Futboll

Rekordmen në fushë, Orges Shehi merr zyrtarisht drejtimin e Skënderbeut

Orges Shehi është zyrtarisht trajneri i ri i Skënderbeut. Durrsaku është prezantuar sot në ambientet e klubit korçar nga presidenti Ardjan Takaj, i cili ka ndryshuar strategji për sezonin e ri, duke qenë se ka një çështje të hapur me UEFA-n, për shkak të dënimit 10-vjeçar nga Kupat e Europës. Beteja ligjore vazhdon në KAS dhe klubi kampion shpreson të fitojë, edhe pse realisht duket shumë e vështirë që të mposhtet “qeveria” e futbollit evropian. Gjithsesi, klubi po mundohet të organizohet sa më mirë në kushtet aktuale, duke nisur nga stafi i ri teknik.

Orges Shehi u shkëput vetëm pak javë më parë nga futbolli i luajtur dhe drejtuesit e klubit korçar e zgjodhën atë si njeriun e duhur për të drejtuar ekipin në situatën aktuale. Përvoja e 40-vjeçarit është  e jashtëzakonshme në fushën e blertë. E tregon vetë fakti që ka luajtur deri në këtë moshë. Me fanellën e Skënderbeut ai ka thyer një sërë rekordesh personale: Shehi është i vetmi lojtar shqiptar që ka fituar 7 herë titullin kampion me të njëjtin ekip. Dy vitet e fundit, pas largimit të Shkëmbit, ka marrë shiritin e kapitenit. Është emblema e periudhës 8-vjeçare, ku Skënderbeu ka fituar 7 tituj dhe në këtë moment të vështirë nuk e ka braktisur ekipin. Ka vendosur të drejtojë nga stoli dhe kjo është përvoja e tij e parë si trajner.

Orges Shehi zëvendëson në stolin e Skënderbeut Ilir Dajën, trajnerin që hyri në histori si i vetmi në Shqipëri që ka drejtuar një skuadër shqiptare në kalimin e katër tureve në një kompeticion evropian, në Europa League sezonin e shkuar. Daja ka zgjedhur të drejtojë Flamurtarin sezonin e ardhshëm, ku pritet të prezantohet këto ditë. Ai nuk e pranoi projektin e ri të Skënderbeut, që është i kushtëzuar nga dënimi që ka dhënë UEFA, një projekt që nuk i përgjigjet pretendimeve të tij profesionale. Daja dhe Takaj i dhanë dorën njëri-tjetrit pak kohë më parë, pasi KAS-i nuk pranoi që Skënderbeu të merrte pjesë në Kupat e Europës.

Korçarët nuk mund të shpenzojnë në këtë periudhë dhe strategjia është për të pasur kontrata të ulëta me lojtarët, me bonuse të larta, nëse Skënderbeu fiton çështjen me UEFA-n në KAS. Pak kanë besuar te kjo strategji, duke mos e marrë përsipër riskun me ekipin, ku sezonin e fundit fituan gjithçka. Disa nga titullarët e vjetshëm janë sistemuar në skuadra të tjera, disa po përpiqen ta bëjnë një gjë të tillë.

Skënderbeu i ri ka disa nga lojtarët e sezonit të kaluar që kanë qenë nën kontratë, pret konfirmimin e disa “senatorëve”, por edhe disa përforcime, që do të vijnë nga jashtë vendit. Trajneri Shehi do të ketë në staf Ilir Bozhiqin dhe Gentian Liçin, dy ndihmësit e ish-trajnerit Daja, por edhe Edlir Tetovën dhe një përgatitës tjetër atletik. Ai synon të ketë sukses si trajner, ashtu siç ka pasur edhe si futbollist.

Shehi ka një karrierë shumë të pasur si futbollist, që ka kulmuar me grumbullimin e tij në Kombëtare vitet e fundit. Ish-portieri durrsak ka luajtur në vendin tonë për Teutën, Partizanin, Bylisin, Vllazninë, Besën dhe tetë vitet e fundit me Skënderbeun. Është një nga ish-futbollistët me një karrierë të shkëlqyer në fushat e blerta. Sapo ka veshur uniformën e trajnerit dhe koha do të gjykojë në këtë detyrë të re.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë