykatë të marrë vendim për kërkesën e adresuar nga Kuvendi për shkarkimin e tij? Meta mendon se jo.

“Nuk ka asnjë çështje shkarkimi ndaj Presidentit. Nuk ka çfarë vendimi të marrë Gjykata Kushtetuese. Nëse do të kishte këllqe, gjykata duhet të kishte marrë vendim për zgjedhje vendore të 30 qershorit. Të deklaronte, ose ishin kushtetuese, ose ishin antikushtetuese”, deklaroi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë